OpEd

Qytetarët e Kosovës meritojnë më mirë

Viti 2022 mund të përmblidhet si një momentum i humbur për agjendën tonë shoqërore e shtetërore. Megjithatë, unë kam besim në vitalitetin e shoqërisë dhe popullit tonë, për t’ia dalë mbanë në ballafaqimin me këto rrethana të vështira. Unë e kuptoj përgjegjësinë që e kemi si klasë politike për t’ua lehtësuar qytetarëve këtë ballafaqim

Po e lëmë prapa një vit, i cili e ringjalli një dimension shumë regresiv, njërën nga çështjet që kanë qenë problematike për kohë të gjatë, atë të pjesës veriore të vendit tonë. Kosovës, sot më shumë se kurdoherë që nga përfundimi i luftës, po i cenohet sovraniteti dhe integriteti territorial. Barrikadat po rrezikojnë të kthehen në përditshmëri dhe e përditshmja atje është e rrezikshme për lirinë dhe mirëqenien e qytetarëve pa dallime.

Është jashtë çdo dyshimi se njëjtë si në të kaluarën, edhe sot, krizat në veri i prodhon Beogradi zyrtar, ashtu siç nuk është kontestuese se stërkeqja e gjendjes aktuale në veri determinohet edhe nga mungesa e prirjes dhe vullnetit të Qeverisë aktuale për t’i bashkërenduar veprimet dhe për ta koordinuar strategjinë me partnerët ndërkombëtarë. Qeveria nuk duhet ta lejojë këtë gjendje, por për fat të keq, kjo gjendje sa vjen e përkeqësohet, pa shumë shpresë se po lëviz në drejtim të normalizimit. Për më keq, si zgjidhje Qeveria ofroi zgjedhje. Ne si opozitë i përkrahëm ato, kurse Qeveria me presidenten i anuluan ato. Ndërkohë, veriu mbeti pa zgjedhje, pa institucione, pa targa RKS, por me barrikada.

Është konstatim që nuk e duam, por na imponohet si realitet të themi përmbledhtazi se viti 2022 ishte vit jashtëzakonisht i rëndë për Kosovën dhe qytetarët e saj, edhe në planin e brendshëm, jo vetëm në veri, edhe në planin e jashtëm dhe jo vetëm në atë që determinohet nga agresioni rus në Ukrainë. Të rëndë, pa asnjë dyshim, këtë gjendje e ka bërë edhe Qeveria me paaftësinë e saj, me mungesën e vizionit dhe mungesën e kompetencës. Të gjitha këto, në variantin më të keq, shfaqen në procesin e Dialogut me Serbinë, ku s’ka transparencë, por kamuflim e ku ka populizëm në vend se të ketë pragmatizëm.

Siç e mbajmë mend secili, fillimisht kishim një krizë energjetike, e cila u sanua përkohësisht, por nuk është sanuar përfundimisht dhe e cila lëkundi ambiciet ekonomike të vendit tonë dhe bllokoi mundësitë për të zënë hapin në një rrethanë të tillë.

Gjithashtu, kishim një inflacion jashtëzakonisht të lartë që ndikoi në mirëqenien dhe sigurinë financiare të qytetarëve dhe familjeve kosovare, përballë të cilit qytetarët u ndjenë tërësisht të vetmuar.

Përballë të gjitha këtyre ndodhive, të gjithë e kemi parë një qeverisje të molepsur dhe të paaftë, e cila në të shumtën e rasteve nuk e ka kuptuar sfondin e problemeve me të cilat po përballemi, nuk ka pasur gatishmëri të dëgjojë për zgjidhjet e këtyre problemeve dhe ka ndërmarrë veprime të pamatura që kanë thelluar problemet, por kurrsesi se nuk i kanë zgjidhur ato.

Si rezultat i këtyre rrethanave, sot të rinjtë tanë nuk e shohin perspektivën që e kërkojnë në Kosovë. Ata që dje pritnin rend për të votuar ofertën për ndryshimin pozitiv, sot të zhgënjyer shumë dhe shpejt presin rend para ambasadave për të kërkuar gjetiu një jetë me dinjitet. Familjet kosovare përballen me çmime të larta e me të hyra të njëjta. Pagat në sektorin privat dhe atë publik janë të pamjaftueshme, ndërsa buxheti i Kosovës vegjeton si shifër në llogaritë bankare të Qeverisë, pa u vënë në shërbim të gjendjes së rënduar ekonomike.

Ekonomia ka stagnuar dhe papunësia e varfëria janë rritur. Investimet publike dhe strategjike kanë mbetur si term në sirtar. Ndërmarrësit kosovarë janë më të vetmuar se kurrë më parë. Një pasiguri e thellë përshkruan sot gjithsecilin qytetar të Kosovës dhe kjo pasiguri që ka si nxitje ndikimin nga rrethanat globale, është duke gërryer përbrenda shoqërinë tonë për shkak të paaftësisë dhe mungesës së vizionit të qeverisë për t’u ballafaquar me përgjegjësitë e saj. Përkundër kësaj gjendjeje, fjalamania mbetet taktikë e popullizmit politik me të cilën pushtetarët aktualë pareshtur përpiqen të eklipsojnë dështimet e shumta.

Për shkak të këtyre faktorëve që është dashur të menaxhoheshin e përballë të cilëve qeveria ka abstenuar, në këtë vit jemi përballur edhe me ngjarje që na kanë prekur thellë, që nga shtimi i kriminalitetit, vrasjeve, e veçmas vrasjeve të grave, si dhe rëndimit të rrethanave sociale që çojnë në dhunë në familje e mbi baza gjinore, si dhe në shpërbërje të etikës publike, si parakusht që qytetarët të kenë besim në institucione e drejtësi.

Viti 2022 mund të përmblidhet si një momentum i humbur për agjendën tonë shoqërore e shtetërore. Megjithatë, unë kam besim në vitalitetin e shoqërisë dhe popullit tonë, për t’ia dalë mbanë në ballafaqimin me këto rrethana të vështira.

Unë e kuptoj përgjegjësinë që e kemi si klasë politike për t’ua lehtësuar qytetarëve këtë ballafaqim. Jam përpjekur që me reformat e brendshme dhe me angazhimin në Kuvend e jashtë tij, të hapim një dritare të re shprese e besimi se gjërat do të përmirësohen dhe se një e ardhme më e sigurt e me perspektivë na pret të gjithëve.

Jo çdo gjë është politikë dhe për politikën. Një e ardhme e tillë është sot kusht i domosdoshëm dhe imperativ i panegociueshëm. Një e ardhme që i përgjigjet gjithsecilit në një mënyrë të caktuar, por që së paku në një mënyrë i përgjigjet gjithsecilit, pa lënë askënd mbrapa.

Për një të ardhme të tillë, unë dhe Partia Demokratike e Kosovës po angazhohemi e do të angazhohemi edhe më tej, edhe më shumë.

Në përmbyllje të këtij viti të rëndë e me shpresë se vitin e ardhshëm gjërat do të marrin tjetër kahe, nga zemra ju dëshiroj një Vit të Ri të begatë e me mirëqenie për ju dhe familjet tuaja.

Kosova është atdheu ynë i përbashkët, pa dallime përkatësie politike, etnike, religjioze e individuale. Nuk duhet të harrojmë sakrificën e madhe të brezave që me jetën e tyre e kanë shtruar rrugën për Kosovën e lirë e të pavarur, atdheun tonë me të ardhme evropiane e perëndimore.

Nga mundi e sakrifica e tyre, ne mund dhe duhet të mësojmë, në mënyrë që të jemi bashkë dhe të fortë përballë sfidave që kemi para vetes.

Shoqëria e Kosovës meriton një tjetër habitat shoqëror, politik e ekonomik dhe për një të tillë, nuk do të reshtim së besuari e së punuari.

Zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj!

Gëzuar Vitin e Ri 2023!

Autori është kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës