OpEd

Vera dhe rrëshiqet

Veshtrime

Politika që sot udhëheq vendin, e ardhur në pushtet nëpërmjet këtyre metodave, është e majtë në ide, por tejet e pabarabartë ndaj kërkesës shoqërore dhe paranoide me institucionet e pavarura. Nëse politika e vjetër që kemi lënë pas do të karakterizohej si deformuese e demokracisë, politika e re (e VV-së) do të kishte m`u emëru si malicioze në raport me demokracinë, pasi kjo duke mos e pranuar pavarësinë e pushteteve të tjera, i shpall të pamoralshme ato dhe i dënon nëpërmjet propagandës

Rrëshiqi është lëkurë keci apo qengji e përpunuar si enë që të ruajë në vete ujin apo verën. Në traditën e popujve nomadë ka pasur një rregull se si ruhet vera në rrëshiqe; ajo e sapobëra, e reja, nuk futej kurrë në enët e vjetra, pra në rrëshiqet që kishin mbajtur verën e vitit të kaluar, pasi fortësia e verës së re dhe fermentet e saj do t`i shqyenin ato. Vera e re në rrëshiqe të ri.

Nuk kam parë ndonjëherë rrëshiq e aq më pak të kem pi verë prej tij, por e sjella këtu për çështje simboli. Për të paralelizuar një rrethanë të re shoqërore me të cilën po përballemi. Ratzingeri e quan simbolin anën e këtushme, të përputhshme me realen apo më mirë me thënë me idealen, por që ndërtohet me mjetet tona.

Rrëshiqet janë metoda kurse vera është politika! Ka prej atyre që nuk e pranojnë ndërrimin e metodës, për shkak se ajo një herë ka dhënë rezultat. Ka edhe asi që nuk njohin metodë tjetër, për shkak të injorancës dhe kështu e vrasin dellin dialektik të politikës. Politika e re (për kah mosha dhe metodat) ka rreth pesëmbëdhjetë vjet që ka rrëmihë mbi themelet e politikë së vjetër nëpërmjet metodave radikalisht të ndryshme prej atyre që janë përdorur deri më atëherë. Ndërtimi i imazheve nëpërmjet inxhenieringut propagandistik; deflamimi i të vërtetave nëpërmjet përmbysjes së figurave; popullizmi; gjuha e urrejtjes dhe deklamimi i zgjidhjeve të lehta për probleme komplekse janë disa prej instrumenteve që korpusi metodologjik i politikës së re i ka përdorur ndër ne dhe vazhdon ta bëjë një gjë të tillë edhe tash.

Politika që sot udhëheq vendin, e ardhur në pushtet nëpërmjet këtyre metodave, është e majtë në ide, por tejet e pabarabartë ndaj kërkesës shoqërore dhe paranoide me institucionet e pavarura. Nëse politika e vjetër, që kemi lënë pas, do të karakterizohej si deformuese e demokracisë, politika e re (e VV-së) do të kishte m`u emëru si malicioze në raport me demokracinë, pasi kjo duke mos e pranuar pavarësinë e pushteteve të tjera, i shpall të pamoralshme ato dhe i dënon nëpërmjet propagandës. Politika e vjetër ishte primitive dhe shpeshherë brutale, kjo e reja në pushtet është deluzive dhe antikapitaliste!

Për ta ligështuar çdo mendje kundërshtonjëse, VV ka zgjedhur hipernacionalizmin si metodë dehëse, e cila e mbyll çarkun e lavdishëm të “dinjitetit” kombëtar dhe e hyjnizon atë, kurse në anën tjetër e shtrëngon çengelin në fytin e lirisë së fjalës dhe kundërshtisë.

A mund të ndalet një shpërfytyrim i kërkesave shoqërore dhe i nevojës për progres, por edhe shpresës te politika e re, duke e mundur politikisht VV-në, por pa politikën e vjetër dhe metodat e saj!? Sigurisht që po! Pasi politika e vjetër nuk mund t’u adoptohet metodave të reja, e për pasojë as t`i përmirësojë ato, ajo është e destinuar të asfiksohet prej vrullit kaotik që prodhon VV me metodat e saj. Duhet verë e re në rrëshiqe të ri. Për të ndodhur kjo, eshaloni politik që qëndron përballë pushtetit të sotëm duhet të dekostruojë shumë prej mekanizmave me të cilët e ndërton kauzën, por edhe e përfaqëson atë: duke rritur pavarësinë e elitës politike në politikëbërje nga mekanizmat burokratikë partiakë; duke rritur shpejtësinë e vektorit në përcjelljen e informacionit te qytetari dhe ta kapilarizojë atë informatë sa më shumë; duke u liruar nga kompleksi i ruajtjes me çdo kusht të votuesit militantesk; duke shpërfaqur sa më shumë kauza komunitare; duke shfryrë tullumbacen nacionaliste pa ekuivokë. Dhe shumë risi të tjera metodologjike që e lidhën kauzën, komunitetin dhe Republikën, si një trekëndësh vetëgjenerues.

Populli i Kosovës, shoqëria kosovare nuk kthehet mbrapa në synimet e saj, që është mbyllja e një cikli politikëbërës dhe hapja e një tjetri, për t`i dhënë shtytje zhvillimit. Problemi qëndron tek ofertat që qëndrojnë para saj. VV-ja ka arritur ta kapë në fillesë nervin e kërkesës shoqërore. Për hesapin tim, ajo është krejtësisht larg ta materializojë kërkesën shoqërore, përkundrazi nëse vazhdon të qëndrojë në pushtet, ajo do të bëhet pengmarrësi më i rrezikshëm i së ardhmes së Republikës. Por kjo nuk varet vetëm nga ajo. Do të varet edhe prej thesarit politik që qëndron përballë saj dhe adoptimit që ai do ta bëjë! Në të kundërtën, shoqëria do të gjejë partnerë të rinj.