OpEd

Shpëtimi i demokracisë së Polonisë

Diaspora e madhe polake në SHBA dhe në Evropën Perëndimore është e pozicionuar në mënyrë unike për të ndihmuar, së bashku me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar. OJQ-të e guximshme polake – të tilla si “Greva e Grave” (Women’s Strike) – po luftojnë në vijën e parë për t’i mbrojtur të drejtat e grave, nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga PiS. Ne duhet të përforcojmë zërat e tyre, si dhe zërat e komunitetit LGBT+ të kërcënuar gjithnjë e më shumë

New York– Zgjedhjet janë gjithmonë çështje me rrezikshmëri të lartë në vendet që përjetojnë hap prapa në demokraci. Kjo ishte e vërtetë për zgjedhjet e fundit presidenciale të Turqisë – të përshkruara si “të lira, por të padrejta”. Po kështu, kur polakët të shkojnë në zgjedhje këtë vjeshtë, vetë demokracia do të jetë në qendër të vëmendjes.

Që nga ardhja në pushtet në vitin 2015, partia populiste e Polonisë “Ligj dhe Drejtësi”(PiS) ka politizuar gjyqësorin, ka ngacmuar shoqërinë civile dhe ka punuar pa u lodhur për të nxjerrë jashtë biznesit mediat e pavarura. Ajo ka përfituar nga politika e frikës dhe ankesës, ka vënë përballë votuesit urbanë kundër zonave zgjedhore rurale dhe ka promovuar versionin e mitologjisë së historisë polake.

Në këtë kuptim, PiS ka ndjekur hapat e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe kryeministrit hungarez Victor Orbán, vendi i të cilit nuk mund të konsiderohet më as demokraci, megjithëse mbetet anëtare e Bashkimit Evropian. Dallimi është se udhëheqësi de fakto i Polonisë, Jarosław Kaczyński, ia ka lënë presidencën dikujt tjetër – Andrzej Duda – duke mbrojtur kështu ndikimin e tij nga shqyrtimi i fuqishëm.

Këto taktika mund të funksionojnë në Poloni, ashtu siç kanë funksionuar në Turqi dhe Hungari. Gjatë një udhëtimi të fundit në Poloni, u trondita nga toni ndonjëherë helmues antievropian – dhe, veçanërisht, antigjerman – i diskursit publik.

Në fund të fundit, vetëm votuesit e Polonisë mund të vendosin për të ardhmen politike të vendit të tyre. Por kjo nuk është arsye për vetëkënaqësi nga ana e komunitetit ndërkombëtar, veçanërisht nga demokracitë e botës. Autoritarizmi i plotë do t'i shkaktonte Perëndimit dëme të pallogaritshme, ndërkohë që lufta po vazhdon në Ukrainë, shtetin fqinj të Polonisë.

Një qeveri polake që i shmanget demokracisë, shtetit të së drejtës dhe unitetit evropian, do të inkurajonte forcat joliberale ngado, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, ku Donald Trumpi po udhëheq fushën republikane përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm.

Një fitore tjetër e PiS-it mund të dobësojë gjithashtu pozicionin e Polonisë si mburojë kundër planeve imperialiste të presidentit rus, Vladimir Putin. Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës vitin e kaluar, Polonia ka siguruar strehim për miliona refugjatë dhe ka shërbyer si kanali kryesor për furnizimet ushtarake perëndimore për forcat e armatosura të Ukrainës. Polakët mund të identifikohen me gjendjen e vështirë të refugjatëve, e cila kujton barbarizmin që pësuan nga nazistët, duke përfshirë shkatërrimin e Varshavës me urdhër të Hitlerit (ndërsa Ushtria e Kuqe, me urdhër të Stalinit, u ul në bregun përballë të Vistula dhe shikonte).

Qeveria e PiS-it meriton vlerësimin më të lartë për mbështetjen e saj për Ukrainën, e cila qëndron në kontrast të plotë me qëndrimin e qeverisë Orban “Hungaria për hungarezët” dhe përkrahjen groteske të Putinit. Por angazhimi i saj ndaj kësaj qasjeje mund të ketë kufijtë e tij. Në një përpjekje të dukshme për të siguruar votat e fermerëve, ajo njoftoi në prill se po ndalonte importet e drithit ukrainas, megjithëse duhet thënë se Bullgaria, Hungaria, Rumania dhe Sllovakia gjithashtu kanë ndaluar importin e drithit nga Ukraina, dhe të gjithë e kanë bërë këtë me bekimin e BE-së.

Për fat të mirë, SHBA-ja dhe BE-ja kanë disa leva që mund të përdorin për të parandaluar Poloninë nga kërcënimi i themeleve të rendit të pas Luftës së Ftohtë, duke përfshirë mbështetjen e dukshme të Polonisë në NATO për sigurinë e saj dhe BE-në për mbështetjen financiare. BE-ja duhet të miratojë një qasje konstruktive, por të vendosur ndaj qeverisë polake, të mbështetur nga zbatimi i kushtëzimit të sundimit të ligjit që u imponua në mbështetjen diplomatike dhe financiare si për Poloninë ashtu edhe për Hungarinë vitin e kaluar. Tashmë BE-ja ka mbajtur miliarda euro që supozohej të shkonin në Poloni.

Për më tepër, Gjykata Evropiane e Drejtësisë (ECJ) ka vendosur një gjobë masive ditore ndaj vendit – të reduktuar së fundi nga 1 milion € (1.07 milion dollarë) në 500 mijw € – për refuzimin e saj për të përmbushur kërkesat e BE-së për të ndryshuar reformat e tij gjyqësore të vitit 2019, të cilat ECJ-ja vendosi se e shkelin ligjin e BE-së. BE-ja duhet ta mbështesë këtë vendim me më shumë forcë institucionale dhe financiare. Rivendosja e pavarësisë së gjyqësorit është e panegociueshme.

Vlerat demokratike dhe humaniste – vlerat për të cilat populli ukrainas po lufton tani, me kosto të jashtëzakonshme – janë në zemër të rendit evropian të pas Luftës së Ftohtë. Për fat të mirë, shoqëria civile polake mbetet e fortë, me brezat e rinj – njerëz në të njëzetat dhe të tridhjetat e tyre – gjithnjë e më shumë duke udhëhequr luftën kundër shkatërrimeve të PiS. Ata janë të përkushtuar për të parandaluar kthimin e mëtejshëm demokratik dhe ruajtjen e vlerave evropiane, edhe nëse Kaczyński nuk është. Dhe ata meritojnë mbështetje më të madhe nga aleatët e tyre perëndimorë.

Diaspora e madhe polake në SHBA dhe në Evropën Perëndimore është e pozicionuar në mënyrë unike për të ndihmuar, së bashku me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar. OJQ-të e guximshme polake – të tilla si Greva e Grave (Women’s Strike) – po luftojnë në vijën e parë për t’i mbrojtur të drejtat e grave, nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga PiS. Ne duhet të përforcojmë zërat e tyre, si dhe zërat e komunitetit LGBT+ të kërcënuar gjithnjë e më shumë.

U takon polakëve të sotëm të marrin mantelin e punëtorëve të kantierit të anijeve në Gdansk, greva e të cilëve në vitin 1980 çoi në themelimin e sindikatave antiautoritare Solidariteti dhe të lëvizjes sociale, e cila përfundimisht rrëzoi sundimin komunist në Evropën Qendrore më 1989. Por miqtë e Polonisë gjithashtu duhet të mbështesin ata polakë që mishërojnë këtë frymë. Pa solidaritet, Polonia mund ta humbë demokracinë e saj.

(Kati Marton, Kryetare e Këshillit Këshillimor të Veprimit për Demokraci, është gazetare, aktiviste e të drejtave të njeriut dhe autore, së fundmi, e The Chancellor: The Remarkable Odyssey of Angela Merkel (William Collins, 2021). Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).