Vështrime

Mënyra e duhur për të luftuar urinë globale

Është jetike që përgjigjet e menjëhershme ndaj krizës aktuale të urisë të mbështesin gjithashtu transformimin afatgjatë të sistemeve tona ushqimore. Albert Einstein thuhet se e përkufizoi çmendurinë si të bësh të njëjtën gjë në mënyrë të përsëritur dhe të presësh rezultat të ndryshëm. Pra, pse të përpiqeni të ringjallni sistemin e prishur në kohë krize? Nisma e G7-s do të krijonte pikënisje për transformimin shumë të nevojshëm të sistemeve ushqimore kudo. Alternativa është rritja e urisë dhe paqëndrueshmëria e mëtejshme

Sistemi global i ushqimit është thyer. Ani pse prodhon mjaftueshëm kalori për të ushqyer të gjithë, deri në 811 milionë njerëz – më shumë se 10 për qind e popullsisë së botës – çdo natë shkojnë në shtrat të uritur. Mjerisht, ende mungon qeverisja efektive për të siguruar qasje në ushqim për të gjithë. Prandaj, prioriteti kryesor duhet të jetë përpjekja e koordinuar globalisht për të trajtuar aspektet afatshkurtra dhe afatgjata të krizës së urisë.

Sot, të katër dimensionet e sigurisë ushqimore – disponueshmëria, qasja, stabiliteti dhe shfrytëzimi – kërcënohen nga efektet e kombinuara negative të ndryshimit të klimës, konfliktit, COVID-19 dhe kostos. Duke e ndërprerë tregtinë globale dhe duke i rritur çmimet e ushqimeve, këto katër dimensionet – le t’i quajmë “C”-të – po krijojnë sfidën afatshkurtër të rritjes së urisë. Në të njëjtën kohë, kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu përbën kërcënim afatmesëm deri në afatgjatë.