Vështrime

Kosova fle mbi xehe, institucionet menaxhuese bashkë me të!

Kosova fle mbi xehe, institucionet menaxhuese bashkë me të!

13 miliardë tonë linjit, 59 milionë tonë plumb dhe zink, 13 milionë tonë nikel, 4.1 milionë tonë magnezitet dhe 2.7 milionë tonë boksit, vlerësohen të jenë rezervat nëntokësore të Republikës së Kosovës. Organi i përcaktuar me Kushtetutë për menaxhim të kësaj pasurie është Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale. Ky organ, përgjegjës për menaxhimin e 1 miliard dollarëve rezerva shtetërore aq sa edhe vlerësohet të jetë kjo pasuri, tashmë është më se i spikatur nga Zyra Kombëtare e Auditimit lidhur me menaxhimin joefikas të operimeve ilegale të shumë gurëthyesve, borxheve të shumta, dobësi në prokurim dhe realizim jo të mirë të buxhetit. Në të njëjtën kohë, sipas raporteve vjetore të KPMM-së, buxheti i aprovuar dhe shpenzuar ndër vite është rritur për 3.08% duke ndikuar kështu rritje të performancës së këtij institucioni.

Sot shqetësues është fakti që, pothuajse që më së gjysmë viti, kjo agjenci për një arsye apo tjetrën është duke frymuar pa bord drejtues: Qindra aplikacione të pashqyrtuara, miliona investime të bllokuara, miliona tonë rezerva të pashfrytëzuara! Sipas ligjit, kjo agjenci, si të gjitha organet e tjera të pavarura, duhet të raportojë në mënyrë të rregullt te Kuvendi lidhur me të gjitha aktivitetet e saj përfshirë çështjet e personelit të saj, organizimin dhe çështjet administrative. Me këtë rast, ku ishte Kuvendi kur gradualisht eksportuesit më të madh në Kosovë iu “fal” kjo shumë parash? Sa mund të jemi të sigurt që edhe në këtë moment institucionet tona nuk janë duke “dhuruar” shuma parash publike duke u treguar pa dashje “bamirëse” kur paralelisht një mori ndërmarrjesh ende kanë borxhe të papaguara? Beteja e famshme për llogaritjen “e me të lagët apo më të terur” me gjithë gjasat nuk do të jetë e fundit: Aktet nënligjore vazhdojnë të mbeten të njëjta! Sipas bordit, mbrapa kësaj akuze qëndrojnë disa deputetë të caktuar të cilët qëllimisht janë duke neglizhuar një dokument të nënshkruar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës.