Një mburravec që dëshiron të jetë burrështetas

Agron Demi Agron Demi 19 shkurt 2018 14:24

Mbi librin “Shtet i ri, burrështetas modern: Hashim Thaçi – biografi” i autorëve Roger Boyes dhe Suzy Jagger (Origjinal: “New State, Modern Statesman: Hashim Thaçi – a biography. 15 February 2018, Biteback Publishing, London). Ky libër me 320 faqe i cili hiperbolizon figurën e Thaçit në përmasa hyjnore, duket aq qesharak sa i ngjan batutave me Chuck Norrisin. Andaj, këshillohet që të lexohet si i tillë – ndonëse autorët nuk kursejnë asnjë akrobacion gjuhësor për ta përshkruar Thaçin si të ngjashëm me Winston Churchillin, Nelson Mandelën, Charles de Gaullein, Gerry Adamsin dhe Richard Nixonin.

Sikur edhe liderët shtetërorë të mbanin nofka, ashtu sikurse guerilët e luftës, Hashim Thaçit do t’i shkonte për shtati nofka “mburraveci”, por nuk do të gabohej nëse do ta adaptonte edhe nofkën e luftës – “Gjarpri”. “Në folklorin tonë, gjarpri simbolizon mbrojtjen e shtëpisë”, u shpjegon Hashim Thaçi domethënien e nofkës së tij të luftës dy gazetarëve britanikë të cilët më 15 shkurt 2018 publikuan një biografi mjaft voluminoze për presidentin Thaçi. Në një intervistë për media në janar të vitit 2017, Thaçi kishte paralajmëruar publikimin e një autobiografie. Por një vit më vonë, në vend të autobiografisë, doli libri biografik, cili ashtu siç paralajmërohet edhe në titullin e tij, më shumë se për shtetin e Kosovës, përqendrohet në figurën e Hashim Thaçit.

Libri fillon me një parathënie të shkruar nga ish-senatori republikan Bob Dole, mik i vjetër i Kosovës. Vetëm pak ditë pasi që presidenti Thaçi ishte takuar në Washington me senatorin Dole, në shkurt të 2017, mediat raportuan se firma ligjore “Alston Bird”, në të cilën është i angazhuar senatori Dole, përfitoi 2,3 milionë dollarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës. Nuk dihet nëse pjesë e atyre 2,3 milionë eurove ka qenë edhe shkrimi i parathënies së librit, apo ndoshta edhe vetë libri?

Në librin e dy gazetarëve britanikë, Hashim Thaçi merr epitete të ndryshme. Që në faqet e para të librit, ai krahasohet me Nelson Mandelan “si një lider rezistence i cili triumfoi përkundër skepticizmit të liderëve perëndimorë”. Veprimtaria e Thaçit gjatë studimeve krahasohet edhe me liderët polakë e çekë të cilët iniciuan rënien e perandorisë sovjetike, si Lech Wałęsa e Václav Havel. Thaçi na shfaqet si Winston Churchill: një lider i luftës dhe i paqes, shkathtësitë e të cilit tërhoqi SHBA-në në luftë. Autorët nuk harrojnë ta përmendin edhe epitetin që ish-zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden i kishte dhënë Thaçit “si një George Washington”. Diku tjetër, Thaçi krahasohet edhe me Charles de Gaulle, liderin francez i cili udhëhoqi Francën kundër pushtimit nazist, dhe me Gerry Adams, politikanin irlandez të Sinn Fein, krahu politik i IRA-s.

Hapja e tij ndaj negociatave me Serbinë, krahasohet me hapjen e presidentit amerikan Richard Nixon ndaj Kinës komuniste. Enver Hoxhaj, bashkëpunëtor i Thaçit, i intervistuar nga autorët e librit, i cili vite më parë kishte thënë se “…trupat tanë do të shndërrohen në pluhur, por emri i Hashim Thaçit përherë do të jetojë…”, kujdeset që listës së gjatë të krahasimeve me figurat historike të ia shtoj edhe dy: Michael Collins, liderin revolucionar irlandez të fillimshekullit njëzet; dhe figurën historike të Hasan Prishtinës. Madje, sipas autorëve, sfidat e Thaçit janë dukshëm më të mëdha se sa sfidat që i kishte Hasan Prishtina. Për autorët e librit, Hashim Thaçi është një Robin Hood.

Në këtë libër, Thaçi paraqitet si një njeri me aftësi të jashtëzakonshme, gati të mbinatyrshme. Ai është profetik dhe arrin të kuptojë ngjarjet dhe të parashikojë rrjedhën e historisë. Ai është intuitiv, ëndërrues, me shkathtësi të jashtëzakonshme diplomatike. Sipas autorëve, të cilët përfshijnë rreth njëzetë orë intervistë të drejtpërdrejtë me Thaçin, kur e gjithë bota e cilësoi si retorikë boshe fjalimin e Sllobodan Millosheviqit në Gazimestan, studenti i historisë Thaçi nuk e kishte asnjë dyshim se fjalimi i Millosheviqit do të thoshte luftë. Kur Millosheviqi dërgoi trupat ushtarake në Slloveni për të parandaluar pavarësinë e kësaj republike, Thaçi nuk kishte dyshim se kjo nënkuptonte rënien e Jugosllavisë. Ai ishte aq profetik për të parashikuar edhe intervenimin e NATO-s.

Sipas autorëve të librit, Thaçi e njihte mjaft mirë artin e luftës të gjeneralit të famshëm prusian Carl von Clauzewitz-it, i cili ishte i bindur se “edhe një forcë e kufizuar ushtarake mund të sjellë avantazhe të mëdha politike”. Andaj, gjithnjë sipas autorëve, Thaçi ishte ideatori i cili i dha strukturë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lëvizja e Thaçit do të ishte një lëvizje unike, e cila nuk do t’i ngjante asnjë lëvizjeje tjetër në histori. Thaçi kishte shikuar shumë filma me “partizanë dhe gjermanë”, por ushtria e tij nuk do t’i ngjante këtyre filmave. Ai kishte shikuar edhe shumë filma me John Wayne, por as taktikat “kaubojski” nuk do të bënin punë. Ashtu siç nuk mund të adaptoheshin taktikat e IRA-s irlandeze, ETA-s baske, PKK-së kurde apo PLO-së palestineze. Jo, lëvizja e Thaçit do të jetë diçka unike.

Kësisoj, sipas librit, Thaçi ishte nismëtari i UÇK-së, zëri i saj, truri i saj, ideologu i saj.

Sipas librit, historia e Thaçit është historia e Kosovës. Të gjithë të tjerët janë vetëm fusnotë në historinë e 25 viteve të fundit. Edhe kur të tjerët vriteshin në luftë, ata vriteshin nga forcat e errëta ngase kishin vendosur t’i qëndronin afër Thaçit. Kësisoj, në libër përmendet se si në Tiranë ishte mbytur me kaçavidë një “cimer” i Thaçit me emrin Ali. Sipas rrëfimeve të Thaçit, shënjestër kishte qenë vetë Thaçi, por në momentin e vrasjes ai gjendej në burgjet e Sali Berishës. Në krejt këtë ngjarje, “Alia” është vetëm një fusnotë, një i pafat i cili u sakrifikua ngase po qëndronte afër Thaçit. Atij as nuk i përmendet mbiemri në libër.

Njësoj, sipas librit, ishte Thaçi ai i cili i vetëm rezistoi dhe negocioi me një aftësi të paparë në Rambuje. Edhe pse ishin mbi 20 persona të cilët përbënin delegacionin e Kosovës në Rambuje, të gjithë të tjerët ishin një fusnotë në tërë procesin negociator. Si lider i delegacionit, 30 vjeçari nga Buroja ishte ai i cili me një shkathtësi të paparë arriti që të imponojë qëndrimin e tij ndaj diplomatëve më të rryer të kancelarive perëndimore. Sipas autorëve, në Rambuje e tërë barra e Kosovës ishte mbi supet e Hashimit. Anëtarët e tjerë të delegacionit ishin disfatistë, të cilët nuk besonin se Kosova mund të nxjerr edhe të drejtën e referendumit në Marrëveshjen e Rambujesë. Thaçi ishte aq i jashtëzakonshëm në Rambuje, saqë zyrtari e Departamentit Amerikan të Shtetit James Rubin i kishte thënë se mund të dilte një material mjaft interesant për një skenar hollywoodian.

Natyrisht, për t’i lënë vend si i vetëm në lidership, autorët e librit kujdesen që rolin historik të Ibrahim Rugovës ta shndërrojnë në atë të një frikacaku disfatist, pijaneci kronik, depresiv e ankthioz i cili shtangej nga presioni, i cili zgërdhihej në takim me Sllobodan Millosheviqin dhe i cili ditët e fundit të luftës së Kosovës dhe javët pas çlirimit i kaloi në një vilë në Romë të Italisë. Madje pas luftës, kur Thaçi po përpiqej të ndërtojë një shoqëri multietnike, ishte Rugova ai që i kishte sugjeruar UNMIK-ut që serbët nuk kanë çfarë të kërkojnë në Prishtinë, “i kanë të gjitha në Graçanicë”.

Pasi nxori një marrëveshje historike në Rambuje, Thaçi iu rrek detyrave të reja. Me një telefon satelitor të NATO-s, ishte Thaçi ai i cili në komunikim të drejtpërdrejtë me liderët botërorë i informonte për ngjarjet në terren. Pas luftës, sipas autorëve të librit, ishte Thaçi ai i cili siguroi çarmatosjen e UÇK. Ishte Thaçi ai i cili madje edhe dizajnoi stemën e TMK-së, për të cilën insistoi që të mos ishte me shqiponjë dy krenare, por me hartë që të mund të përfaqësonte edhe minoritetet. Aq profetik ishte Hashim Thaçi, saqë emblema e ideuar nga ai për logon e TMK-së, do të ishte baza për flamurin e Kosovës tetë vite më vonë.

Ishte Thaçi ai që iu drejtua masave në trazirat e marsit të vitit 2004; ishte ai i cili i kontribuoi paqes dhe arritjes së armëpushimit në konfliktin e Maqedonisë. Ishte Thaçi i cili suksesshëm krijoi aleancë me tri administrata të ndryshme amerikane dhe është në rrugë të mirë për të ruajtur një aleancë të tillë edhe me administratën e katërt.

Madje, ishte Thaçi ai i cili përshpejtoi hyrjen e Shqipërisë në NATO. Shih për këtë, Thaçi është në teh të sulmeve të ndryshme nga Beogradi dhe Moska. Hashim Thaçi është pengesa kryesore e Vladimir Putinit për shtrirjen e influencës ruse në Ballkan. Sipas Moskës, Thaçi është një dishepull i palëkundur i Perëndimit. Për Rusinë, Hashim Thaçi është një “atlanticist” – mik i ngushtë i atyre politikanëve amerikanë të cilët kundërshtojnë fuqishëm politikën e Putinit. Për këtë rol të tij, Serbia dhe Rusia përpiqen që me çdo kusht ta diskreditojnë. Në funksion të kësaj është edhe raporti i Dick Martyt, i cili hedh hije të zezë mbi figurën e pastër të Thaçit.

I mishëruar me filozofinë e Churchillit, Thaçi mësoi edhe artin e durimit në politikë, duke mos ngarendur me çdo kusht pas pushtetit, ashtu siç bëjnë politikanët ballkanikë. Për këtë arsye, ai nuk iu bind lutjeve të amerikanëve që të përfshihet në një koalicion të gjerë qeverisës pas vdekjes së Rugovës. Në vend të kësaj ai ndërtoi një kabinet në hije dhe fitoi zemrat e votuesve.

Tani, Hashim Thaçit i ka mbetur të fitojë edhe betejën e katërt dhe të fundit, pasi që ka fituar tri betejat e tij të para. Beteja e parë e tij ishte se si të bind kosovarët se rezistenca paqësore dhe disfatizmi i Rugovës nuk mund ta mposhtin Millosheviqin, por duhet një kryengritje e armatosur. Pasi që kishte hartuar ideologjinë dhe i kishte vënë trurin dhe strukturën e UÇK, beteja e dytë e Thaçit ishte se si të fitohej lufta guerile. Pas mposhtjes së armikut, beteja e tretë e Hashimit ishte krijimi i një shoqërie tolerante mes komuniteteve. Tani, pas tërë këtyre betejave të fituara, ai është në rrugë të mbarë për ta fituar edhe betejën e katërt dhe të fundit të tij, sigurimin e njohjeve për Kosovën dhe anëtarësimin e Kosovës në organizatat më të mëdha ndërkombëtare. Sipas librit, gjithçka në Kosovë është e Hashim Thaçit. Ishte rezistenca e tij, lufta e tij, ushtarët e UÇK-së janë pasuesit tij, paqja e tij, shteti i tij.

Ky libër me 320 faqe i cili hiperbolizon figurën e Thaçit, duket aq qesharak sa i ngjan batutave me Chuck Norrisin. Andaj, këshillohet që të lexohet si i tillë. Është për të ardhur keq që edhe 18 vite pas luftës, nuk ka një dokumentim të saktë të viktimave dhe dëmeve të luftës. Në vend se institucionet shtetërore të ndajnë buxhet për të dokumentuar zhvillimet në historinë e viteve të fundit të Kosovës, liderët shtetërorë ngarendin për të shkruar e lustruar historinë e tyre personale, kuptohet duke shtrembëruar fakte, injoruar çdo veprimtar tjetër dhe duke thurur legjenda për veten.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Astrit21/02/2018 10:24

E gjithë kjo do të ishte temë ideale për filma vizatimorë të Walt Disney. Do të ishte qesharake tejmase për fëmijë të mbarë botës, por, fatkeqësisht, për ne është shumë tragjike. Edhe ne në Kosovë* jemi pjesë e "historisë"......jetojmë në një laborator për eksperimente politike nga të paditurit. P.S. Recension i shkurtë dhe profesional.

Qemaji20/02/2018 15:07

Ky liber mund te jetë shumë intetesant për te huajt, por jo per neve qe jetomë ne Kosovë dhe e dimë te verteten ma mirë se qdo kush tjeter. Ku President i vet shpallur me siguri ka paguar një shumë te madhe parash te taxapaguesve te Kosoves per ketë liber per ta formuluar sipas deshires se vetë e me krejt te pa verteta. Ne te gjithë e dimë se kush ka qenë ne krye te PDK-s qe kur kanë ndodhur me qindra vrasje te pas luftes dhe likuidimi i personave politik vete e vetem per te qenë i vetem ne pushtet dhe pa konkurenz, duke i bler votat ne te gjitha votimet, pse Kosova asht shteti ma i koruptuar ne botë mund te them, jo qe ka korupsion ne Kosovè por e gjithë shteti ashtë i koruptuar, pse Kosova ashte e izoluar, pse Kosova ashte vendi pa asnji perspektiv per te ardhme, pse Kosove ashtë me keq se kur ma parë, e shumë e shumë te kqija qe i kanë ndodhë Kosoves se pas luftes, per te gjitha ashtë pergjegjes ky President i vet shpallur me vota te koruptuara. Ketë person do i kisha krahasuar me Gadafin, me Asadin dhe pse jo edhe me Enver Hoxhen. Nese dikush duhet te denohet per tradhti shtetrore dhe kombëtar ka vetem nji emer Hashim Thaqi.

Dritani20/02/2018 10:45

Do te ishte qenesore te dihej sa ka kushtuar ky liber. Sa para kane marre keta puthadores qe kane qelbur letren e paster, duke shkruar per nje qelbesire, tradhtar dhe shkaterrues te permasave mbarekombetare. Para se gjithash te dihet nga erdhen parate per liber: nga taksat tona, nga vellezerit e tij, nga cila kompani, nga cili person apo cili shtet. Kjo do duhej te jete teme sidomos per prokurorine.

Shto koment

Tjera nga Agron Demi