Vështrime

Lufta dhe investitorët

Lufta dhe investitorët

Nuk arrij t’i kuptoj sidomos liderët aktualë të opozitës, sikundër edhe shumë komentues e analistë, që kur thonë se investitorët e huaj po ikin për shkak se kryeministri paska deklaruar se po rrezikohemi nga lufta. Ku janë investitorët? Çka ndodhi me ta përgjatë më shumë se dy dekadave korrupsioni, zhvatjeje, shantazhi…

Të dhimbshme janë bërë shumë deklarime, komente dhe vlerësime që po shohim dhe dëgjojmë ka disa ditë nga akterë politikë jo të paktë, nga shumë të ashtuquajtur analistë dhe përfaqësues të jetës sociale në Kosovë, për luftën dhe kinse rrezikun nga largimi i investitorëve potencialë nga Kosova, si pasojë nga apostrofimi i rrezikut real dhe kërcënimet e tejdukshme serbe për një luftë të re të mundshme serbo-shqiptare nga kreu i ekzekutivit të vendit.

Të sqarojmë që në fillim të këtij teksti, askush në këtë botë nuk e do luftën. Nuk e duan as shqiptarët, të cilët paqedashjen si popull e kanë dëshmuar me shekuj. Prandaj, aspak nuk arrij dot t’i kuptoj sidomos liderët aktualë të opozitës, sikundër që nuk e kam shumë të qartë pse shumë komentues e analistë, duke shfrytëzuar mikrofonat e televizioneve kosovare, ndër ta edhe të televizionit të vetëm publik të vendit, po i japin aq shumë publicitet çështjes së investimeve (edhe atyre kapitale edhe të jashtme), e që ka qenë edhe kompetencë edhe detyrë e të të gjitha qeverive në dy dekadat e fundit.