Në 17 shkurt 2008 Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Ishte një ditë plot hare dhe shpresë për një popull që vuajti nga mizori të tilla si spastrimi etnik, gjenocidi dhe përdhunimi nga forcat serbe gjatë Luftës së Kosovës.
Kosova tani njihet ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete dhe është bërë anëtar i disa organizatave ndërkombëtare. Gjatë kësaj kohe ajo gjithashtu është konsoliduar si një nga demokracitë më funksionale dhe më vibrante në Ballkan.
Por Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe serbët etnikë që jetojnë në veri të vendit e kanë refuzuar në masë të madhe autoritetin shtetëror të Prishtinës. Kështu, në vitin 2011, BE-ja dhe SHBA-ja i përfshin të dyja vendet në kornizën e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve të ndërmjetësuar nga BE.
Bisedimet fillimisht dhanë rezultat dhe u nënshkruan disa marrëveshje që u vlerësuan si historike. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, për shembull, përcaktoi kushtet për decentralizim në shkallë të gjerë të veriut të Kosovës dhe i hapi rrugën Kosovës për anëtarësim në BE.
Por, që atëherë, gjuha e paqartë, mungesa e mekanizmave dhe e besimit midis Kosovës dhe Serbisë ka bërë që këto marrëveshje të mos implementohen.
Tërheqja e Serbisë në Perëndim
Ndërprerja e dialogut është shfrytëzuar nga Serbia për të minuar pozitën e Kosovës si shtet sovran. Serbia ka forcuar strukturat e saj paralele, një grup institucionesh të drejtuara nga Beogradi në veri të Kosovës, ka lobuar kundër përpjekjes së Kosovës për t'u anëtarësuar në UNESCO dhe Interpol, si dhe ka orkestruar një fushatë agresive të tërheqjes së njohjeve të pavarësisë së Kosovës.
Në vend të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, duket se dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja është kthyer në një mekanizëm për të normalizuar marrëdhëniet e perëndimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Të shqetësuar për potencialin e Serbisë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, Brukseli dhe Uashingtoni kanë aplikuar një qëndrim disi të butë ndaj Vuçiqit, duke synuar ta largojnë Serbinë nga ndikimi i Rusisë. Lufta e Rusisë në Ukrainë dhe implikimet e saj të mundshme për sigurinë në Ballkani, ku Serbia është një aleat i vjetër i Moskës, në kundërshtim me çdo pritshmëri ka përforcuar këtë qasje e cila synon akomodimin e Serbisë në aleancën perendimore.
Përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të shtrirë kontrollin shtetëror në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës janë kritikuar nga BE-ja dhe SHBA-ja si të pakoordinuara dhe destabilizuese. Para rreth dy javësh, Banka Qendrore e Kosovës kufizoi të gjitha transaksionet në para të gatshme kudo në vend në euro, duke ndaluar efektivisht dinarin serb.
Por, qasja akomoduese e BE-së dhe SHBA-së ndaj Serbisë duket se i ka dhënë hapësirë presidentit Vuçiq të intensifikojë përpjekjet e tij për të minuar Kosovën. Serbia ka përdorur serbët e Kosovës që jetojnë në veri për të nxitur tensionet dhe për ta bërë veriun të paqeverisshëm nga Prishtina.
Në qershor të vitit 2023, tre policë kosovarë u arrestuan nga forcat serbe të cilët i akuzuan për kalim të paligjshëm të kufirit. Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u rritën ndjeshëm në shtatorin e kaluar kur një grup i armatosur rëndë ndërmori një sulm në veri të Kosovës, duke lënë të vdekur një polic kosovar dhe tre paramiliatarë serbë. Milan Radoiçiq, politikan serb i lidhur me Beogradin, ka pretenduar se ai ishte organizatori i vetëm sulmit.
Komuniteti ndërkombëtar e dënoi sulmin dhe bëri thirrje për hetime të mëtejshme dhe për t'i vënë përgjegjësit përpara drejtësisë. Megjithatë, ende nuk ka pasur ndonjë vlerësim zyrtar publik nga vendet partnere për sulmin dhe as nuk janë vendosur sanksione ndaj Serbisë. Ndërkohë, BE-ja po mban në fuqi sanksionet ndaj Kosovës, duke e akuzuar qeverinë se nuk ka ndërmarrë hapa për të zbutur krizën në komunat me shumicë serbë në veri.
Prioritete të tjera
Kjo qasje e Perëndimit ndaj dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka gjasa të vazhdojë edhe në vitin 2024. Megjithëse Perëndimi duket se e ka humbur durimin me qasjen autokratike të Vuçiqit në Serbi, për Brukselin dhe Uashingtonin nuk duket se ka ndonjë alternativë më të mirë sesa vazhdimi i bashkëpunimit me Beogradin. Presidenti Vuçiq perceptohet në perëndim si dikush me legjitimitet të mjaftueshëm popullor për t'u shitur serbëve një zgjidhje përfundimtare me Kosovën.
Shqetësimet e Kosovës për qasjen aktuale ndaj dialogut janë legjitime duke parë veprimet e Serbisë në të kaluarën. Por, Kosova nuk ka shumë hapësirë për manovrim. Numri i njohjeve të pavarësisë ka ngecur në vend. Në fakt, Izraeli është i vetmi vend që ka vendosur lidhje diplomatike me Kosovën në gjashtë vitet e fundit.
Ndalimi i Serbisë nga rrëshqitja e mëtejshme drejt autokracisë do të ishte alternativa më e mirë për arritjen e paqes, stabilitetit dhe përmbajtjes së ndikimit të Rusisë në Ballkan. Por kjo do të kërkonte kohë dhe një rishikim total të formatit aktual të dialogut.
Malore e vështirë për Kosovën
Me luftën në Ukrainë dhe konfliktin Izrael-Hamas që vendosin nën presion burimet ushtarake dhe financiare të perëndimit dhe tensionin politik në rritje mes fuqive, Brukseli dhe Uashingtoni do të kërkojnë të shuajnë çdo flakë të mundshme në Ballkan. Ka të ngjarë që administratat aktuale në SHBA dhe BE ta shtyjnë Kosovën të dorëzohet ndaj kërkesave të tyre dhe t'i japin presidentit Vuçiqit në këmbim diçka me të cilën ai do të ishte i lumtur.
Prishtina tashmë ka rënë dakord për një formë të vetëqeverisjes për serbët e Kosovës. Dhe, me zgjedhjet për Parlamentit Evropian dhe ato presidenciale në SHBA në horizont, ku partitë anti-establishment duken në rrugën e duhur për fitore të rëndësishme, udhëheqësit aktualë në perëndimit mund të nxitojnë të arrijnë një marrëveshje të papërsosur midis Kosovës dhe Serbisë.
Ekziston gjithashtu mundësia që BE-ja dhe SHBA-ja ta gjejnë veten të mbërthyer në menaxhimin e krizave të tjera botë nëse lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme vazhdon të shkaktojë valë tensionesh përtej kufijve të tyre. Kështu, Kosova mund të gjendet në pozitën e vështirë mes përmbushjes së kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare për t'u dhënë më shumë sovranitet serbëve të Kosovës dhe një braktisjeje të mundshme nga partnerët e saj nëse nuk i përmbush kërkesat e tyre.
Sido që të zgjedhë, konsolidimi i shtetësisë së Kosovës do të mbetet një malore e vështirë.
(Analizë e botuar nga media britanike The Conversation)