Vështrime

Si ata

Me marrëveshjen e 2013-s, Thaçi ia bëri Kosovës obligim ndërkombëtar themelimin e Asociacionit e Mustafa, në 2015-n, i firmosi parimet për të. Asnjëri s’e bënë Asociacionin. Edhe Kurti mund të mos e bëjë. Por, duke e pranuar draftstatutin, si ata po ia shton një detyrim plus Kosovës. Po e trashë dëmin

Besnik Bislimi është ende zëvendëskryeministër, dhe në këtë funksion udhëtoi për në Bruksel, ku shkoi edhe kryenegociatori serb, Petar Petkoviq, për të diskutuar në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Pra, shkoi si zëvendëskryeministër për të folur edhe mbi draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me përmbajtjen e të cilit kryeministri Albin Kurti është pajtuar në parim, paraprakisht.

Udhëtimi, duke e mbajtur postin, e bën Bislimin politikan të papërgjegjshëm. E bën prej atyre qeveritarëve, fjalën e të cilit nuk duhet marrë seriozisht. E bën Bislimin si ata. Pra, si ish-pushtetarët që për një dekadë tjetër gjë thoshin e tjetër gjë vepronin në dialogun me Serbinë.