Vështrime

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftërat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një pjese të mirë të popullsisë së botës. Në kuptimin e sigurisë, pikënisja e vitit 2024 mund të jetë 7 tetori i vitit të kaluar kur u rindez konflikti i përgjakshëm në Lindjen e Mesme apo 24 shkurti i vitit 2022, kur Rusia vendosi ta pushtojë Ukrainën. Këto dy konflikte të mëdha i kanë sjellë një ndarje të re botës.

Pas pushtimit të Ukrainës, Perëndimi udhëhoqi një shumicë shtetesh në Kombet e Bashkuara, që dënuan agresionin e pashembullt rus. NATO-ja rifitoi arsyen e ekzistencës së vet, përshtati konceptin e strategjisë dhe zgjeroi perimetrin e sigurisë në Evropë duke mikpritur anëtarë të rinj. Elementi më befasues i historisë ishte përgjigjja e BE-së. Historia e paketës së sanksioneve ndaj Rusisë, përqasja politike me afrimin e Ukrainës në tryezën e bisedimeve për anëtarësim në BE, ndihma ekonomike dhe ushtarake ndaj saj është dëshmi e unitetit të BE-së, përtej pritshmërive të zakonshme.