Vështrime

Rrëfime të Hamamit

Dy rusë shikojnë akullin dhe flasin për Kosovën, Prometheu bëhet me brekë, një shtet i vogël shikon si të bëhet më i vogël dhe një filozof suedez që pret të flasë vitin e ardhshëm

1.

Përpara janë deti i ngrirë dhe akulli dhe prapa janë toka e ngrirë dhe akulli. Dy burra në moshë rrinë dhe shikojnë përpara, kah deti i ngrirë dhe akulli, duke ia kthyer shpinën akullit tjetër, atij mbi tokën e ngrirë. Të dy të moshuarit janë në veriun e skajshëm të Rusisë, aq të skajshëm sa mund të quhet fundi i botës. Janë duke i ngrohur trupin dhe shpirtin me një gotë vodke dhe duke qenë në fundin e botës bisedojnë për atë pjesë prapa tyre, për botën. Njëri rrëfen për vështrimin e tij rreth problemeve globale, rolin e Amerikës, krizën ekonomike, luftërat në Lindjen e Mesme, ngritjen e Kinës. Tjetri flet për Kosovën.