Në kohën kur joefikasiteti i BE-së, interesat dhe politika e Serbisë si dhe papërgjegjësia e Kosovës i kanë krijuar hapësirë Rusisë dhe Turqisë të kenë ndikim më të madh në Ballkan, parashtrohet pyetja se a do të ketë Britania e Madhe ndonjë rol në këtë rajon pas Brexitit. Londra do të donte të kishte dhe Kosova do të jetë një humbëse e madhe nëse pas largimit nga BE-ja Britania do ta reduktojë rolin në Kosovë dhe në rajon
Kanë mbetur më pak se tetë muaj nga dita kur Britania e Madhe nuk do të jetë më anëtare formale e Bashkimit Evropian. Me apo pa marrëveshjen, me Brexit të butë apo të fortë. BE-ja do të ketë nga data 1 prill 27 vende anëtare.
Janë bërë shumë llogari për pasojat që do t’i ketë Britania e Madhe, por edhe BE-ja pas këtij hapi tashmë të pashmangshëm, sado i padëshiruar të jetë ai. Por pakkush ka bërë llogari se si do të reflektohet Brexiti në vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai gjithsesi do të ketë efekt të madh, shumë më të madh sesa që mendohet. Brexiti do ta dëmtojë rëndë rolin e BE-së në rajon dhe do ta zbusë tej mase rolin e Britanisë së Madhe, sado që Londra investon për të mbajtur ndikimin në këtë zonë sepse është në interes të saj.
Për të dëshmuar se do t’i mbetet besnike Ballkanit, Britania e Madhe kishte organizuar edhe një samit të Procesit të Berlinit në kryeqytetin e saj. Në korrik, në Londër, ishte zhvilluar samiti i pestë me radhë i Procesit të Berlinit, i cili është një nismë e kancelares gjermane Merkel për të ndihmuar zhvillimin e vendeve të Ballkanit, si në infrastrukturë ekonomi ashtu edhe në zgjidhjen e mospajtimeve mes shteteve, pajtimin mes tyre dhe bashkëpunimin rajonal.
Sipas burimeve diplomatike, kancelarja gjermane Merkel aq mirë e kishte planifikuar në afat të gjatë ecurinë e këtij procesi saqë kishte paraparë se ku do të zhvillohen samitet e në cilin vit. Kështu pas Berlinit ku ishte samiti i parë, që edhe mori emrin në bazë të këtij fakti, samiti i dytë u zhvillua në Vjenë, pasi Austria është bashkiniciuese e procesit, për të pasuar me Parisin dhe vitin e kaluar me Triesten. Tash radha ka ardhur në Londër, ndërsa në vitin 2019 do të zhvillohet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavën. Pra, sipas këtyre burimeve, që para tre vjetësh kancelarja Merkel dhe kryeministri i atëhershëm britanik David Cameron ishin marrë vesh që në vitin 2018 samiti të zhvillohet në Londër. Pastaj kryeministrja britanike, Theresa May, kishte pranuar me kënaqësi që kjo të ndodhë në këtë qytet për të dëshmuar edhe me këtë se “me largim nga BE-ja Britania nuk largohet nga Evropa dhe angazhimet e saj në sigurinë dhe zhvillimin e Evropës, sepse kjo është edhe në interes të Britanisë, pa marrë parasysh raportet e saj të ardhshme formale me Bashkimin Evropian”.
Samiti i Procesit të Berlinit, që u zhvillua në Londër ishte pra rast që Britania e Madhe të dëshmojë se pas largimit nga BE-ja nuk do të tërhiqet nga angazhimi në Ballkan. Këtë do ta bëjë në bashkëpunim me BE-në dhe shtetet e tjera. Madje ka paralajmërime se Britania do të dyfishojë edhe mjetet financiare, edhe stafin për çështje të Ballkanit në administratën e saj.
Në kohën kur joefikasiteti i BE-së, interesat dhe politika e Serbisë, si dhe papërgjegjësia e Kosovës u kanë krijuar hapësirë Rusisë dhe Turqisë të kenë ndikim më të madh në Ballkan parashtrohet pyetja se a do të ketë Britania e Madhe ndonjë rol në këtë rajon pas Brexitit. Londra do të donte të ketë dhe Kosova do të jetë një humbëse e madhe nëse pas largimit nga BE-ja, Britania do ta reduktojë rolin në Kosovë dhe në rajon.
Britania e Madhe si shtet me traditë dhe ndikim historik dhe tradicional në tërë botën, gjithsesi do të ketë mekanizma dhe strukturë që të jetë e angazhuar në rajon, përfshirë edhe në Ballkan, e edhe në Kosovë. Ka investuar aq shumë deri më tash edhe politikisht, edhe ushtarakisht edhe financiarisht saqë nuk mund ta harrojë dhe neglizhojë më këtë rajon. Jo vetëm si anëtare e BE-së dhe NATO-s, por edhe si anëtare e Grupi8 të Kontaktit Britania e Madhe ka qenë shpesh edhe shteti më aktiv në kërkim të zgjidhjeve politike. Në rastin e Kosovës, siç na thoshin shpesh diplomatë në Bruksel, Britania e Madhe ka qenë nganjëherë mbështetëse edhe më e madhe sesa Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania. Nuk ka hezituar asnjë herë të thotë se Kosova duhet të jetë e pavarur dhe deri në fund edhe brenda BE-së ka insistuar që ajo të trajtohet si shtet. Por problemi pas Brexitit qëndron në fuqinë politike, të cilën Britania më nuk do ta ketë. Nuk do të ketë fare ndikim në procesin e zgjerimit të BE-së dhe ky proces është edhe karota kryesore që ende motivon vendet e rajonit që të bëjnë reforma dhe ta luftojnë korrupsionin. Grupi i Kontaktit nuk ekziston më, ndërsa anëtarësia në NATO nuk garanton ndonjë ndikim politik, sepse NATO-ja e ka përjashtuar veten tërësisht nga proceset politike në Kosovë duke u kufizuar në praninë ushtarake, shumë të reduktuar dhe duke refuzuar që të jetë pjesë e proceseve politike. Madje rreth statusit të Kosovës NATO-ja ka qëndrime dhe më ekstrem sesa BE-ja duke u sjellë shpesh edhe në mënyrë qesharake, si për shembull kur nuk ua përmendin fare funksionet përfaqësuesve të Kosovës kur takohen me ta, por i paraqesin si takime private.
Britania e Madhe është edhe anëtare e Këshillit të Sigurimit të OKB-së me të drejtë vetoje dhe aty do ta vazhdojë të mbështesë Kosovën. Por dëshira edhe e Kosovës e edhe e Britanisë së Madhe është që Këshilli i Sigurimit të mos merret më me këtë rajon pas aq shumë vitesh. Kur të gjitha këto të merren parasysh del që Londra nuk do të ketë ndikim të madh në Ballkan. Por roli i Londrës në të ardhmen do të varet edhe nga marrëdhëniet që Britania do të ketë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe gjithmonë ekziston mundësia e raporteve bilaterale me vendet e rajonit. Kosova duhet seriozisht të mendojë që me Britaninë e Madhe të ketë sa më shumë marrëveshje bilaterale, përfshirë edhe ato të natyrës ushtarake dhe të sigurisë. Sepse edhe pasi Britania të del nga BE-ja, Kosova për shumë vjet nuk do të bëhet anëtare e BE-së e as e NATO-s. Dhe kështu edhe Kosova mund ta shndërrojë Brexitin në një rast për veten.