Te kultura e ngrënies me para të shtetit shihet më së miri mungesa e kulturës shtetërore
“Amarone”, 120 euro, kallamari, 500 euro, 10 litra verë italiane, 1085 euro, “Marchesi de Frescobaldi”, 55 euro, “Sessantanni”, 48 euro, “Cicnis”, “Marques de Caceres”, 8 file salmon, 88 euro, biftek, 15 euro, 19 supa, 76 euro, ananas natyral, 32 euro, 19 sallata, 152 euro, 11 gjoks(a) pule, 165 euro, 8 akullore, 662 euro e 30 centë. “Villiamov”, “Jägermister”, “Monty’sHill”.
Ka disa ditë që këto fjalë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë. Sa ha shefi? Me këtë mbititull pyetës që kallxo.com ka vënë mbi një seri shkrimesh që tregojnë çka kanë konsumuar viteve të fundit krerët e Vilajetit të Kosovës. Nga shkrimet kemi mësuar se koha e sahanit ka kaluar, tani salmoni hahet me grusht, siç ka ardhur në pushtet ky taraf: duke mbushur grushtin me vota (të vjedhura) dhe duke përdorur grushtin ndaj çdokujt që mund të ishte pengesë në marshin e madh drejt pushtimit të Kosovës.
Te kultura e ngrënies (me para të padhimbshme të shtetit) shihet më së miri mungesa e kulturës shtetërore. Të bëhesh ministër është shans për të ngrënë kallamari dhe gjallesa të tjera të detit. Të bëhesh kryeministër domethënë të kesh shansin të shijosh verëra nga Italia, Spanja dhe vende të tjera të Mesdheut. Të jesh në pushtet është mundësia e parë në jetë të flesh në hotel. Shteti paguan. Kështu, shteti reduktohet në shijim të verës “Amarone”. Ardhja në pushtet të mundëson të harrosh birrën “Peja”, sepse tash ke ambicie më të mëdha: për shembull të provosh birrën meksikane “Corona”. Kësisoj Republika reduktohet në biftek.
Sa ha shefi dhe sahanët e shefit tregojnë gjendjen e vërtetë në Kosovë. Tregojnë se krimi i organizuar ka lëshuar rrënjë të thella kudo në Kosovë - në politikë, në ndërmarrjet publike, në sistemin gjyqësor. Shteti i Kosovës është pronë e një tarafi kriminal, i cili paguan qindra mijëra euro nga buxheti për të pirë verëra të shtrenjta, raki e birra “Corona”.
Kjo nuk është e tëra. Shteti i Kosovës është pronë e një kaste kleptokratike që ka futur nën thonj çdo resurs mbi dhe nën tokë. Të “fuqishmit” janë të paprekshëm. Të “fuqishmit” janë kujdesur që gjyqtarët e prokurorët të marrin rroga shumë të larta për rrethanat ballkanike dhe kështu janë pacifikuar: rrinë në kolltukët e tyre dhe bëjnë sehir ndërsa të pushtetshmit vjedhin, plaçkitin, grabisin. Të “fuqishmit” kanë krijuar edhe bandat e tyre mediale që janë 24 orë në shërbim të rrjeteve të krimit dhe korrupsionit.
Ata pak gazetarë që kanë mbetur të papërlyer janë në shënjestër jo vetëm të pushtetit kriminal, por edhe të zagarëve të tyre medialë dhe digjitalë. Andaj nuk është befasi që kërcënohen gazetarë dhe prokurorë, nuk është befasi që të “fuqishmit” hapin jo vetëm gurthyes, por edhe fabrika për prodhimin e veteranëve të rrejshëm! Për të dalë nga kjo kënetë banorët e kënetës kosovare duhet t’i lëvizin këmbët dhe krahët. Duhet ta rrëzojnë këtë sistem me votë demokratike. Duhet t’i çojnë në burg prodhuesit e veteranëve të rrejshëm dhe plaçkitësit e Kosovës!
Si erdhëm deri këtu? Politologu Mentor Agani e ka një shpjegim trishtueshëm të saktë: “Njëherë e kam lexuar një thënie të mrekullueshme:
Dhe ja ku jemi në prag të shtatorit të vitit 2018. Merremi me sahanët e pushtetit, me veteranët dhe me prokurorët që iu kanë vërsulur një prokurori që mori guximin të hallakat pak listat e veteranëve për të parë se ajo listë me 50 mijë veteranë është një humnerë. Edhe kjo aferë tregon pak për kulturën e ngrënies. Jo, kjo është kulturë e gllabërimit. Regjimi i PDK-së dhe AAK-së, pra regjimi i “krahut të luftës”, pasi ua bëri jetën ferr 100 mijë qytetarëve dhe i shtyri të ikin në Perëndim, tash i shtyn mijëra të tjerë të gënjejnë se kanë luftuar vetëm e vetëm për të marrë pension veterani dhe për të votuar partitë e duhura – partitë që vjedhin çfarë të munden!