Vështrime

Një vit luftë kundër Ukrainës: duke vepruar së bashku për të siguruar që e drejta ndërkombëtare do të mbizotërojë

24 shkurti 2022 do të kujtohet përgjithmonë si dita kur Rusia filloi pushtimin e saj brutal, të paprovokuar dhe të paligjshëm të Ukrainës. Ky ishte dhe mbetet një rast agresioni i pastër dhe një shkelje e qartë e Kartës së OKB-së. Kjo luftë nuk është as ‘vetëm një çështje evropiane’, as nuk ka të bëjë me ‘Perëndimi kundër pjesës tjetër’. Ajo ka të bëjë me llojin e botës në të cilën të gjithë ne duam të jetojmë: askush nuk është i sigurt në një botë ku përdorimi i paligjshëm i forcës – nga një fuqi bërthamore dhe anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit – do të “normalizohej” deri diku. Kjo është arsyeja pse e drejta ndërkombëtare duhet të zbatohet kudo për t’i mbrojtur të gjithë nga politikat e pushtetit, shantazhet dhe sulmet ushtarake.

Një vit më pas, ekziston rreziku që njerëzit të mësohen me imazhet e krimeve të luftës dhe mizorive që shohin, sepse janë aq të shumta, saqë fjalët që përdorim fillojnë të humbasin domethënien e tyre, sepse na duhet t'i përsërisim aq shpesh, saqë lodhemi dhe dobësojmë vendosmërinë tonë dhe sepse koha po kalon dhe detyra që kemi përpara është e vështirë.