OpEd

Testimi i realitetit të dialogut

Takimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të jetë një test i vërtetë për të parë se ku qëndron dialogu. Ata nuk janë takuar që nga shtatori i vitit të shkuar. Nëse ky takim është vetëm sa për të arsyetuar rrogën e Miroslav Lajçakut dhe për të lënë përshtypjen se Serbia dhe Kosova janë konstruktive në dialog, atëherë nuk duhet pritur ndonjë kthesë në proces, i cili është pothuajse i vdekur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për herë të fundit ishin takuar më 14 shtator të vitit 2023 në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ritmi i takimeve të nivelit të lartë është një lloj dëshmie se sa i suksesshëm apo i pasuksesshëm është ky proces. Sidomos kur vetë lehtësuesit thonë se shumë çështje nuk mund të lëvizin pa u marrë vesh në takimet e nivelit të lartë në dialog. Dhe takimi i fundit i nivelit të lartë ishte një katastrofë e vërtetë. Në atë takim nuk pati pajtim për një plan të sekuencimit të hapave që duhet të ndërmarrin palët në procesin e implementimit të marrëveshjes.

Sipas lehtësuesve, përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, dhe të dërguarit të posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, atë plan e kishte refuzuar Kosova. Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte akuzuar lehtësuesit e BE-së se në takim kishin paraqitur qëndrimet e Serbisë si propozime të BE-së dhe nuk kishin qenë të paanshëm. Prej atëherë raportet e Kosovës dhe të lehtësuesit të BE-së kanë qenë të acaruara. Lajçak prej atëherë interesohej më shumë që të merrte mbështetje nga vendet anëtare të BE-së për punën e tij, sesa të kryente ndonjë punë. Jo vetëm se nuk u arrit asnjë pajtim në dialog, asnjë përparim, por raportet mes Kosovës dhe Serbisë u acaruan edhe më shumë.

Ato erdhën deri afër shpërthimit të luftës. Nga Serbia në Kosovë hyri një grup paramilitar që organizoi një sulm, të cilin edhe vetë përfaqësuesi i BE-së, Borrell, e quajti terrorist. Por përderisa e konsideroi sulm terrorist, e njëjta BE bëri maksimumin që Serbia të mos ketë asnjë pasojë për këtë. Dhe në fund në BE, në Raportin e Progresit ai sulm u cilësua si një “operacion i madh i trafikimit të armëve”. Edhe thirrjet ndaj Serbisë që të nxjerrë para drejtësisë ata që kryen këtë sulm mbetën pa u  përfillur dhe Serbia nuk pati asnjë pasojë. Dhe akoma mungesa e veprimeve të BE-së arsyetohet me dështimin e Kosovës që të dërgojë një raport final për atë që ka ndodhur.

Në anën tjetër kanë vazhduar për një vit sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të mbështetura në masë, e edhe të nxitura nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, e ndaj Serbisë asnjë masë. Edhe kjo dëshmon se vërtet BE-ja dhe Borrell e Lajçak janë shumë të ashpër ndaj Kosovës e aspak ndaj Serbisë.

Javën e shkuar i dërguari i posaçëm për dialog, Miroslav Lajçak, ishte në Kosovë dhe në Serbi dhe duket se në ato vizita ka arritur t’i bindë palët që të vijnë në një takim të nivelit të lartë të mërkurën, më 26 qershor, në Bruksel. Ai pas takimeve në Prishtinë tha se “kanë diskutuar për hapat e radhës në dialog”, ndërsa pas takimit me presidentin e Serbisë, Lajçak tha se “janë pajtuar për hapat e radhës në dialog”. BE-ja është e njohur si organizatë që e mat mirë secilën fjalë. Edhe Lajçak i takon kalibrit të diplomatëve që e matin secilën fjalë.

A dëshmon ky dallim në porosi pas takimeve në Prishtinë dhe Beograd se vërtet Lajçak më lehtë “pajtohet” me qëndrimet e Beogradit sesa me ato të Prishtinës, është një pyetje legjitime. Sepse autoritetet e Kosovës disa herë janë ankuar se BE-ja nuk është e paanshme dhe neutrale në dialog, pasi ka më shumë kuptim për kërkesat e Serbisë. Kjo ka qenë arsyeja pse Kosova edhe e kishte refuzuar planin e sekuencimit të hapave për zbatimin e Marrëveshjes. Sepse Kosova mendon se vendosja e themelimit të Asociacionit si hap i parë dhe kryesor shkon në favor të Beogradit, duke i lënë hapësirë Serbisë që të mos e zbatojë pjesën e saj të detyrave nga pikat e tjera të marrëveshjes. Në këtë mënyrë BE-ja ka kontribuar vetë që Marrëveshja të vendoset në pikëpyetje, pasi nuk ka reaguar ndaj sjelljes së Serbisë, e cila edhe me fjalë, edhe me letra, edhe me vepra ka bërë të qartë se nuk e ka ndërmend të zbatojë të gjitha pikat e Marrëveshjes, përfshirë edhe ato të cilat janë kryesoret për Kosovën, si respektimi i territorit dhe moskundërshtimi i anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Këto me shumë sukses i ka penguar Serbia dhe nuk ka pasur asnjë qortim, as nga BE-ja e as nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pos konstatimeve se të dyja palët nuk po i zbatojnë obligimet e tyre.

Tash ky takim do të jetë një test për të parë nëse ka apo jo marrëveshje dhe për të parë se ku qëndron dialogu. Ata nuk janë takuar që nga shtatori i vitit të shkuar. Nëse ky takim është vetëm sa për të arsyetuar rrogën e Miroslav Lajçakut dhe për të lënë përshtypjen se Serbia dhe Kosova janë konstruktive në dialog, atëherë nuk duhet pritur ndonjë kthesë në procesin, i cili është pothuajse i vdekur. Apo përfundimisht do të bëhet e qartë se duhet pritur pasardhësit e Lajçakut dhe Borrellit në BE për të parë se si do të shkojnë tutje dialogu dhe procesi i normalizimit të raporteve.

Mund të ndodhë që takimi pas dhjetë muajsh të pasohet me pritje prej dhjetë muajsh të tjerë për takim të radhës. Ajo që duket se mund t’i motivojë palët që të jenë më konstruktive është edhe kushtëzimi i parave nga Plani i Rritjes Ekonomike në Ballkanin Perëndimor me angazhimin konstruktiv në dialog nga ana e Kosovës dhe e Serbisë. Por nga rezultati i takimit të së mërkurës do të shihet se a mund ta shpëtojnë Lajçaku dhe Borrelli atë që e quajnë sukses të tyre, e ajo është Marrëveshja “për rrugën drejt normalizimit” dhe Aneksi i zbatimit të saj nga Ohri.