Vështrime

Kujtim lufte 25 vjet pas (6)

Qielli i kaltër, pa re, me diell sikur të mos ishte. Kishte diçka në ajër, vështirë e përshkueshme. E, megjithatë, ishte vetëm fillimi i vjeshtës. Të thatë, por paralajmëruese e një dimri të acartë, pavarësisht këmbimit të zjarrit. Pavarësisht shkrumbimit të pashpirt të qindra katundeve gjithandej. Paralajmëruese e vdekjes

Qielli i kaltër, pa re, por jo me ndonjë diell që digjte. Ajri i ftohtë depërtonte në mushkri, të priste, si me thikë. Ishte muaji im, marsi. Dita e parë e pranverës. Pasi më në fund ia dolëm t’i bindnim shefat se duhej dalë në terren, tash thuajse na hakmerreshin duke kërkuar që të dilnim sa më shpesh në terren. Kërkonin informata nga dora e parë se cilat ishin dimensionet e asaj që po ndodhte. Ne e quanim luftë. Ata e quanin konflikt. Me qejf do ta quanin luftë civile, ashtu i kishin thënë katrahurës në Bosnjë. Por, nuk mundnin, sepse nuk ishte. Ishte sulm frontal nga të gjitha anët e një policie gjakpirëse ndihmuar nga banda paramilitarësh, kundër një populli që kishte vetëm një forcë të vogël guerilje dhe keq të armatosur, e që nuk mund ta mbronte.

Lufta e nisur në Drenicë menjëherë nisi të shkaktonte pasoja. Kishte shumë lëvizje njerëzish, kryesisht grash e fëmijësh. Të atyre për të cilët duhej përkujdesur UNICEF-i me mandatin që kishte. Por, të cilëve kishte shumë pak për t’u ofruar, sepse me vite ishte orientuar të jepte ndihmë profesionale e jo ndihmë të drejtpërdrejtë humanitare. Pas një kohe shumë të shkurtër e kuptuam se edhe vetë prezenca jonë në terren ishte njëfarë ndihme humanitare më vete: raportet që i përcillnim në zyrat qendrore në Gjenevë dhe Nju-Jork ishin pasqyrimi i përkeqësimit të situatës dita më ditë. Aq të mëdha ishin dallimet nga njëra vizitë në tjetrën, sa thjesht na linin në ngrirë, tek mendonim nëse mund të bëhej edhe më keq. E mund të bëhej. Dhe u bë.