Vështrime

Një shampanjë për liberalizimin e pardjeshëm dhe gara për rezervim meritash

Meqë liberalizimi pritet të ndodhë gjatë këtij mandati qeveritar, kasaveti kryesor i partive opozitare është bërë mos Qeveria po e shet si meritë të saj. Në fakt, drojën e kanë “me vend” nëse nisemi nga shembulli i 2008-s, kur kryeministri i kohës H.Th. e shpalli Pavarësinë, e sot partia që ai themeloi e shet si autor të kësaj vepre. Ai thjesht pati fatin të kontribuonte dhe ta kurorëzonte një proces të dhimbshëm e të gjatë me dekada. Për vizat meritë nuk ka askush. Thjesht, ishte përgjegjësi e atyre që i zgjodhëm e që i paguajmë me taksat tona për të plotësuar kriteret

Tash që është riaktualizuar tema e liberalizimit të vizave për Kosovën, dy situata pashmangshëm kthehen në kujtesën e gjithsecilit: Një, festa e ministrit të kohës B.Ç., në vitin 2016, duke hapur shampanjën me stafin për të festuar liberalizimin e vizave; dhe dy, fraza epike e kryeministrit R.H. gjatë një interviste më 2018 se “liberalizimi ka ndodhur pardje”.

Tema përkatësisht premtimi për liberalizim të vizave ka kohë që është nxjerrë nga “menyja e pallavrave” nga vetë politikanët, e që është për çudi që e kanë kuptuar se kanë manipuluar mjaft me të.