Vështrime

Dokumentarë nga rajoni mbi median dhe gazetarinë që ia vlen t’i shohësh: Nga dallohet dokumentari i mirë?

Studiuesi dhe teoricieni i filmit, Bill Nichols, thotë se ka gjashtë lloje dokumentarësh - poetikë, ekspozues, reflektivë, vëzhgues, performues dhe pjesëmarrës - secili me karakteristikat e veta dalluese. Kjo ka të bëjë me mënyrën se si tregohet ngjarja apo historia nga autori. Një dokumentar poetik flet kryesisht me panorama apo imazhe, me pak intervista, ose pa intervista fare dhe pa rrëfim në sfond. Me fjalë të tjera, përgjegjësia bie mbi drejtorin e fotografisë, që të përzgjedhë imazhe interesante që e shtjellojnë vetë historinë. Dokumentari reflektiv krijon një marrëdhënie të drejtpërdrejtë midis krijuesit dhe publikut, ku autori luan një rol të veçantë si personazh në film. Dokumentari i autorit Dziga Vetrovs “Man with a Movie Camera” (Njeriu me kamera), i prodhuar në vitin 1929, mbahet si një nga krijimet e para dhe më të mira të zhanrit të dokumentarit reflektiv.

Dokumentarët vëzhgues janë deri diku të ngjashëm me dokumentarët poetikë, pasi fokusohen kryesisht në vëzhgimin e hollësishëm të subjektit, ndërsa rrjedha e pamjeve filmike dominohet nga filmimet e gjata, pa shumë ndërhyrje montazhi. Në dokumentarët performues regjisori e transformon filmin dokumentar në një performancë argëtuese. Zakonisht në këto raste autori ka një lidhje të ngushtë personale me temën dhe shpesh dokumentarë të këtij lloji paraqesin opinione dhe emocione të forta. Në dokumentarin pjesëmarrës autori paraqitet vetë si personazh, në vend që ta vëzhgojë ngjarjen nga larg. Dalin para kamerës dhe intervistojnë personazhet e dokumentarit. Nuk ushtrojnë ndikim direkt mbi temën, por paraqesin versionin e tyre të së vërtetës ose si e gjykojnë ata një situatë të caktuar. Një nga shembujt më të mirë të këtij lloji janë dokumentarët e krijuar nga Louis Theroux, një gazetar amerikano-britanik.