Aleanca Kosovë–Shqipëri–Kroaci shënon një hap të qëndrueshëm drejt ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të përbashkëta, zhvillimit të industrisë rajonale të armatimit dhe forcimit të pozicionit euroatlantik të Kosovës. Për të siguruar efektivitet afatgjatë rekomandohet: Krijimi i një komiteti koordinues trilateral për monitorimin e implementimit; Sigurimi i fondeve të qëndrueshme për projektet e mbrojtjes; Zgjerimi i bashkëpunimit drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi; Harmonizimi i standardeve teknike dhe ligjore me ato të NATO-s dhe BE-së
Bejtush Gashi
Marrëveshja e nënshkruar më 18 mars 2025 në Tiranë midis Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në arkitekturën e sigurisë së Ballkanit Perëndimor. Ajo shërben si një përgjigje e sinkronizuar ndaj transformimeve të thella të mjedisit gjeostrategjik evropian pas agresionit rus në Ukrainë dhe rritjes së kapaciteteve ushtarake të Serbisë.
Për Kosovën, e cila ende nuk është anëtare e NATO-s, kjo iniciativë krijon një mekanizëm funksional të mbrojtjes kolektive joformal. Edhe pse nuk zëvendëson nenin 5 të Kartës së Atlantikut të Veriut, ajo është në përputhje me nenin 4, i cili parasheh konsultime të menjëhershme mes aleatëve në rast kërcënimi ndaj sigurisë, integritetit territorial apo pavarësisë politike. Duke qenë se dy nga tri shtetet (Shqipëria dhe Kroacia) janë anëtare të NATO-s, kjo aleancë vendos Kosovën nën një ombrellë sigurie të përforcuar, me implikime direkte për krahun jugor të Aleancës.
Marrëveshja adreson tri objektiva strategjike kryesore: 1. Rritjen e interoperabilitetit të forcave të armatosura përmes standardizimit të procedurave dhe trajnimeve të përbashkëta në përputhje me doktrinën e NATO-s; 2. Krijimin e një kapaciteti rajonal reagues ndaj krizave dhe kërcënimeve hibride; 3. Reduktimin e hendekut të armatimit ndaj shteteve me investime të përshpejtuara në mbrojtje, duke garantuar balancën strategjike në Ballkan.
Ndërveprimi dhe stërvitjet. Deklarata e përbashkët parashikon shkëmbim të ekspertizës profesionale, zhvillim të trajnimeve individuale dhe kolektive, si dhe ngritje të kapaciteteve rezerviste, përfshirë përmirësimin e logjistikës, menaxhimin e operacioneve dhe sistemet e mbështetjes tekniko-ushtarake. Harmonizimi i procedurave komanduese, i kombinuar me ushtrime të tipit joint-combined, rrit aftësinë për reagim të koordinuar në skenarë krize, përfshirë operacione paqeruajtëse, menaxhim emergjencash dhe misione të mbrojtjes kolektive.
Ky proces e afron Kosovën me standardet ndërkombëtare të NATO-s dhe BE-së jo vetëm në nivel taktiko-operacional, por edhe në kornizën e planifikimit strategjik, doktrinës dhe ndërveprimit civil-ushtarak. Praktikat e ngjashme të adoptuara nga vendet aspirante për NATO kanë treguar se stërvitjet e integruara dhe harmonizimi i procedurave komanduese rrisin kapacitetin e njësive për të vepruar nën komandë të përbashkët, përmirësojnë shkëmbimin e informacionit dhe zvogëlojnë kohën e reagimit ndaj kërcënimeve hibride. Për Kosovën ky bashkëpunim përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një kapaciteti mbrojtës kolektiv, duke forcuar besueshmërinë e vendit si partner sigurie në rajon dhe duke kontribuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
Tek pjesa e industrisë së mbrojtjes, Marrëveshja synon krijimin e një ekosistemi të integruar të industrisë së mbrojtjes, duke ndërtuar zinxhirë furnizimi rajonal dhe duke nxitur inovacionin teknologjik: Kosova planifikon rritjen e buxhetit të mbrojtjes me 60%, ndërtimin e fabrikave për municione dhe laboratorëve për dronë, si dhe blerjen e helikopterëve Black Hawk; Shqipëria, përmes KAYO SH.A., po rivitalizon kapacitetet e prodhimit të armëve dhe sistemeve mbrojtëse, me projekte të avancuara në sektorin naval me partnerë si Fincantieri; Kroacia kontribuon me ekspertizën dhe industrinë e konsoliduar të mbrojtjes, përfshirë kompanitë HS Produkt dhe DOK-ING, të cilat ofrojnë potencial për transferim teknologjie dhe prodhim të sistemeve të certifikuara sipas standardeve të NATO-s.
Tek kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride, Aleanca parasheh një kornizë të strukturuar bashkëpunimi në tri nivele kyç: inteligjencë, siguri kibernetike dhe mbrojtje të infrastrukturës kritike. Këta mekanizma, të ndërthurur në strategjinë trilaterale, lejojnë identifikimin dhe neutralizimin e kërcënimeve komplekse në kohë reale. Kjo qasje është në përputhje me konceptin e qëndrueshmërisë gjithëpërfshirëse, duke integruar kapacitetet civile dhe ushtarake, duke promovuar shkëmbimin e informacionit dhe standardizimin e procedurave dhe duke përmirësuar gatishmërinë për reagim ndaj sulmeve kibernetike, dezinformatave dhe kërcënimeve ndaj infrastrukturës kritike.
Deklarata përfshin veprime të menjëhershme për zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe planifikimin e buxhetit të blerjeve strategjike. Për Kosovën kjo nënkupton një zhvendosje nga një model mbrojtjeje reaktive në një doktrinë proaktive të modernizimit të Forcës së Sigurisë. Prioritetet e mundshme për armatimin përfshijnë: Sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme; Mjete të blinduara të lehta dhe të mesme për operacione mobile; Artileri vetëlëvizëse precize; Dronë zbulues dhe sulmues të teknologjisë së avancuar.
Këto kapacitete rrisin aftësinë e Kosovës për të kontribuar në operacione të përbashkëta dhe për të ruajtur një balancë strategjike rajonale.
Plani operacional i zbatimit përfshin: Stërvitje të përbashkëta për harmonizimin e Command and Control (C2); Optimizim të logjistikës dhe përdorimit të burimeve përmes integrimit rajonal; Rritje të kapacitetit reagues të përbashkët në krizë.
Ky bashkëpunim shërben jo vetëm si mjet ushtarak, por edhe si instrument politik dhe diplomatik, duke forcuar pozicionin e secilit vend në arenën euroatlantike. Duke qenë se Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s, marrëveshja forcon krahun jugor të Aleancës, duke garantuar një korridor sigurie nga Adriatiku në Lindjen e Ballkanit dhe duke funksionuar si një force multiplier rajonal.
Në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, marrëveshja ofron një model funksional bashkëpunimi për vendet joanëtare të NATO-s, duke kontribuar në stabilizimin e rajonit dhe reduktimin e hapësirës për tensione të sponsorizuara nga aktorë të jashtëm.
Aleanca Kosovë–Shqipëri–Kroaci shënon një hap të qëndrueshëm drejt ndërtimit të kapaciteteve mbrojtëse të përbashkëta, zhvillimit të industrisë rajonale të armatimit dhe forcimit të pozicionit euroatlantik të Kosovës. Për të siguruar efektivitet afatgjatë, rekomandohet: Krijimi i një komiteti koordinues trilateral për monitorimin e implementimit; Sigurimi i fondeve të qëndrueshme për projektet e mbrojtjes; Zgjerimi i bashkëpunimit drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi; Harmonizimi i standardeve teknike dhe ligjore me ato të NATO-s dhe BE-së.
Nëse zbatohet me disiplinë strategjike, kjo marrëveshje nuk do të mbetet thjesht një dokument deklarativ, por do të shndërrohet në një arkitekturë të re sigurie për Ballkanin Perëndimor, të aftë të përballojë sfidat e shekullit XXI.