Vështrime

Paraqitja e Ballkanit në Evropë e “mbulon” turpin e infrastrukturës në futboll

Është koha e fundit që institucionet tona t’i thërrasin ndërgjegjes e të fillojnë të mendojnë për rregullimin e infrastrukturës në përgjithësi në sport, jo vetëm në futboll, sepse ajo sjell suksese e suksesi, pos afirmimit të vendit, sjell edhe shumë të mira të tjera

Një ndër derbit më të mëdhenj në rajon, e mos të flasim për Kosovë, është ai i Anamoravës. Skuadrat e qytetit të Gjilanit, Drita e Gjilani, viteve të fundit e kanë bërë edhe më interesant garën mes tyre, pasi zakonisht kanë luftuar për kreun e tabelës. Por me gjithë interesimin e madh që kanë futbolldashësit në përgjithësi për ta parë këtë ndeshje futbolli, mos të flasim këtu për tifozët - “Intelektualët” e “Skifterat” – kjo gjë po iu pamundësohet. Shkak është infrastruktura e dobët që ka futbolli kosovar. Edhe derbi i mesjavës u zhvillua pa shikues, pasi autoritetet nuk e lejuan praninë e tyre për shkak të infrastrukturës jo të përshtatshme dhe sigurisë në stadiumin ndihmës ku u zhvillua ajo.
“Klubi ynë ka bërë përpjekje që ndeshja të zhvillohet të paktën me prezencë të fëmijëve të shkollës sonë të futbollit, sepse kemi konsideruar që ata nuk përbëjnë rrezik për ndonjë incident dhe pjesëmarrja e tyre vetëm sa do t'ia shtonte bukurinë derbit”, thuhej në njërin nga shumë njoftimet e bërë nga FC Drita. Madje, shkaku i infrastrukturës së dobët, ndeshja rrezikohej të shtyhej, pasi një pjesë e fushës sintetike ishte prishur, por që u tha se me ndihmën e Federatës së Futbollit të Kosovës ajo në fund u rregullua.

Ky shembull i këtij derbi tregon se sa larg jemi si shtet sa u përket përmbushjes dhe ofrimit të kushteve që duhet t’u krijohen të rinjve për t’u marrë me sport. Stadiumi i qytetit është në rinovim, ndërsa nuk dihet se kur do të marrë fund. Si Drita, ashtu edhe Gjilani ndeshjet si vendas në Evropë i zhvilluan në “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Stadiumi që mban emrin e legjendës po shfrytëzohet edhe nga Ballkani, klubi që pak javë më parë shkroi histori. Ballkani është klubi i parë që siguroi kualifikimet në fazën grupore të një ngjarjeje të organizuar nga Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA). Edhe kampioni i Kosovës po i luan ndeshjet si vendas në “Fadil Vokrri”, që është stadiumi i vetëm që i plotëson kriteret për ndeshje ndërkombëtare të klubeve dhe përfaqësueseve. Stadium tjetër Kosova nuk ka. Nuk ka shpresë që kjo gjendje e rënduar do të ndryshojë shpejt. Kjo ngarkesë e madhe që po i bëhet atij ka filluar menjëherë të ketë pasoja, pasi fusha nuk mund t’i përballojë të gjitha këto ndeshje.