Vështrime

Edi Rama është UFO

Në ditët e para të 2023-s, Shqipëria bëri historinë si vendi i parë i rajonit që lëshon në orbitë dy satelitë. Kjo tregon se kryeministri Rama është i obsesionuar me hapësirën. Por, kur të flasë për “shtetin vëllazëror”, për veriun e banuar kryesisht me serbë dhe për dialogun Kosovë-Serbi, nuk duhet të flasë si një UFO, si dikush që jeton jashtë orbitës. Sa më pak që flet për këto tema, aq më shumë i ndihmon Kosovës

Ditën kur kryeministri i Shqipërisë vuri gishtin mbi “butonin e sanksioneve” ndaj Kosovës duke kumtuar se shkaku i tensioneve në veri po e anulonte një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, dha një justifikim për vendimin. Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi, tha se nuk ekzistonin kushtet për ta bërë një mbledhje si UFO-t, shprehje kjo që e përdori për jashtëtokësorët. “Shqipëria nuk është UFO, të paktën”, tha me plot gojën Edi Rama, dhe përsëriti se qëndrimi i tij ndaj Kosovës është dhe do të mbetet në linjë me komunitetin euro-atlantik.

Këtë javë Rama tregoi se për herë të parë në 10 vjetët e fundit nuk është linjëzuar me BE-në, duke mos e mbështetur deklaratën që kritikon Kosovën, meqë mungoi një deklaratë pasuese për ta dënuar Serbinë për ditën e zisë që mbajti, në shenjë nderimi për terroristët e vrarë gjatë sulmit që i bënë Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.