Vështrime

Procesi i përshtatjes së një kryeministri

Këtij justifikimi i shërben retorika e kryeministrit të Kosovës, në ndërkohë që përshtatja në Ohër është fatale dhe pa kthim: nuk ka njohje, rihapet statusi karshi Serbisë, autonomia politiko-territoriale serbe nis e ndërtohet gradualisht, si pasojë e imponimit, jo pse diçka është pranuar në Ohër dhe kështu me radhë.

Kuptimi i përshtatjes

Përshtatja ose socializimi, siç emërtohet në literaturën e teorisë së marrëdhënieve ndërkombëtare, përbën një ndër konceptet kyç përmes të cilit përshkruhen konflikti, ndryshimi, konkurrenca dhe bashkëpunimi në marrëdhëniet ndërkombëtare, shkurt – sjellja shteteve. Teorizimi i këtij koncepti nis me Keneth Waltz dhe veprën e tij “Theory of International Politics” (1979). Ka qenë dhe ngelet teoria me fuqi më të madhe shpjeguese në marrëdhëniet ndërkombëtare, premisat e së cilës i shkoqisim shkurtimisht në vijim. Si e tillë, ajo bazohet, në rend të parë, në idenë se subjekt i vetëm i marrëdhënieve ndërkombëtare janë shtetet, aktorët e tjerë joshtetërorë janë periferikë. Së dyti, marrëdhëniet ndërkombëtare për nga natyra tyre janë anarkike - nuk ekziston një qeveri qendrore që kujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e anëtarëve të vet. Së treti, meqë nuk ka një qeveri qendrore, atëherë secili aktor i marrëdhënieve ndërkombëtare duhet të kujdeset për sigurinë dhe mirëqenien e vet. Së fundi, kjo përkujdesje vetjake shprehet përmes krijimit dhe akumulimit të forcës ushtarake, armatimit dhe krijimit të aleancave me të tjerët, me qëllim të adresimit të dilemave të sigurisë që krijohen në sistem - secili shtet armatosjen dhe aleancat e tjetrit i sheh si rrezik për sigurinë e vet dhe, për pasojë, këtë frikë e dilemë të sigurisë i adreson përmes armatosjes dhe ndërtimit të aleancave shtesë me qëllim përballimin e rrezikut të sigurisë. Këto premisa themelore fare nuk marrin parasysh faktorët ideologjikë, përkatësisht nëse një shtet ka sistem komunist, fashist, kapitalist, liberal dhe kështu me radhë. Ajo që çon peshë në përllogaritjet e kësaj qasjeje teorike konsiston në ushtrimin e rreptë të funksioneve për sa më sipër, gjithnjë me qëllim primar prodhimin e sigurisë fizike ekzistenciale për vetveten.