Vështrime

Çelësat e Mbretërisë

Këtu ka një mësim më të madh. Një politikë e jashtme e suksesshme për një fuqi globale si SHBA-ja nuk mund të zgjedhë vlerat mbi interesat. Një qasje e pastër, e përqendruar te vlerat ndaj Arabisë Saudite, ose ndaj Kinës, Rusisë, Iranit ose Koresë së Veriut për këtë çështje, është e paqëndrueshme. Masa kryesore e një politike të jashtme është se ajo i jep përparësi sigurisë së vendit mbi preferencat e tij. Realizmi duhet të mbizotërojë mbi idealizmin. Historia sugjeron se aftësia e një vendi, qoftë edhe të një vendi aq të fuqishëm sa SHBA-ja, është e kufizuar për të sjellë reforma politike në vende të tjera

Disa debate të përsëritura nxisin politikat e jashtme. Më thelbësore është se sa politikë të jashtme duhet të ketë ose si të arrihet balanca e duhur mes adresimit të çështjeve të brendshme dhe problemeve të jashtme, në formë ekstreme një debat mes izolacionizmit dhe internacionalizmit. Pastaj ka debate mbi mjetet (diplomacia kundrejt sanksioneve ose forcës ushtarake) dhe kjo nënkupton unilateralizmin kundrejt multilateralizmit. Në disa vende ka gjithashtu debate mbi atë se si politikat e jashtme duhet të ndërtohen dhe të zbatohen; në SHBA, për shembull, ky debat përfshin rolin dhe kompetencat e Kongresit kundrejt atyre të presidentit dhe degës ekzekutive.

Për demokracitë, megjithatë, ka një debat shtesë mbi qëllimet. Deri në çfarë mase duhet që politika e jashtme të synojë t’i formësojë karakteristikat e brendshme të vendeve të tjera - duke promovuar përhapjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut - në vend që të fokusohet në ndikimin në sjelljen e jashtme të vendeve të tjera, në një përpjekje për të promovuar interesa të vështira si siguria dhe tregtia.