Vështrime

Ndershmëria mund ta çojë përpara procesin e paqes në Lindjen e Mesme

Për të qenë i qartë, nuk po e shpall një iniciativë evropiane të paqes. Në këtë fazë, ne thjesht po u qasemi të tjerëve dhe po shqyrtojmë se si mund të përgatitemi për ditën kur izraelitët dhe palestinezët të jenë të gatshëm. Mund ta afrojmë atë ditë duke e portretizuar një pamje më të qartë të asaj se si do të dukej paqja rajonale. Ndershmëria e kërkon që të shohim se nuk e kemi luksin për të pritur edhe më gjatë

Shumë njerëz po vdesin për çdo javë në Izrael dhe në territoret e pushtuara palestineze, ndërsa me miliona të tjerë po jetojnë në frikë dhe pa shpresë. Përgjigjja e botës është karakterizuar me shumë deklarime e pak veprime. Kjo duhet të ndryshojë. Ne në Bashkimin Evropian dhe në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar duhet të bëjmë më tepër. E dimë se njerëzit anembanë botës presin që ne të punojmë për paqe, për drejtësi dhe për të drejtën ndërkombëtare kudo. Por për të vepruar me sukses, së pari duhet të jemi të sinqertë me njëri-tjetrin dhe me veten.

Të qenët të sinqertë nënkupton që të pranojmë se ekstremizmi është në rritje në të dyja anët. Sulmet pa dallim dhe dhuna po marrin shumë jetë izraelite. Dhuna nga ana e kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor po i kërcënon përherë e më shumë jetët e palestinezëve dhe jetesën – pothuajse gjithmonë pa ndëshkueshmëri. Për më tepër, operacionet ushtarake izraelite vazhdimisht shkaktojnë vdekjen e civilëve palestinezë, rëndom pa llogaridhënie efikase; vendbanimet ilegale po zgjerohen në tokat e okupuara; dhe status quo-ja delikate lidhur me Vendet e Shenjta po gërryhet. Përderisa izraelitët mund të mbështeten në një shtet dhe ushtri të fortë, palestinezët nuk i kanë mundësitë e tilla. Kjo pabarazi e gjerë në aftësinë për ta kontrolluar fatin e dikujt është e dukshme në secilën pikë kontrolli rrugor. Krejt këto fakte janë pengesa për paqen.