Vështrime

Huqja kolektive e shtegut

Presioni politik ndërkombëtar është i madh derisa qasja e opozitës vazhdon të jetë super oportuniste. Por kjo assesi nuk do të thotë se jeta jonë, edhe ashtu e komplikuar, duhet të na vështirësohet edhe më shumë për shkak se pushteti funksionon me inercinë e populizmit, mbrohet me arrogancë, ndërkohë që reflekton mosdije aty ku gjërat duhen prerë për ta arritur ndryshimin radikal

Java më nisi me një shuplakë të madhe fytyrës kur iu qasa platformës e-Kosova për ta marrë faturën e tatimit në pronë. Shuma e tatimit, krahasuar me vitin e kaluar, ishte 60% më e madhe. Natyrisht se nuk e kuptoja se si u bë që, pa asnjë paralajmërim të vetëm, faturat të vinin aq të fryra. Po të na kishin paralajmëruar me kohë, mbase edhe do ta kuptonim ndryshimin më lehtë, ani pse ndodh në kohën e krizës më të madhe ekonomike me të cilën po ballafaqohemi prej kohësh.

Jam e sigurt se nuk do të bëhej temë kjo punë, po të mos ishin tatimpaguesit e rregullt ata që sinjalizuan për ndryshimin drastik të vlerave të faturave. Ngase prejse është hequr obligimi për ta paguar tatimin në mënyrë që të regjistrohet vetura, arkëtimi i tatimit ka rënë në të gjitha komunat. Pra, falë zhurmës së krijuar dhe reagimeve shfajësuese të zyrtarëve komunalë, të nesërmen, edhe pse i ftuar të raportonte për tjetër gjë, ministri Murati u mor në pyetje nga deputetët për këtë çështje.