Nisi shtegtimi i partive nëpër qyteza e qytete - po mbahen fjalime për të gjitha shijet; po dëgjojmë slogane turli, dhe po ajo që po na premtohet më së shumti është luftimi i korrupsionit, në veçanti nga ata që janë përgjegjësit më të mëdhenj se përse korrupsioni lëshoi rrënjë në Kosovë qe 20 vjet. Ndërkohë, ministrat e dorëhequr vazhdojnë të marrin vendime të dëmshme, për të vërtetuar se krejt janë fjalë boshe. Tamam shtet hajgare!
Tek i dëgjon politikanët që deri dje "kanë pirë e hëngër bashkë" qysh e shajnë dhe thumbojnë njëri-tjetrin, e vërteton edhe një herë se politika është arti i të gënjyerit. Vetëm se këta tanët janë rrenca par excellence, dhe s'ka kush ua kalon.
Pra, kanë rrejt kur kanë krijuar koalicion për të arritur në pushtet, e tash rrejnë në përpjekjen për ta fituar pushtetin sërish, por mbase në kombinime të tjera. Deri dje kanë qenë krejt "të nderuar" e tash janë oponentë që i përqeshin premtimet e të tjerëve. E mbase këtë përqeshje duhet marrë shumë seriozisht: këta e njohin shoqi-shoqin shumë mirë, pra e dinë se janë duke gënjyer dhe se premtimet i kanë vetëm për formë.
Fushata nisi zyrtarisht në mesnatën ndërmjet së martës e së mërkurës me fishekzjarrë. Nuk e di ideja e kujt ishte që të shkaktonte ndotje të mjedisit dhe atë akustike, porse edhe me këtë potez e dëshmoi se pallavrat për mbrojtjen e ambientit janë vetëm kaq: pallavra.
Nisi shtegtimi i partive nëpër qyteza e qytete - po mbahen fjalime për të gjitha shijet; po dëgjojmë slogane turli dhe po ajo që po na premtohet më së shumti është luftimi i korrupsionit, në veçanti nga ata që janë përgjegjësit më të mëdhenj se përse korrupsioni lëshoi rrënjë në Kosovë qe 20 vjet. Tamam shtet hajgare!
Shfrytëzimi i mjegullës
Natyrisht, përderisa i gjithë përqendrimi është në atë se kush çka po thotë dhe se kush kë po e thumbon më së shumti, ministrat e dorëhequr vazhdojnë të marrin vendime pa e pyetur kë për çfarëdo. Duke i shfrytëzuar edhe çastet e fundit të pushtetit që nuk do të duhej ta abuzonin, për ta nxjerrë edhe ndonjë përfitim të çastit të fundit.
Kështu, edhe kësaj jave, ministri skandaloz i Arsimit, tash kandidat për deputet i koalicionit AAK/PSD, i ndërmori edhe dy veprime me pasoja për shoqërinë, e mbase me ndonjë përfitim për vete.
Në rastin e parë, është KMDLNJ-ja ajo që e akuzoi ministrin se kishte ndikuar politikisht në Këshillin Shtetëror të Cilësisë që të rritej numri i studentëve në Fakultetin e Mjekësisë. Tashmë janë pranuar 150 studentë, e këtyre do t'iu shtohen edhe 134 të tjerë që "e kanë kaluar pragun e kalueshmërisë".
Interesant se si bëhet që çdo vit të luftohet për regjistrim në këtë fakultet - mbase për shkak se të gjithë e kanë parë se biznesi më i mirë në Kosovë është ose që të merresh me politikë, ose që të bëhesh mjek. Dhe çdo vit ndodh e njëjta gjë - rritet numri i të regjistruarve në këtë institucion. Porse që të ushtrohet ndikimi në dalje nga detyra, kjo me gjasë po na ndodh sefte.
Vendimi tjetër i Bytyqit ka të bëjë me kurrikulën bërthamë për fëmijërinë e hershme 0-5 vjeç, të cilën e miratoi para një jave, pa i marrë parasysh vërejtjet e profesionistëve të fushës, që ishin dhënë në kohën kur mbahej diskutimi publik për këtë dokument. Fakti se kjo kurrikulë sërish do të mund të anulohej me një vendim të një ministri tjetër, nuk e bën më të vogël problemin dhe vendimmarrjen si të ishte pazari i akshamit.
Aq më tepër kur u kuptua para dy ditësh, se ky ministër është nën hetime, për shkak se dyshohet ta ketë kanosur një zyrtar që kishte refuzuar të nënshkruante një mendim ligjor në kohën kur u shfaq problemi me mosakreditimin e programeve të institucioneve të larta shkollore.
Pas gjithë skandaleve që i ka shkaktuar për dy vjet, pas ndërrimit të petkut në emër të mbrojtjes së dinjitetit, Bytyqi edhe mund të zgjidhet deputet. Thuajse po shpërblehet për katastrofën që e ka shkaktuar në arsim.
Paraja e madhe
Katastrofa tjetër po përgatitet nga Ministria e Mjedisit, dhe kjo me gjasë qëllimisht u ruajt për kohën kur krejt janë të zënë duke ngarendur pas votave, dhe kur vëmendja është kthyer nga ajo nëse këto zgjedhje do të sjellin ndryshimin në pushtet, apo vazhdimin e agonisë së Kosovës.
Ministri i dorëhequr i Mjedisit, Matoshi, udhëzoi sekretarin e vet që të ndërmerrte hapat "sipas rregullativës ligjore në fuqi" e ta zhbllokojë pezullimin e lëshimit të lejeve mjedisore kompanive që janë duke i eksploatuar lumenjtë e Kosovës për të prodhuar sasi minimale energjie elektrike.
Arsyetimi se tashmë kjo qeveri ishte dorëhequr, ndërkohë që "vendimi i vjetër për pezullim më nuk ka fuqi", ka mjaftuar që Matoshi t'i jepte dritë të gjelbër sekretarit të përgjithshëm të kësaj ministrie që "të vepronte sipas ligjit".
Kjo korrespondencë institucionale pra ndodh në kohën kur "Qeveria është e dorëhequr" e megjithatë në vete mban një vendim të kamufluar me "veproni sipas ligjit", me urdhër të ministrit në dorëheqje, dhe i cili, parimisht, nuk do të duhej të përfshihej në vendime strategjike.
Ndodh gjithashtu në kohën kur po skadonte afati i dytë 90-ditësh i caktuar nga ZRRE-ja kompanisë "KelKos Energy", që ka nisur ta prishë natyrën e Lumbardhit pa e pasur as lejen mjedisore, për t'u pajisur me një të tillë.
Thuajse protestat jo të vogla që u mbajtën nga pranvera e hershme nuk mjaftojnë për këta njerëz, që më parë pajtohen që ta shkatërrojnë natyrën për përfitime personale sesa të përpiqen të mbledhin para për ta ruajtur atë.
Zhgënjyes fakti se nuk dëgjuam nga asnjë parti se çfarë plani e kanë në mendje për ruajtjen e natyrës dhe për mbjelljen e drunjve kudo që kjo është e mundur, për t'i kompensuar të gjitha dëmet që i janë shkaktuar asaj për shkak të prerjes masive dhe shitjes, të paautorizuara që të dyja, të drunjve në parqet nacionale të Kosovës.
Dhe në vend se të ndiqen kompania dhe institucionet që kanë lejuar që lumenjtë të keqpërdoren për hidrocentrale të kota, të cilave askush pos atyre të përfshirëve nuk do t'ua shohë hairin, tash ndeshemi me rrugën e hapur për shkatërrimin edhe të atyre pak lumenjve që na kanë mbetur.
Ndërkohë
E besoj se shumëkujt i ka rënë në sy që ka më shumë se një muaj që nuk e kemi askund nëpër Kosovë kryetarin e shtetit.
Fillimisht, ia krisi një shëtitjeje të gjatë në Japoni, prej nga na vinin ca foto e komunikata nga zyra e tij, dhe më pas u bë e ditur se do të shkonte në New York, meqë mbahej Asambleja e Përgjithshme e OKB-së. Qartë, në margjina të konferencës, meqë Kosova nuk është shtet anëtar dhe nuk mund të marrë pjesë, u paralajmëruan takimi me Trumpin e me kë jo tjetër.
Natyrisht, për ata që e përcjellin punën e tij më për së afërmi, ishte e qartë se kjo do të ishte edhe një mundësi e re për të që ta takonte dostin e tij të vogël Daçiqin, dhe shoqen e respektuar dhe të nderuar Mogherinin. Tema? Dihet. Negociatat me Serbinë dhe taksa e famshme, nëse do të hiqet ose jo për të vazhduar tutje.
Mogherini do të shkojë dhe do të zëvendësohet nga një spanjoll, i cili me gjasë nuk do ta vazhdojë me rolin e ndërmjetësit në këtë proces. Pra, të gjithë pak a shumë jemi në pritje për të ditur se kush do të jetë personi që do të merret me këtë çështje. Nga ana tjetër, derisa takohen, Daçiqi vazhdon me paralajmërimin e tërheqjes së njohjeve së Kosovës shtet, kurse Thaçi, duke lënë përshtypjen se përcjell gjithçka nga distanca, i pret rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit.
Shumë do të ketë rëndësi se kush do të fitojë sa i përket vazhdimit të dialogut me Serbinë. Po qe se kombinimi do të jetë i herës së shkuar, gjërat nuk do të ndryshojnë, dhe ky do të vazhdojë të shkojë në takime krye më vete. Se, teorikisht, po qe se fiton PDK-ja, do të ketë nevojë për parti/koalicion shtesë për të udhëhequr. Më i mundshmi është kombinimi me AAK/PSD-në. Dhe nëse Veseli bëhet kryeministër, edhe ky do t'ia lërë rrugën hapur shefit të vet që ta kryesojë procesin.
Po qe se fituese do të ishte ndonjëra parti e opozitës, atëherë gjasat janë se Thaçi do të mënjanohej nga procesi, duke shërbyer si figurë ceremoniale, me gjasa të mëdha që të ballafaqohet me Kushtetuesen në ndonjë moment të caktuar. Ose thjesht, do të lihet që vetëm ta përfundojë mandatin e mbetur, pra edhe nja një vjet e gjysmë, e që në konstelacionin e ri të mos ketë mundësi rizgjedhjeje.
* * *
Mirë do të ishte që zgjedhjet e tetorit të sillnin ndryshim në jetën politike të Kosovës. Që votuesi të dijë të zgjedhë e të dënojë me votën e vet ata që e kanë sjellë Kosovën në këtë situatë. Jo vetëm që do të ishin shpresa për ndryshime pozitive, me gjithë problemet e pengesat që do të mund të shkaktonte një koalicion i ri, i paprovuar ndonjëherë e me pikëpamje të ndryshme ideologjike. Shpresë, për shkak se mbase politikanët e rinj kanë mësuar nga gabimet e këtyre që luftuan me dhëmbë për t'u mbajtur në pushtet.
Ndryshimi në pushtet do ta shënonte edhe venitjen e Thaçit, me gjithë aftësinë e tij për të mashtruar dhe abuzuar me pushtetin, për shkak se do t'i mungonin numrat. Edhe pse jo edhe përkrahja e atyre që i ka bërë për vete me favore e shërbime të tjera në gjithë këto vite, e që do të ishin të gatshëm për të shkaktuar trazira po qe se do të shfaqej nevoja.
Do të varet nga konstelacioni i ri, po qe se vendoset, se me sa efikasitet do t'i përdorë shërbimet e AKI-së dhe të Policisë për parandalimin e veprimeve të shëmtuara që të vetmin qëllim do ta kishin mbajtjen në sipërfaqe të personit që ka më së shumti përgjegjësi se pse në Kosovë është instaluar praktika e aksham pazareve, dhe se pse jetojmë një jetë kaq të nëpërkëmbur.