Vështrime

100 euro, për punën që bëhet apo për atë që duhet bërë

Qeveria nuk duhet të tregohet kokëforte me sindikatat. Ajo duhet të jetë e qartë në vizionin e saj, se vendimi për ndarjen e shtesave 50 apo 100 euro për punëtorët e sektorit publik, apo rritja e pagave nëpërmjet ligjit, janë për punën që bëjnë apo për atë që duhet bërë. Qytetarët nuk presin përgjigje as nga sindikatat e as nga opozita. Ata duan të dinë nga ata që kanë marrë mandatin për drejtimin e shtetit se si po përkthehen taksat e tyre

Një koleg yni, i dëshmuar për ide e qasje kreative në industrinë e medias, dhe i pari që vuri në jetë një gazetë online në Kosovë, ka vite që ka migruar në SHBA, bashkë me gruan dhe dy djemtë. Mes shumë arsyeve për të mos u larguar, diçka e fuqishme, që shkonte përtej tyre, e kishte bindur për të marrë vendimin “e rëndë”.

“Nuk po e bëj për vete se personalisht jam mësuar t’mbijetoj në Kosovë, madje edhe kur ka qenë më keq. Por po e bëj për fëmijët, për shkollimin e tyre”, pati thënë, ndërsa po “shfajësohej” para meje.