OpEd

Opozita bjelloruse po forcohet

Një ndryshim i dukshëm është se qeveria në ekzil ka tashmë degën e saj të armatosur, në të cilën janë regjistruar më shumë se 200.000 bjellorusë, të gatshëm të ngrihen kundër Lukashenkos në rastin e parë, përfshirë edhe me forcë. Deri vonë ushtarët bjellorusë dhe zyrtarët qeveritarë nuk kishin alternativa. Por, tani ata kanë një zgjedhje midis qeverisë jolegjitime në Minsk dhe asaj legjitime të zgjedhur me shumicë votash në vitin 2020, kryesuar nga Tikhanovskaya. Kjo zgjedhje do të bëhet kur të krijohet mundësia, e cila mund të jetë kur poshtërimi i Rusisë në Ukrainë do ta mbërthejë Kremlinin në kaos

Ndërsa lufta në Ukrainë po vazhdon, stabiliteti i Bjellorusisë fqinje, e cila ka mbështetur pushtimin rus, duket se po cenohet. A ka hapur lufta e agresionit të presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, kutinë e Pandorës për një regjim që është praktikisht dorë e zgjatur e Kremlinit?

Kujtojmë se në zgjedhjet e fundit presidenciale të Bjellorusisë, në gusht të vitit 2020, Svetlana Tikhanovskaya mundi pothuajse bindshëm presidentin aktual, Aleksandr Lukashenko, miqtë e të cilit e kishin përjashtuar kundërshtaren e tij si një “amvise”. Kur një rritje e mbështetjes e bëri të qartë se Tikhanovskaya po shkonte drejt fitores, Lukashenko falsifikoi rezultatet, duke i dhënë vetes mbi 80% të votave dhe duke nxitur protesta të mëdha që zgjatën me muaj.

Regjimi i Lukashenkos iu përgjigj demonstratave paszgjedhore me terror dhe arrestime masive, të cilat çuan në protesta edhe më të mëdha. Pak ditë pas zgjedhjeve, kontrolli i tij kishte filluar të dobësohej, me punëtorë, media publike, mjekë, studentë, pensionistë dhe shumë të tjerë që dolën kundër shërbimeve të sigurisë. I gjithë vendi hyri në grevë, por Lukashenko, në pushtet që nga viti 1994, ruajti me mish e me shpirt pushtetin edhe me ndërhyrjet brutale nga forcat speciale besnike, të cilët lanë duart në gjak të pafajshëm dhe për këtë arsye ishin plotësisht të varur prej tij. (Në fund të fundit, Lukashenko zgjodhi të mos testonte besnikërinë e ushtrisë).

Megjithatë, që atëherë është bërë e qartë se bjellorusët nuk do t’i kthehen pasivitetit që shfaqën para gushtit të vitit 2020. “Ne të gjithë kemi ndryshuar dhe përgjithmonë”, thotë liderja e opozitës, Masha Kalesnikova, e cila nuk e ka humbur besimin, pavarësisht se ka qenë në burg për 23 muajt e fundit. Për shkak se reagimi i Lukashenkos nuk kishte ofruar pothuajse asnjë ndihmë shtetërore ose mbulim mediatik të pandemisë COVID-19 në muajt para zgjedhjeve, bjellorusët tashmë kishin kaluar masivisht në media të pavarura, të cilat ende i lexojnë dhe i shikojnë sot, pavarësisht kërcënimit me burgim.

Ashtu si Ukraina, Bjellorusia është kulturalisht e huaj për Rusinë. Kjo është arsyeja pse bjellorusët ishin në gjendje të trullosin botën me protestat dhe kërkesat e tyre të qëndrueshme për demokraci në vitin 2020, pavarësisht se shoqëria bjelloruse i ishte nënshtruar sovjetizimit dhe rusifikimit shekullor. Bjellorusët vepruan sikur të jetonin në një shoqëri moderne, demokratike, liberale, sepse kjo është ajo që shumë bjellorusë e konsiderojnë veten të jenë (edhe pse grupet e të moshuarve janë ende të ndikuar shumë nga Rusia dhe vetë Lukashenko).

Për të mbajtur larg këtë lëvizje opozitare me bazë të gjerë, Lukashenko duhet të mbështetet në shtypjen e vazhdueshme drakonike. Më shumë se 1.000 të burgosur politikë janë dënuar me më shumë se një dekadë burg dhe 1.500 të tjerë janë burgosur për protesta kundër luftës në Ukrainë, duke përfshirë sabotimin e hekurudhave për të penguar ushtrinë ruse. Të tjerët kanë marrë dënime jozyrtare në vend, si të shtëna me pushkë në gju.

Për shembull, derisa ajo u drejtua nga një sallë gjyqi së fundmi, reporterja 28-vjeçare e Belsatit, Kaciaryna Andreyeva, i tha të shoqit: “Unë mora një dënim më të gjatë se Solzhenitsyn”. Ndërsa disidenti i famshëm rus u dënua me tetë vjet nga sovjetikët, Andreyeva u dënua me tetë vjet dhe tre muaj.

Krahasimi i bjellorusëve me ukrainasit dhe pritja e rezistencës së njëjtë është e padrejtë. Bjellorusët nuk kanë anëtarë të opozitës në parlament apo në qeveritë lokale siç kishin ukrainasit para pushtimit. Polakët gjithashtu protestuan në mënyrë paqësore kundër vendosjes së ligjit ushtarak në dhjetor të vitit 1981, sepse kjo ishte mënyra e vetme që ata mund të bënin, që të dëgjohej zëri i tyre. Dhe përderisa sindikata e Solidarnostit prej dhjetë milionësh u pakësua pas 16 muajsh funksionimi, miti mbijetoi. Një milion njerëz mund ta kenë lënë Poloninë, por pjesa tjetër qëndruan dhe nuk harruan si të dilnin në rrugë.

Përvoja e Polonisë ofron një pamje paraprake të asaj që mund të presë Bjellorusia. Polonia kishte shansin e saj për pavarësi në vitin 1989, sepse ata përfituan nga një moment i shkurtër pasigurie në Kremlin. Po kështu, kur Bashkimi Sovjetik u shemb përfundimisht në vitin 1991, Ukraina shfrytëzoi atë moment dhe fitoi sovranitetin (edhe pse Rusia e ka kërcënuar atë sovranitet që atëherë).

Lufta e dështuar e Rusisë në Ukrainë së shpejti mund t’i ofrojë një mundësi të ngjashme Bjellorusisë. Që nga viti 2020, shoqëria bjelloruse ka artikuluar vlerat e saj, mësoi artin e rezistencës afatgjate, dhe krijoi një media të lirë me bazë jashtë vendit. Dhe tani, ndoshta për herë të parë ndonjëherë, disidentët bjellorusë po i bashkohen luftës kundër Putinit në Ukrainë, ku po bëhen të famshëm për guximin dhe sukseset e tyre në fushëbetejë. (Vlen të kujtohet se në vitin 2014 Ukraina gjithashtu kishte kryesisht batalione vullnetare).

Në përvjetorin e dytë të protestave, të gjitha forcat politike arritën një marrëveshje dhe u formua një qeveri bjelloruse në ekzil e kryesuar nga Tikhanovskaya. Ajo përfshin zyrën e saj që vepron në Vilnius; Menaxhimi Kombëtar i Antikrizës, i drejtuar nga Pavel Latushka; nisma BYPOL me bazë në Varshavë të ish-anëtarëve të shërbimeve të uniformuara; Nisma e Opozitës, e cila përfshin partizanët kibernetikë; dhe regjimenti Pahonia që luftonte në Ukrainë. Këshilli Koordinues, i krijuar gjatë protestave dy vjet më parë dhe me fituesen e çmimit “Nobel”, Svetlana Alexeyevich, po shndërrohet në një zëvendësues të parlamentit.

Një ndryshim i dukshëm është se qeveria në ekzil ka tashmë degën e saj të armatosur, për të cilën janë regjistruar më shumë se 200.000 bjellorusë, të gatshëm të ngrihen kundër Lukashenkos në rastin e parë, përfshirë edhe me forcë. Deri vonë ushtarët bjellorusë dhe zyrtarët qeveritarë nuk kishin alternativa. Por tani ata kanë një zgjedhje midis qeverisë jolegjitime në Minsk dhe asaj legjitime të zgjedhur me shumicë votash në vitin 2020, kryesuar nga Tikhanovskaya. Kjo zgjedhje do të bëhet kur të krijohet mundësia, e cila mund të jetë kur poshtërimi i Rusisë në Ukrainë do ta mbërthejë Kremlinin në kaos.

(Autori, themelues i lëvizjes Krytyka Polityczna, është anëtar i lartë në Këshillin Gjerman për Marrëdhëniet me Jashtë. Vështrimi është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”).