Për votuesit në të gjithë Evropën Perëndimore, lufta në Ukrainë e ka shpërfaqur se sa me fat janë ata që jetojnë në vende paqësore, të sigurta dhe të lira. Ani që demokracitë liberale evropiane dhe kapitalizmi janë larg të qenët të përkryera, ato kanë nevojë për reformim, jo për shpërbërje. Edhe një demokraci evropiane me të meta të thella është shumë e preferueshme sesa autokracia
Lufta e presidentit rus, Vladimir Putin, kundër Ukrainës është tragjedi e madhe, mbi të gjitha për ukrainasit, por edhe për njerëzit në mbarë Evropën dhe në mbarë botën.
Por, siç tregojnë sondazhet e opinionit për rundin përfundimtar të zgjedhjeve presidenciale të Francës më 24 prill, fakt ngushëllues i barbarisë ruse në Ukrainë është se sulmi i paprovokuar i Putinit duket se po i diskrediton mbështetësit dhe aleatët e tij në Perëndim, dhe mund të ofrojë shtysë të re për integrimin evropian.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSigurisht, populistët mund të përfitojnë ende nga kjo krizë, për të marrë mbështetje nga evropianët e ndrydhur ekonomikisht. Ky duket të jetë plani i lojës i politikanes së të djathtës ekstreme, Marine le Pen, teksa bën fushatë për ta fituar presidencën franceze. Ndërsa çmimet e energjisë, të mallrave dhe ushqimeve bazë rriten, inflacioni në Evropë mund të arrijë në shifra dyshifrore për herë të parë që nga vitet 1970.
Standardet e jetesës në Bashkimin Evropian mund të pësojnë goditje më të madhe sesa pas krizës ekonomike globale të vitit 2008, kur reagimi thellësisht i mangët evropian ua ndërroi mendjen shumë votuesve.
Tashmë këto sfida duket se e kanë forcuar Viktor Orbanin, kryeministrin autokratik të Hungarisë. Orban, aleat i moçëm i Putinit, i cili e ka manipuluar sistematikisht sistemin zgjedhor në Hungari në favor të vetin, është munduar t’i mbrojë hungarezët nga rritja e çmimeve të ushqimit dhe karburanteve. Partia e tij “Fidesz” fitoi zgjedhjet e përgjithshme të këtij muaji me rezultat dërrmues, duke ia siguruar atij mandatin e katërt radhazi në pushtet.
Për të parandaluar që ky rezultat të parashikojë prirje më të gjerë, qeveritë e BE-së duhet të ofrojnë mbështetje për njerëzit e cenueshëm, të shmangin masat shtrënguese të parakohshme, të diversifikojnë furnizimet me energji dhe të përshpejtojnë investimet në teknologjitë e pastra me kosto të ulët. Lajmi i mirë është se, deri më tani, politikëbërësit duket se synojnë ta bëjnë pikërisht këtë. Suksesi i tyre do të shkonte shumë drejt rivendosjes së besimit në elitat politike dhe teknokratike të Evropës.
Ndihmë në këtë drejtim ofron fakti që lufta në Ukrainë e ka gërryer edhe besueshmërinë politike të populistëve që e kanë lidhur veten prej kohësh me Rusinë dhe kanë lavdëruar Putinin. Që nga pushtimi, populistët si Matteo Salvini i Italisë dhe Nigel Farage i Mbretërisë së Bashkuar janë përpjekur të distancohen nga Rusia. Edhe Orbani ka thënë pas fitores së tij elektorale se ai po “rivlerësonte” lidhjet e tij të ngushta me vendin, të cilin tani e konsideron “kundërshtar”.
Në prag të rundit të parë të zgjedhjeve presidenciale të Francës, të dy kandidatët kryesorë të ekstremit të djathtë u përpoqën ta bënin të njëjtën gjë. Pas vitesh të mbajtjes së lidhjeve të ngushta me Putinin dhe marrjes së financimeve të konsiderueshme nga Rusia, Le Pen e National Rally e quajti pushtimin e Ukrainës të pajustifikueshëm. Éric Zemmour i Reconquest, i cili dikur kishte thënë se ëndërronte për një president francez si Putini, u detyrua në mënyrë të ngjashme ta dënonte luftën.
Mirëpo deklaratat e tyre duket se nuk kanë mjaftuar. Në rundin e parë, të dy kandidatët humbën nga presidenti i qendrës, Emmanuel Macron. Ai fitoi gati 27.6% të votave dhe duket se do të rikthehet në balotazh kundër Le Pen-it në fund të javës. Ndërsa Le Pen arriti të sigurojë 23% të votave, numrat e saj të anketave tani po bien pasi propozimet e saj për të distancuar Francën nga NATO-ja dhe BE-ja dhe për të kërkuar lidhje më të ngushta me Rusinë rrokin vëmendje të thellë. Zemmour, nga ana e tij, tërhoqi vetëm 7% - dhe emigracioni mund të jetë arsyeja kryesore e këtij rezultati të dobët.
Teksa shumë evropianë mbesin të mërzitur nga humbja e tyre (ose humbja e perceptuar) e të ardhurave ose statusit, ose kanë frikë se mos pësojnë humbje të tillë – një faktor kryesor që nxit mbështetjen për populistët – ata kanë gjetur ndjenjë të re dhembshurie për refugjatët, kurban të preferuar të populistëve. Mbështetja për Zemmourin, i cili ishte afër Le Penit në sondazhet e opinionit para pushtimit, ra pasi ai kundërshtoi publikisht pritjen e refugjatëve ukrainas.
Natyrisht, simpatia evropiane nuk shtrihet për të gjithë ata që ikin nga dhuna. Për më tepër, gatishmëria për të pranuar refugjatë ukrainas mund të jetë e kufizuar, veçanërisht nëse rriten kostot e integrimit të refugjatëve.
Por edhe nëse dhembshuria e sapogjetur e Evropës për refugjatët nuk zgjat, kërcënimi nga Rusia e Putinit do të vazhdojë. Kjo diskrediton besimin tjetër që ka forcuar prej kohësh populistët: nocionin se gjërat nuk mund të shkojnë më keq.
Për votuesit në të gjithë Evropën Perëndimore, lufta në Ukrainë ka nxjerrë në pah se sa me fat janë ata që jetojnë në vende paqësore, të sigurta dhe të lira. Ani që demokracitë liberale evropiane dhe kapitalizmi janë larg të qenit të përkryera, ato kanë nevojë për reformim, jo për shpërbërje. Edhe një demokraci evropiane me të meta të thella është shumë më e preferueshme se autokracia.
Në Evropën Qendrore dhe atë Lindore janë qeveritë ato që kishin nevojë për kujtesë. Në veçanti, administrata tekanjoze e Polonisë duket se ka fituar një vlerësim të ri për sigurinë që ia ofron anëtarësimi në BE. Aleanca joformale anti-Bruksel e Polonisë me Orbanin tani duket e prishur.
Pas vitesh ndarjeje të brendshme, evropianët po detyrohen të bashkohen kundër një armiku të jashtëm alarmues, siç bënë gjatë Luftës së Ftohtë. BE-ja ka tani mundësi të artë për ta provuar vlerën e saj duke grumbulluar përpjekjet kolektive për ta rritur sigurinë, në aspektin e mbrojtjes, energjisë dhe ekonomisë.
Teksa Shtetet e Bashkuara do të mbesin thelbësore për mbrojtjen evropiane, BE-së do t’i duhet gjithashtu të marrë përgjegjësi më të madhe për sigurinë e saj, aq më shumë pasi nuk ka asnjë garanci që liderët e ardhshëm amerikanë do të mbesin të përkushtuar ndaj NATO-s. Përparimi në sigurinë energjetike do të kërkojë përpjekje masive kolektive për të gjetur alternativa ndaj furnizimeve ruse, për të rritur kapacitetin e depozitimit të gazit, për të ndërtuar rrjete të gazit në të gjithë BE-në dhe për të përshpejtuar përpjekjet për dekarbonizimin e udhëhequr nga BE-ja. Dhe, qeveritë e BE-së do të duhet të ndjekin nismën e përbashkët për të forcuar sigurinë ekonomike, të modeluar në fondin e rimëkëmbjes nga pandemia.
Josep Borrell, përfaqësues i lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, së fundmi ka argumentuar se lufta e Putinit e ka lindur Evropën gjeopolitike. Ai ka të drejtë. Kjo ambicie e gjatë franceze ishte penguar në mënyrë të përsëritur nga Atlanticizmi Euroskeptik i Britanisë dhe nga pacifizmi merkantilist i Gjermanisë. Por Britania e Madhe nuk është më anëtare e BE-së dhe Gjermania po përqafon qasje strategjike më muskuloze. Marrë në tërësi, evropianët tani e shohin me qartësi alarmante qëllimin kryesor të BE-së: mbrojtjen e tyre nga kërcënimet si Rusia e Putinit.
(Philippe Legrain, ish-këshilltar ekonomik i presidentit të Komisionit Evropian, është anëtar i lartë vizitor në Institutin Evropian të Shkollës Ekonomike të Londrës dhe autor i “Them and Us: Hoë Immigrants and Locals Can Thrive Together” (Oneworld, 2020). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)