OpEd

A është kthyer Kina?

Kina akumuloi përvojë të mjaftueshme në qeverisjen adaptive në periudhën prej fundit të viteve 1970 dhe fillimit të viteve 2010. Por që prej kohës kur Xi u vu në pushtet më 2012, modeli ekonomik i Dengut i arriti kufijtë e tij dhe nisi të prodhonte nivele të paqëndrueshme të korrupsionit, të pabarazisë, të rreziqeve të borxhit dhe të ndotjes së mjedisit. Megjithëkëtë, zgjidhja kurrë nuk mund të jetë kthimi në maoizëm. Përkundrazi, Kina duhet ta sjellë “improvizimin e drejtuar” në shekullin e njëzetenjë

Kur presidenti amerikan, Joe Biden, e mori detyrën në vitin 2021, mesazhi i tij i parë për pjesën tjetër të botës ishte: “Amerika është kthyer”. Në nisje të mandatit të tij të tretë si sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste në Kinë (CPC) në tetor, presidenti Xi Jinping tingëlloi sikur po e bënte një shpallje të ngjashme.

Gjatë dy muajve të fundit, udhëheqja në Kinë shpalli apo sinjalizoi ndryshime të mëdha politike, duke u dhënë fund në mënyrë të menjëhershme kufizimeve të ashpra për zero-COVID që zgjatën pothuajse tre vjet, duke i zbutur masat e kufizimit për kompanitë e teknologjisë dhe për sektorin e pasurive të paluajtshme, duke e riafirmuar angazhimin për rritje ekonomike dhe duke ua zgjatur “degën e ullirit” Shteteve të Bashkuara të Amerikës në G20. Teksa ekonomia e dytë më e madhe në botë qartazi po i rihap dyert e saj për biznes, investuesit po reagojnë me entuziazëm.

Por, përderisa ripozicionimi i Kinës pro biznesit është padyshim një sinjal i mirë për tregun dhe për paqen e stabilitetin global, vendosja e ekonomisë kineze në shtegun e duhur do të kërkojë diçka më shumë sesa zmbrapsja nga politikat e kohëve të fundit. Ajo që në të vërtetë nevojitet është rikthimi i pragmatizmit dhe i veprimeve të sinqerta përbrenda sistemit politik. Siç kam treguar në librin tim: “How China escaped the Poverty Trap” (“Si i shpëtoi Kina kurthit të varfërisë), këto atribute e përcaktuan qeverisjen e famshme përqafuese të Kinës gjatë epokës së Deng Xiaopingut.

Ekziston një keqkuptim i zakonshëm se “modeli i Kinës” e nënkupton kontrollin nga një qeveri e fortë autoritare, e rrethuar nga ndërmarrje shtetërore “muskuloze”. Ç’është e vërteta, 30 vjetët e varfërisë dhe të vuajtjes nën Mao Zedongun dëshmuan se kombinimi i planifikimit nga lart-poshtë, i pronësisë shtetërore dhe represionit politik ishte recetë për dështim. Kjo është arsyeja përse Dengu e prezantoi heshtas një sistem hibrid që unë e quaj “improvizim i drejtuar”. Partia komuniste e Kinës (CPC) mbeti e palëkundur në pushtet, por qeveria qendrore ua delegoi autoritetin shumë autoriteteve lokale përgjatë Kinës dhe, në të njëjtën kohë, i çliroi sipërmarrësit privatë nga kontrollet shtetërore.

Duke e ushtruar rolin e një drejtori më shumë sesa një diktatori, Qeveria në Pekin i përcaktoi synimet kombëtare dhe krijoji shtysa e rregulla të përshtatshme, përderisa autoritetet e nivelit më të ulët dhe akterë të sektorit privat i improvizuan zgjidhjet lokale për problemet lokale. Në praktikë, u shpërfaqën një mori “modelesh të Kinës” të nivelit lokal, duke gjeneruar inovacione transformuese nga poshtë-lart, rëndom në mënyra që i befasuan autoritetet qendrore. Rritja e ekonomisë digjitale përbën një shembull të kësaj.

Meqenëse idetë duhet të vijnë para veprimit, Dengu u sigurua që së pari të ndryshonte vetë mentalitetin dhe normat e Partisë Komuniste. Në fjalimin e tij historik të dhjetorit të ‘78 për lansimin e epokës së “reformës dhe hapjes” të Kinës, ai e shndërroi “emancipimin e mendjes” në prioritetin kryesor të partisë. Nën udhëheqjen e Maos, njerëzit nuk guxonin të thoshin të vërtetën nga frika e ndëshkimit të ashpër, duke e krijuar kësisoj një mjedis të frikshëm politik që i dha hov ngritjes së politikave shkatërrimtare sikurse ajo e “Kërcimit të Madh Përpara”. Por nën udhëheqjen Dengut, imperativ i ri ishte që “e vërteta të kërkohej nga faktet”. Politikat duhet të përzgjidheshin ngase e përmirësonin mirëqenien e njerëzve, e jo ngase ishin politikisht korrekte.

Sistemi hibrid i Dengut – drejtimi nga lart-poshtë, i kombinuar me autonominë nga poshtë-lart – është anashkaluar si nga ithtarët e Kinës Perëndimore, ashtu edhe nga udhëheqja e Xisë. Kur Xi u vu në pushtet, ai e favorizoi një tjetër histori rreth suksesit të Kinës, duke e lartësuar “avantazhin institucional” që supozohet se e ka një sistem i komandimit prej lart-poshtë ndaj kapitalizmit demokratik perëndimor.

Sa për siguri, qasja nga lart-poshtë dha rezultate mbresëlënëse gjatë shpërthimit fillestar të COVID-19. Nëpërmjet testimit masiv, frenimit të rreptë dhe masave të tjera që do të mund të mbaheshin vetëm nën një qeveri të fortë e autoritare, Kina arriti të shënonte pothuajse zero raste të infeksioneve dhe të vdekje nga viti 2020 deri më 2022. Presidenti Xi e përqafoi politikën zero-COVID si një nga të arriturat e tij më të rëndësishme, duke deklaruar në Kongresin Kombëtar të tetorit se Kina do t'i përmbahej kësaj politike “të palëkundur”.

Por më pas ngjarjet morën kthesë të shpejtë e të papritur. Të acaruar nga izolimet e pafundme, qytetarët kinezë nga sfera të ndryshme të jetës i vërshuan rrugët në shenjë proteste, duke e detyruar Xinë që ta ndryshojë këtë qëndrim. Por zmbrapsja e përnjëhershme nga politika e zero-COVID-it shpiu në shpërthimin masive të rasteve dhe të hospitalizimeve, me të cilat Kina do të vazhdojë që të përballet për edhe ca kohë.

Presidenti Xi dhe ekipi i tij janë të vendosur që ta lënë pandeminë prapa vetes dhe ta rikthejnë besimin e bizneseve. Zbutja e rregullimeve ekonomike dhe përfundimi i kontrolleve pandemike në të vërtetë gjallëruan tregjet e kapitalit. Për më tepër, pas kulmit të infeksioneve me COVID-19, konsumi i brendshëm mund të kthehet me një hakmarrje (prenotimet e fluturimeve tashmë janë rritur disafish, menjëherë pas heqjes së detyrimit për karantinim të udhëtarëve) dhe prodhimi e logjistika do t’i rikthehen normalitetit. Qeveria qendrore premtoi njashtu shpenzime shtesë për infrastrukturën me qëllim të nxitjes së rritjes.

Por që terreni i ri ekonomik të japë fryte në afat më të gjatë, presidenti kinez duhet të rihapë kanale të reagimit për sistemin politik. Kjo e nënkupton përcaktimin e një shembulli personal dhe që zyrtarëve të partisë-shtet t’u bëhet e qartë se ai dëshiron që ata përnjëmend të raportojnë mbi realitetet në terren. Kjo nuk do të ndodhë po qe se, në praktikë, ata që e thonë të vërtetën heshtën, ndërsa propaganduesit lartësohen.

Qeveria gjithashtu duhet që shoqërisë civile dhe mediave t’u japë më shumë hapësirë. Është shkurtpamëse dhe përfundimisht vetëshkatërruese të mendohet se shkelja e lirisë së shprehjes do ta fuqizojë kontrollin e CPC-së mbi pushtetin. Pa një sistem të rregulluar të reagimit rreth politikave, qeverisja e pëson, duke shpjerë në aso lloj protesta masive që shpërthyen në nëntor dhe në gërryerjen e legjitimitetit të performancës së Partisë Komuniste.

Një tjetër problem në qasjen nga lart-poshtë të Xisë është se do t'i lërë investitorët të pyeten se kur Kina mund të ndryshojë përsëri. Gjatë dekadës së fundit, presidenti Xi vazhdimisht e proklamoi përkushtimin për një sërë “reforma”, vetëm për ta bërë të kundërtën. Fuqizimi i zyrtarëve me historik të pragmatizmit dhe të sinqeritetit do të merrte shumë kohë për të gjeneruar qetësim te tregjet. Ndryshimi i kritereve të këtij sistemi politik për rekrutim dhe promovim do të jehonte më fuqishëm sesa sloganet boshe.

Tekefundit, udhëheqja e Kinës duhet të pranojë se synimi kryesor për trajtimin e problemeve të “Epokës së Artë” të vendit, siç është frenimi i investimeve spekulative në pasuri të paluajtshme dhe mbrojtja e të drejtave të punonjësve të dërgesave në e-tregtinë, nuk ishte i gabuar. Politikat e mëhershme prodhuan kundërefekt ngase ishin zbatuar arbitrarisht, duke i lënë bizneset në hamendje se partia do të mund t'i ndryshonte ato në çdo kohë. Xi dhe qarku i njerëzve të tij duhet ta praktikojnë transparencën dhe konsultimin në politikëbërje, e jo që thjesht të heqin dorë nga ndjekja e zhvillimit gjithëpërfshirës.

Kina akumuloi përvojë të mjaftueshme në qeverisjen adaptive në periudhën prej fundit të viteve 1970 dhe fillimit të viteve 2010. Por që prej kohës kur Xi u vu në pushtet më 2012, modeli ekonomik i Dengut i arriti kufijtë e tij dhe nisi të prodhonte nivele të paqëndrueshme të korrupsionit, të pabarazisë, të rreziqeve të borxhit dhe të ndotjes së mjedisit. Megjithëkëtë, zgjidhja kurrë nuk mund të jetë kthimi në maoizëm. Përkundrazi, Kina duhet ta sjellë “improvizimin e drejtuar” në shekullin e njëzetenjë.

(Yuen Yuen Ang, profesor i ekonomisë politike në Universitetin Johns Hopkins, është autor i librave: “How China Escaped the Poverty Trap” dhe “China’s Gilded Age”. Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për rrjetin botëror të gazetarisë “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).