Vështrime

Kujtim lufte 25 vjet pas (3)

Atë që mbaj mend mirë nga ky vit ishte të ftohtët. Pavarësisht stinës në të cilën kalonim, unë përherë mërdhija. Dimrit po se po – kishte borë e ngricë. Në pranverë nuk shijoja as gjelbërim, as diell. Trupi më rrëqethej thuajse gjithë kohës e shpesh nuk mund të ngihesha frymë se më lidhej një nyje e madhe në fyt. Vazhdoi njësoj edhe në verë – nuk e hiqja dot xhaketën bezhë të linit me plot xhepa... thuajse më ishte bërë mburojë prej një ndjenje që më vinte prej brenda. Bënte ftohtë

Nuk e mbaj mend ditëlindjen time më 1998. Sinqerisht e dyshoj të më jetë kujtuar edhe mua se në atë ditë marsi po mbushja 35 vjet. Lufta kishte filluar. Unë bëja luftë me zyrtarët e organizatës sime, që të dilnim në terren për çdo ditë, kurse në mbrëmje kthehesha nga redaksia e KOHËS Ditore për të treguar se çfarë kisha parë gjatë ditës, ndërkohë që ndihmoja me redaktimin e teksteve që publikoheshin në portalin ARTA në gjuhën angleze.

Portali kishte nisur bashkë me luftën, ndërkohë që tekstet që përgatiteshin prej gazetarëve të KOHËS nga terreni, përktheheshin nga Donjeta Shushka, Valon Baraliu e Mimoza Dalipi. Nuk kishte natë që puna nuk e zinte mesnatën: e kishim me rëndësi që lajmet të mbërrinin sa më shpejt në botë.