Vështrime

Partneriteti gjermano-kosovar 2022/2023: Bashkërisht për arritje më të mëdha!

Kancelari Federal Scholz gjatë udhëtimit të tij në Prishtinë dhe Beograd e ka bërë të qartë se çfarë ka rëndësi: Nuk mund të bëhen anëtare të BE-së dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën. Tani është vendimtare që të braktiset gjendja permanente e krizës dhe të vendosen në një themel stabil e të qëndrueshëm marrëdhëniet kosovaro-serbe

2022 – çfarë viti jashtëzakonisht i pasur me ngjarje për marrëdhëniet padyshim të shkëlqyeshme gjermano-kosovare! Më shumë se kurrë më parë, kishim vizita politike të nivelit të lartë: Kancelari Federal Scholz, ministrja e Mbrojtjes Lambrecht, ministrja e Jashtme Baerbock, ministrja e Shtetit për Evropën dhe Klimën, Luehrmann, sekretarja parlamentare e Shtetit në Ministrinë Federale të Mbrojtjes Moeller, presidenti i Komisionit për BE-në i Bundestagut, Hofreiter, komisionerja e Mbrojtjes e Bundestagut, Hoegel, si dhe deputetë të shumtë të Parlamentit. Porosia ishte dhe mbetet gjithmonë e njëjta: Gjermania e mbështet Kosovën me aq sa mundet në rrugën e saj drejt Evropës.

Kjo rrugë nuk do të jetë e lehtë. Do të jetë e gjatë dhe e mundimshme, por do t’ia vlejë. Lufta brutale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare e agresionit të Putinit ndaj Ukrainës na ka sjellë qartë në vëmendje që ne në Evropë duhet të tregojmë vendosmëri dhe të jemi edhe më të bashkuar. Kjo nënkupton edhe integrimin e plotë të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Pa të, Evropa mbetet e pakryer.