Vështrime

E martë, 19 korrik: një mëngjes historik për Shqipërinë

Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE është një çast gëzimi. Dhe – duhet të jetë - një çast reflektimi për të gjithë shqiptarët në Shqipëri: është e domosdoshme një klasë tjetër politike për ta anëtarësuar vendin në BE. Klasat aktuale politike nuk kanë as kapacitet, as dëshirë, as vullnet, as ide për ta bërë Shqipërinë si gjithë Europa, sepse janë thellësisht të lidhura me krim e korrupsion. Nesër është një ditë shprese dhe një ditë për të vizatuar ëndrra në horizont.

Mëngjesi i ditës së nesërme është një mëngjes historik. Mbi 30 vjet pas rrëzimit të regjimit komunist në Shqipëri, Bashkimi Europian do të hapë negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Se a do të shndërrohet mëngjesi i nesërm në ditë historike, varet se në ç’drejtim do të lëvizë Shqipëria në vitet e ardhshme. Në 30 vitet e fundit Shqipëria ka kaluar nëpër drama të vërteta – herë ka qenë buzë luftës civile, herë buzë kolapsit institucional. Krim, korrupsion e kaos kanë qenë tri fjalët dhe fenomenet mallkuese që e kanë shoqëruar vendin me dy dete e natyrë të mrekullueshme.

Për dështimet e deritanishme fajin e bartin dy partitë kryesore, socialistë e demokratë - përfshirë satelitët e tyre. Është shumë e qartë se kështu s’mund të vazhdojë më në të ardhmen nëse Shqipëria vërtet dëshiron të bëhet si gjithë Europa, ashtu siç ishte ëndrra e shqiptarëve patriotë në fillim të viteve 90-të. Shqipëria në këto dekada ka bërë shumë hapa përpara, por meritat për këtë në radhë të parë u takojnë shqiptarëve, pastaj edhe bashkësisë ndërkombëtare – më 1997 ishte ndërhyrja ndërkombëtare që e shpëtoi Shqipërinë nga shpërbërja dhe lufta e gjerë civile. Mijëra njerëz janë vrarë, miliona shpresa janë zhgënjyer, dhjetëra-mijëra shqiptarë kanë ikur drejt Perëndimit, të gjithë zemërpërvëluar që kastat e politikanëve të papërgjegjshëm nuk kanë qeverisur me duar të pastra, por grabitur me duar të përlyera.