OpEd

Dhunuesit nuk ua lexuan poezitë

Të gjitha rrugët në Kosovë viktimën e kthejnë te dhunuesi. Janë shtruar nga vetë shteti. Nga pushtetet prej të parit e te ky i fundit. Nga të gjitha hallkat. Prej kokës e teposhtë.

Presidentët e presidentja, siç edhe kryeministrat e ministrat kanë shkruar e recituar poezi “aktesh tronditëse” e “aktesh brutale”, “krimesh çnjerëzore” e “dënimesh të ashpra”; urdhrash për drejtësi e për angazhim institucional; kërkesash për sundim e ashpërsim ligji, etj… Diçka ngjashëm edhe zërat feministë e të të drejtave të fëmijëve. Janë organizuar edhe protesta… Të gjitha këto pas çdo rasti dhune që ka kapur vëmendjen e opinionit.

Por për kë këta urdhra e këto kërkesa? Kundër kujt këto protesta? Për veten e tyre dhe kundër vetes së tyre?

Janë bërë 23 vjet prej se është çliruar Kosova. Qindra e qindra miliona donacione e projekte, konferenca e trajnime, letra strategjish e ligjesh, pa fund fjalësh të thata e hipokrizie. Nga gra e burra të shtetit e të një shtrese mendjehapur të shoqërisë që mbijeton duke “luftuar” për të drejtat e njeriut.

Sot një viktimë dhune nuk ka ku shkon. Me vjet, strehimoret janë hapur e janë mbyllur. S’ka pasur para për to. Në numër e me kapacitete simbolike edhe tash, ato i strehojnë viktimat gjashtë muaj, e me raste një vit. Pastaj kthehen te rruga, te vendi, te njeriu, te rrethi i dhunës për ta vazhduar fatin e vet. Kaq më së shumti shteti ua zgjat dorën një numri simbolik të tyre. Shumicës as kaq. Ka kohë që si medium kemi drejtuar pyetje tek institucionet “Pse s’ka para për strehimore?” dhe “Çka pas strehimores?”. Përgjigje nuk ka.

Sot një viktimë nuk gjen drejtësi. Te rastet që nuk janë bërë mediatike jo se jo, por as tek ato që kanë depërtuar te publiku. Janë Liria, Zejnepja, Diana, Sebahatja, Valbona... që para se të vriten kërkuan ndihmë, po nuk morën. Është Marigona. Më shumë se një vit që u vra, që reagoi i madh e i vogël, që dëshmitë e dhunës qenë të gatshme dhe veç një seancë gjyqësore. Dhjetëra gra të vrara viteve të fundit. Dhunues të pandëshkuar, të dënuar me kusht apo me vite simbolike burgim.

Kjo është porosia reale e shtetit për dhunuesit. Jo vargjet që i harrojnë shpejt edhe vetë ata që i thurin. Ka kohë që për çdo raportim rreth këtyre rasteve si medium i kemi pyetur për fjalët e tyre të mëdha. Përgjigje nuk kemi marrë.

Dhunuesit e 11-vjeçares nuk i kanë lexuar poezitë. Nuk i lexojnë as ata që nesër mund ta dhunojnë një vajzë tjetër.

brikenda@koha.net