OpEd

Eksperti i tërmetit në shënjestër të drejtësisë

Celal Sengör është mbase shkencëtari më i njohur turk në fushën e studimit të tërmeteve. Ka ligjëruar në pothuaj të gjitha universitetet prestigjioze në botën perëndimore. Një universitet në Zvicër e ka nderuar me titullin “doktor nderi”. Në një emision televiziv në Turqi, Celal Sengör ka thënë se profeti Ibrahim është figurë përrallash. Tani atij i është vërsulur drejtësia. Dhe ky nuk është rast i izoluar

Ta thuash mendimin tënd në Turqi nuk është lehtë. Madje as si shkencëtar, kur si puna e Celal Sengörit del në televizion dhe thua diçka që mund të interpretohet si kundërshtim i normave fetare. Sengöri rrezikon një vit burgim për shkak se ka thënë mendimin e tij të bazuar në hulumtime shkencore. E ka quajtur profetin Ibrahim figurë përrallash.

Sengöri nuk është një askush. Ai është një gjeolog i njohur larg përtej Turqisë, pas studimeve në SHBA në fund të viteve 1970, ai, tashmë 67-vjeçar dhe profesor i emerituar, ka ligjëruar në Oxford, në Collège de France dhe universitete të tjera të famshme. Më 1988 ky dijetar turk u nderua nga Universiteti i Neuenburgut në Zvicër me titullin “doktor nderi”. Sengöri është anëtar i akademive të shkencave në SHBA dhe në Rusi. Me vite të tëra ka ligjëruar në Universitetin Teknik të Stambollit.

Në emisionin televiziv të cilit tani ia pa sherrin, Sengöri mohoi se profeti Ibrahim ka ekzistuar fare. Ky profet luan rol të rëndësishëm në të gjitha fetë monoteiste – për shembull në islam, në judaizëm dhe në krishterim. Edhe ekzistencën e Musës, i cili edhe nga myslimanët nderohet si i dërguar i perëndisë, Sengöri e mohoi gjatë debatit në një televizion turk. Sengöri foli mbi gërmimet në Harran, një qytet antik, i cili gjendet afër kufirit me Sirinë. Atje besohet se ka jetuar Ibrahimi. Nga Harrani ai shkoi në Palestinë, sipas rrëfimit të Biblës.

Drejtësia turke, e cila ndërkohë vepron si të ishte polici fetare e Iranit, u aktivizua menjëherë pas debatit të Sengörit në televizion. Televizioni Habertürk u qortua dhe u ndëshkua me një gjobë nga ana e autoritetit të mbikëqyrjes së mediave. Njëkohësisht, prokuroria e mori në pyetje Sengörin për shkak të fyerjes së vlerave fetare.

Për të shmangur arrestimin, Sengör u paraqit në pallatin e drejtësisë në Stamboll, por duket se kërcënimet e drejtësisë nuk i kanë lënë përshtypje. Përmes avokatit të tij, Sengöri njoftoi se aq i bën në çka besojnë njerëzit.

“Çfarë më intereson mua”, tha Sengör, “është se çka na prezanton shkenca sot si të vërtetë. Ta mbrosh shkencën është profesion imi dhe arsye e ekzistencës sime”. Pushteti, sipas tij, mund të bëjë çfarë të dojë, por nuk guxon ta skllavërojë shkencën.

Celal Sengör prej vitesh ngatërrohet me Qeverinë turke. Ai ka kritikuar edhe planet e Qeverisë për ta hequr nga shkollat teorinë e evolucionit të Charles Darwinit. “Për një njeri të civilizuar, të arsimuar kjo nuk mund të merret me mend”, tha ai më 2017.

Avokati i Celal Sengörit deklaroi se klienti i tij ka analizuar edhe mitin e kataklizmit. Dhe ka arritur në përfundimin se për këtë nuk ka as burime historike, as fakte. Sengöri i bëri thirrje drejtësisë të mos bëjë të njëjtat gabime siç i ka bërë kisha katolike, e cila e nxori Galileo Galilein para gjykatës së inkuizicionit, sepse ky konfirmoi tezën e Nikolla Kopernikut se toka sillet rreth diellit dhe jo e kundërta. Tani opinioni turk pret me kureshtje nëse drejtësia turke do të ngrejë aktakuzë kundër Celal Sengörit. Kjo nuk do të ishte befasi.

Së fundmi, në Turqi u arrestua këngëtarja e njohur e pop-muzikës, Gülsen, dhe për disa ditë u detyrua të qëndrojë në arrest shtëpiak. Ajo u akuzua se pas një koncerti në prill i tha një anëtari të bendit me nofkën imami se ai është kaq pervers për shkak se ka ndjekur shkollën fetare të Imam Hatipit. Presidenti Rexhep Taip Erdoan dhe funksionarë të tjerë të partisë sunduese AKP kanë vijuar mësimet në këto shkolla fetare, të cilat ndërmjetësojnë vlera konservatore.

Gülseni tha se kishte bërë shaka dhe kërkoi falje. Por kjo nuk i solli asgjë Madonës turke, siç quhet këngëtarja. Ajo rrezikon deri në tri vjet burgim për shkak të fyerjes së popullit. Gülseni konsiderohet këngëtare jopolitike. Por së fundi ajo ngjalli zemërimin e fanatikëve fetarë për shkak se u solidarizua me pakicat seksuale. Veshjet e saj të shkurtra dhe spotet kanë mllefosur përkrahësit e AKP-së, partisë së Erdoanit.

Të ardhurat nga shitja e njërit album të saj Gülsen ia ka dhuruar organizatës për mbrojtjen e të drejtave të grave “We Will Stop Femicide”. Kjo platformë proteston shpesh kundër dhunës ndaj grave në Turqi. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, në shtatë muajt e parë të këtij viti janë vrarë 158 gra turke. Vitin që shkoi, sipas platformës “We Will Stop Femicide”, u vranë 280 gra nga burrat, 217 vdiqën në rrethana të pasqaruara. Drejtësia turke e quan të pamoralshme punën e aktivisteve për të drejtat e grave dhe është kërcënuar me ndalimin e organizatës “We Will Stop Femicide”.

Para zgjedhjeve në vitin e ardhshëm, drejtësia turke po lufton aktivistët për të drejtat e njeriut dhe personat e angazhuar në sektorin e kulturës me qëllim që t’i mobilizojë shtresat konservatore të zgjedhësve. Ndërkohë kanë nisur hetimet edhe kundër uebfaqes së muzikës “Spotify” për shkak të një pllejliste (Playlist) me titullin: “Këngë që Erdoani i dëgjon kur pi”.