OpEd

Shekullori Henry Kissinger, leksionet e mëdha që ka lënë si trashëgimi

: Mjerisht klima politike aktuale nuk inkurajon shfaqjen e liderëve si Kissingeri. Libri i tij kushtuar “udhëheqjes” tregon rëndësinë që ka ndërtimi i konsensusit për çështjet kryesore. Një udhëheqës politik nuk mund të zhvillojë një vizion që i jep statusin e një burrë shteti, duke postuar në Twitter apo Facebook. Përkundrazi, siç shkruan Kissinger, udhëheqësit lindin nga studimi i kujdesshëm i historisë. Të gjitha demokracitë vuajnë nga e njëjta sëmundje: Një klasë politike e varfër intelektualisht, e cila është më e fiksuar pas sondazheve dhe rrjeteve sociale sesa nga një vizion për shoqëritë e tyre

Më 27 maj Henry Kissinger e festoi ditëlindjen e 100-të. Një jetë shumë e gjatë dhe me pasoja të jashtëzakonshme në dy botë shumë konkurruese të diplomacisë dhe të ideve. Pasi u largua nga Gjermania naziste, Kissingeri mbërriti në Shtetet e Bashkuara në vitin 1938, si një adoleshent i pasionuar pas librit, por pa ndonjë perspektivë të shpejtë në horizont.

Tridhjetë vjet më vonë ai do të udhëhiqte politikën e jashtme të SHBA-së, fillimisht si këshilltar për Sigurinë Kombëtare e më pas si sekretar shtetit i dy presidentëve, Richard M.Nixon dhe Gerald R. Ford.

Në vitin 1973, ai bashkëfitoi Çmimin Nobel për Paqe. Në katër vjetët e tij si sekretar i shtetit ai ndihmoi në dhënien fund të luftës më të diskutueshme të Amerikës, asaj të Vietnamit, e ndau Kinën nga Rusia dhe i rishikoi kufijtë e disa shteteve-kombe. Librat e tij, të mbushur me kërkime të kujdesshme dhe argumente të përpunuara, vazhdojnë të jenë në krye të listës së më të shiturve dhe tërheqin vëmendjen e liderëve dhe mendimtarëve anembanë botës. Edhe kur kanë kaluar disa dekada pas largimit të tij nga detyra, ai vazhdoi të konsultohej nga drejtorët ekzekutivë, kandidatët presidencialë apo analistët.

Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, e kryesuar nga një burrë tjetër i madh, një patriot dhe një nga njerëzit më të ndritur të establishmentit amerikan, John Hamre, organizoi një pritje për nder të Kissingerit për të festuar arritjet e tij të jashtëzakonshme. Hamre e filloi fjalimin e tij duke analizuar historinë e dekadave të fundit dhe gjurmën që la Kissingeri në të.

Së pari, ishte lufta e Vietnamit, një konflikt që kishte hyrë në një ngërç. Viti nisi me ofensivën e madhe të Tetit nga forcat e Vietnamit të Veriut, ku Shtetet e Bashkuara e mposhtën duke pësuar edhe vetë humbje serioze. Në shtator të po atij viti, Viet Kongu pushoi së ekzistuari si një forcë e veçantë luftarake, por kjo nuk do të thoshte asnjë fitore për Shtetet e Bashkuara. Sepse ushtria e Vietnamit të Veriut po bëhej një forcë gjithnjë e më vdekjeprurëse, me divizionet e saj të tankeve që ishin në zgjerim e sipër dhe me avionët sovjetikë dhe raketa antiajrore që ishin gjithnjë e më efektive. Për sa kohë që BRSS-ja dhe Kina e mbështetën Veriun, Shtetet e Bashkuara nuk mund ta mposhtnin kurrë atë.

Ai ngërç ishte i dukshëm dhe e përçau Amerikën. Protestat, si kundër luftës po ashtu edhe pro luftës, e ndanë kombin. Në televizor amerikanët panë rrënojat e djegura në Saigon dhe djegien e kartave në Seattle. Publiku ishte i lodhur nga lufta. Dhe ishte Kissingeri ai që i udhëhoqi bisedimet e paqes. Është e vërtetë që Vietnami i Jugut kapitulloi në vitin 1975. Por dy vjet më parë ushtria amerikane ishte në gjendje të realizonte një tërheqje të sigurt dhe mbi të gjitha me dinjitet.

Ndërkohë, ne i detyrohemi Kissingerit për politikën e famshme të frenimit të Bashkimit Sovjetik. Për herë të parë Shtetet e Bashkuara dhe BRSS-ja ranë dakord të ngadalësonin ndjeshëm garën e armëve bërthamore. Për pasojë, disa konflikte rajonale u shtensionuan. Lufta bërthamore u shmang dhe u kursyen miliona jetë njerëzish në Azinë Juglindore, Afrikën Jugore dhe midis ishujve të Paqësorit, pra, në çdo vend ku guerilët komunistë luftuan me shtetet pasuese të fuqive koloniale.

Për të forcuar pozicionin e Amerikës në Azi, administrata e Nixonit arriti një afrim diplomatik me Kinën kontinentale, nga e cila Shtetet e Bashkuara ishin distancuar që nga viti 1949, kur komunistët morën pushtetin. Për të vulosur marrëdhënien e re, Nixoni e zhvilloi një udhëtim spektakolar në Kinë në shkurtin e 1972-s.

Pas 6 tetorit 1973, zyrtarët izraelitë i telefonuan Kissingerit për t’i thënë se po përballeshin me një pushtim. Forcat egjiptiane po sulmonin në Gadishullin e Sinait, ndërsa ushtria siriane ishte në veri të Izraelit. Sapo kishte nisur e ashtuquajtura Lufta e Katërt Arabo-Izraelite. Nixoni e dërgoi Kissingerin për të negociuar me Izraelin, Egjiptin dhe Sirinë, dhe ndodhi ajo që hyri në histori si “diplomacia e anijes kozmike”. Në fund pati një paqe të re dhe këtë herë të qëndrueshme. Ajo u shërbeu disa interesave të rëndësishme amerikane: ndaloi ciklin e pushtimeve, ndaloi embargon nga shtetet arabe eksportuese të naftës dhe krijoi terrenin për një traktat historik paqeje midis Izraelit dhe Egjiptit (Marrëveshja e Camp David e presidencës Carter).

Kissingeri mund të jetë i vetmi fitues i Çmimit Nobel për Paqe, që ka siguruar më shumë paqe pas fitimit të çmimit sesa më herët. Këto suksese e bëjnë atë një diplomat me një staturë historike. Intensiteti dhe shtrirja e këtyre nismave diplomatike dhe suksesi i tyre – në kuptimin që të gjitha prodhuan marrëveshje – nuk kanë asnjë paralele në historinë amerikane dhe ndoshta as në historinë e Izraelit.

Me mrekullitë e tij në fushën e diplomacisë, Kissingeri la gjurmë në shekullin XX. Ndërsa e pranon se profetët kanë “vizionin më të pasionuar”, Kissingeri thotë se preferon më shumë shtetarët, pasi ata i njohin realitetet në terren dhe mund të shohin vlerë në përfitimet në rritje.

Mjerisht, klima politike aktuale nuk inkurajon shfaqjen e liderëve si Kissingeri. Libri i tij kushtuar “udhëheqjes” tregon rëndësinë që ka ndërtimi i konsensusit për çështjet kryesore. Një udhëheqës politik nuk mund të zhvillojë një vizion që i jep statusin e një burrë shteti, duke postuar në Twitter apo Facebook.

Përkundrazi, siç shkruan Kissinger, udhëheqësit lindin nga studimi i kujdesshëm i historisë. Të gjitha demokracitë vuajnë nga e njëjta sëmundje: Një klasë politike e varfër intelektualisht, e cila është më e fiksuar pas sondazheve dhe rrjeteve sociale sesa nga një vizion për shoqëritë e tyre.

Por ky është një problem, të cilin duhet ta marrin në konsideratë edhe mendimtarët që mendojnë sot për nesër: Si mund të vazhdojë Amerika ta udhëheqë botën pa liderë që mund të kombinojnë teorinë e lartë dhe pragmatizmin e bazuar, siç bënte Kissingeri?

(Marrë nga “Bota.al”).