OpEd

Në zonën e parafashizmit

Çdoherë krahasimi me nazizmin dhe fashizmin duhet trajtuar me kujdes. Krahasimi i padenjë me tmerret e nazizmit nuk u bën nder viktimave të tyre dhe i relativizon krimet e nazizmit. Dhe, patjetër se sot partia e Vuçiqit nuk është partia naziste e Hitlerit. Por, shenjat e një mjedisi parafashist janë brengosëse. Këto shenja e imponojnë pyetjen: Serbia nuk është sot fashiste për shkak të mungesës së vullnetit apo të mungesës së mundësive?

Ditët e fundit kanë ndodhur katër zhvillime në Serbi që më kanë bërë të mendoj. E para, Serbia refuzoi votimin e rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për t’ia kërkuar Rusisë pagesën e dëmeve të shkaktuara Ukrainës. Pra, me fjalë të tjera, Serbia mendon se Ukraina është fajtore për pushtimin rus. Evropa asnjëherë nuk ka qenë kaq e prerë dhe e ndarë për shkak të pushtimit rus të Ukrainës. Madje as gjatë Luftës së Dytë Botërore. Sot nuk janë neutrale as Zvicra bankare dhe as Suedia e Finlanda paqësore. Dhe, sot Serbia vazhdon të jetë pika e zezë e Evropës. E dyta, Vuçiqi e takoi të deleguarin e personit më të sanksionuar në botë, kriminelit çeçen Ramzan Kadirov. Pas takimit i deleguari i Kadirovit i është falënderuar Vuçiqit për “mbështetje Federatës Ruse” në “mbrojtje të vlerave shpirtërore, tradicionale dhe familjare”. E treta, “Russia Today” e filloi transmetimin në Serbi me mesazhin “Kosova është Serbi”. Dhe e katërta, institucionet e Serbisë respektivisht Ministria e Arsimit dhe Shkencës kanë njohur publikimin propagandues të partisë së Vuçiqit të titulluar “Napredak” si “publikim shkencor”. Pra, nga sot çfarë shkruan partia e Vuçiqit do të konsiderohet shkencë e barabartë me zbulimet e Darvinit, Galileut dhe Njutonit. Pra, vetëm disa ditët e fundit Serbia bëri katër gjëra që nuk bëri asnjë vend demokratik në Evropë.

***

Indoktrinimi dhe propaganda kanë qenë çdoherë mjetet kryesore të kontrollit të shoqërisë në kuadër të regjimeve represive. Kulmimi më i egër i kësaj mendësie u shpërfaq me ngritjen e nazizmit në Gjermani. Përderisa “Mein Kampf” i Hitlerit ka vendosur themelet e propagandës së regjimit nazist, operacionalizimi praktik i saj u zbatua nga Goebbelsi dhe ministria e tij e propagandës. Në thelb, propaganda naziste kishte dy qëllime: (1) të bindë qytetarët për rrezikun që imponohet nga armiqtë e jashtëm, të cilët kanë imponuar padrejtësitë e Traktatit të Versajës dhe (2) të bindë qytetarët për rrezikun që imponohet nga armiqtë e brendshëm, të cilët rrezikojnë shoqërinë gjermane nga brenda: hebrenjtë, komunistët, homoseksualët, etj.

Zbatimi i këtyre dy qëllimeve ka marrë forma të ndryshme të propagandës. “Rinia e Hitlerit” dhe “Akademia për Liderët e Rinj” kanë pasur për qëllim indoktrinimin e të rinjve dhe përgatitjen e tyre për detyrat zyrtare politike dhe ushtarake. Ndërsa nga këndvështrimi i propagandës regjimi nazist ka publikuar një numër të gazetave dhe tabloideve periodike: “Völkischer Beobachter”, “Der Stürmer”, “Das Reich”, “Neues Volk” – në mes tjerash. Në veçanti, tabloidi “Der Stürmer” dhe publicisti i saj, Julius Streicher, kanë qenë më të egër në zbatimin e propagandës naziste. Ata rregullisht i portretizonin hebrenjtë si armiqtë e shtetit dhe “untermenschen” të degjeneruar duke bërë thirrje të hapur për ekzekutimin e tyre. Kjo i siguroi z.Streicherit të jetë nazist i parë, i cili u dënua me varje gjatë gjykimeve të Nurembergut për akuzën e nxitjes së gjenocidit. Kinematografia ka luajtur po ashtu rol të rëndësishëm. Filmi famëkeq “Hebre i përjetshëm” ka infektuar të gjithë shoqërinë gjermane me narracionin se hebrenjtë janë qytetarë të pacivilizuar, parazitë dhe armiqtë e shtetit. Po ashtu, librat shkollorë për biologji, histori apo gjeografi janë rishkruar për të akomoduar propagandën naziste.

Isha duke menduar për të gjitha këto derisa isha duke lexuar lajmet e ditëve të fundit në Serbi. Regjimi i Vuçiqit ka hyrë në vitin e njëmbëdhjetë të pushtetit të tij falë zbatimit të suksesshëm të propagandës, e cila sikur në rastin e nazizmit ka dy qëllime: (1) të bindë qytetarët për rrezikun që imponohet nga armiqtë e jashtëm, të cilët kanë imponuar padrejtësitë e Traktatit të Dejtonit dhe Kumanovës, dhe (2) të bindë qytetarët për rrezikun që imponohet nga armiqtë e brendshëm, të cilët rrezikojnë shoqërinë serbe nga brenda: opozita, “agjenturat e huaja”, OJQ-të dhe mediat. Në fillim të këtij muaji, deputetja e partisë së Vuçiqit, Stasha Stojanoviq, ka shkruar në Twitter kështu: “Opozita në Serbi është armik i shtetit, popullit dhe identitetit tonë. Nuk ekziston asnjë opozitar, i cili dëshiron të bëjë diçka më mirë se çfarë është bërë deri më sot. Të gjithë deri te i fundit janë tradhtarë, mercenarë dhe armiqtë e Serbisë”. Ndërsa, pak ditë pasi që Shesheli e kërcënoi Rada Trajkoviqin me vrasje, Stasha Stojanoviq prapë shkroi në Twitter se: “Rada Trajkoviqin mbështesin të gjithë ‘miqtë’ e dëshmuar të Serbisë: shqiptarët, kroatët...”. Stojanoviq është kuadër i dalë nga “Akademia për Liderët e Rinj”. Jo ajo akademi e Hitlerit, por një e Vuçiqit, e cila mban emrin e njëjtë. Dhe kjo lloj gjuhe nuk është rast i izoluar. Anëtarja e kryesisë së partisë së Vuçiqit, Vladanka Maloviq, ka shkruar në Twitter për një përfaqësues të opozitës kështu: “Pedofil i çmendur, i cili urren popullin serb dhe çdo gjë serbe”, ndërsa një tjetër: “Ti hajn ke rahatu fëmijët e tu shumë bukur, ndërsa eja të më revanshohesh personalisht se shumë ju frikësohem juve të dashurve ‘šiptara’”. Anëtari tjetër i kryesisë së partisë së Vuçiqit, Vladimir Gjukanoviq, ka paralajmëruar se Serbia do të jetë e obliguar të “denazifikojë” Ballkanin. Ministri i fundit i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, ka institucionalizuar termin “šiptari”, ndërsa kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i ka quajtur shqiptarët “untermenschen” të dalë nga pylli.

Mediat sot në Serbi, sikur në rastin e regjimit nazist, luajnë rol kyç në indoktrinimin e qytetarëve serbë. Çdo ditë qytetarët serbë servohen me kryetitujt e komploteve ndërkombëtare, të cilët kanë cak të gjunjëzojnë të “vetmin vend liridashës në Evropë”. Çdo ditë janë po ashtu kryetitujt me termin denigrues “šiptari” dhe fotografitë ofenduese të liderëve politikë të Kosovës. I njëjti trajtim rezervohet për “ustaše” të Kroacisë, “turci” të Bosnjës dhe “popullin e rremë” të Malit të Zi.

Dhe sikur në rastin e regjimit nazist, regjimi i Vuçiqit e përdor kinematografinë për qëllime të propagandës. Kësisoj Serbia po e financon filmin për Reçakun, i cili i portretizon shqiptarët si popull mashtrues, ndërsa serbët si viktimë. Dhe po ashtu, sikur në rastin e regjimit nazist, shteti serb këtë vit është duke ndryshuar librat e biologjisë për të përafruar librat shkollorë me vullnetin politik të partisë së Vuçiqit dhe të kishës.

Në kulmin e nazizmit çdo i dhjeti qytetar i Gjermanisë ka qenë anëtar i partisë naziste. Sot çdo i nënti qytetar i Serbisë është anëtar i partisë së Vuçiqit. Çdoherë krahasimi me nazizmin dhe fashizmin duhet trajtuar me kujdes. Krahasimi i padenjë me tmerret e nazizmit nuk u bën nder viktimave të tyre dhe relativizon krimet e nazizmit. Dhe, patjetër se sot partia e Vuçiqit nuk është partia naziste e Hitlerit. Por, shenjat e një mjedisi parafashist janë brengosëse. Këto shenja e imponojnë pyetjen: Serbia nuk është sot fashiste për shkak mungesës së vullnetit apo të mungesës së mundësive?