Vështrime

Kundër dembelisë elektorale të shqiptarëve të Zvicrës

Më 22 tetor në Zvicër do të mbahen zgjedhjet parlamentare. Pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e deritanishme në Zvicër ka qenë tmerrësisht e ulët. Kjo përtaci elektorale duhet të marrë fund. Dhe duhet të marrë fund menjëherë. – Një fjalë e mbajtur të dielën në Zürich në kuadër të debatit me tre kandidatë shqiptarë për anëtar të parlamentit të Zvicrës.

Pjesëmarrja në zgjedhje nuk është obligim. Mund të rrini në shtëpi, të pini kafe apo birrë – dhe derisa e bëni këtë, të tjerët vendosin për ju. Pastaj ju në katër vitet e ardhshme mund të vazhdoni të pini çfarë të doni, të bëni çfarë të doni, por të tjerët tashmë kanë vendosur për ju, por ndoshta jo duke marrë parasysh interesat tuaja. Mund të zemëroheni, mund të frustroheni, por kush do të bëhet merak për këtë – punë e madhe! Mund t’i bini fyellit!

Pjesëmarrja në zgjedhje është privilegj demokratik. Këtë privilegj dhe këtë të drejtë më 22 tetor në Zvicër e gëzojnë 5,5 milionë zgjedhëse dhe zgjedhës. Prej tyre – supozoj – janë disa dhjetëra-mijëra shtetas zviceranë me prejardhje shqiptare. Nga e kaluara e dimë: pjesëmarrja e shqiptarëve në zgjedhjet e këtushme është tmerrësisht e ulët.