Më shumë se njëzet orë pas konfliktit të përgjakshëm në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, publiku e priti fjalimin e presidentit të Serbisë. Kot. Aleksandar Vuçiq nuk iu përgjigj asnjë pyetjeje thelbësore, por në këmbim psherëtiu si martir dhe bëri pauza të gjata dramatike. Nga përbetimi se nuk do të ketë “Stuhi” dhe “Bljeskë” të re, përmes ngritjes teatrale të gatishmërisë luftarake, arriti në betimin e errët “se nuk do ta njohim kurrë Pavarësinë e Kosovës, edhe sikur të na vrasin të gjithëve”.
A e diçka më të lehtë se kjo serbët në Mitrovicë të Kosovës, Banjskë, Zubin-Potok dhe lokalitete të tjera? A mund të jetë edhe për këdo tjetër?
Gjakderdhja në Banjskë është ekskluzivisht në dëm të serbëve në Kosovë. Kur është kështu – e kështu është – çfarë bënë Vulin dhe Bata Gashiq? Grupi, i cili ka uniforma, disponon armë automatike, mjete komunikimi dhe dy maune, nuk është formuar për pasdite në kafene dhe as që organizon një aksion të tillë për gjysmë ore. Nuk dihet se çfarë është më e keqja në gjithë këtë: dështimi ose anashkalimi i shërbimeve, përkatësisht – rebelimi i vasalëve të tyre.
Dhe ku ishte Lista Srpska, zgjatimi i “naprednjakëve” (SNS) në Kosovë? A është e mundur që krerët e saj nuk dinin asgjë përkundër dominimit të tyre absolut mbi gjithë jetën politike dhe shoqërore të popullatës së atjeshme serbe?
Prandaj, është e hapur pyetja se cili ishte qëllimi i vërtetë i aksionit në Banjskë, pavarësisht nga çdo qëndrim zyrtar i Serbisë. Një përpjekje për të radikalizuar dhe vënë Vuçiqin përballë aktit të kryer? Demonstrim se ai nuk është më i vetmi që pyetet për veriun e Kosovës? Një paralajmërim i strukturave të fuqishme nga ajo zonë se çfarë do të ndodhë nëse rrezikohen? Ndoshta këtu ia vlen të kujtojmë video-mesazhin e vitit të kaluar të Milan Radoiçiqit të xhiruar në Kosovë: “Këtu jam. U ktheva. Dhe, ju e dini se çfarë do të thotë”.
Edhe diçka. Nuk diskutohet se Kurti mban përgjegjësinë më të madhe për përshkallëzimin e dhunës në Kosovë. Tani dikush nga pala serbe i doli në ndihmë, dhe pikërisht në atë terrenin që e dëshiron aq shumë. A mund të flitet për një komplot të errët me sakrificën e të gjithë pionëve -s’ka rëndësi nëse janë mercenarë apo kokëkrisur?
Vuçiqit duhet t’i besohet se Serbia nuk ka asnjë lidhje me Banjskën – asgjë për të nuk është e leverdishme. Megjithatë, kjo nuk ka për t’i ndihmuar shumë. Serbia është peng i demagogjisë së presidentit të vet, nga e cila lindën edhe grafitet “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”.
Pas kaq shumë luftërash televizive, nxjerrjesh haubicash, serbizimi tabloidesh dhe trimërive të tjera boshe, ashiqare se vjen kostoja për t’i paguar. Çmimin më të lartë të kësaj politike, si dhe më parë, e paguajnë serbët në Kosovë.
*Shkrimi është marrë nga: vreme.com. Përktheu: kdp.mk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.