Vështrime

Mes cinizmit dhe naivitetit: intelektualët gjermanë përballë Rusisë imperialiste

Jürgen Habermas më 2023 për Ukrainën dhe Jürgen Habermas më 1999 për Kosovën, sipas parullës pa cak: “Çka thashë dje, nuk vlen sot, çka them sot, nuk vlen nesër”. Mbi një problem të mendimtarëve dhe majtistëve gjermanë dhe lirinë e popujve të tjerë

Filozofi i madh gjerman Jürgen Habermas, gati 94-vjeçar, ka botuar javën që shkoi një trajtesë të gjatë në gazetën “Süddeutsche Zeitung” mbi luftën në Ukrainë. Artikulli i tij nxiti shumë reagime. Habermas angazhohet për “negociata” me Rusinë, por nuk skicon rrugët dhe mënyrat që çojnë te këto negociata. Fakti që Ukraina është sulmuar nga një shtet fqinj, nga Habermasi anashkalohet lehtësisht dhe kulmon me apelin që të dyja “palëve duhet t’u mundësohet një kompromis që ua ruan fytyrën”. T’i ruhet fytyra Vladimir Putinit? Si? Duke i falur territor të Ukrainës?

Si shumë intelektualë gjermanë edhe Habermas fokusin e ka te Rusia, por jo edhe te popujt e tjerë të Evropës Lindore. Mbi shqetësimet e tyre kalohet me lehtësi arrogante. E qartë, Habermas përmend humbjet njerëzore, por jo humbjen e jetës së mijëra ukrainasve si pasojë e agresionit rus.