OpEd

Hiroshima, Nagasaki, €di Rampa* bëri kakën

Nuk jam i vetmi ambasador që e përdor këtë lloj gjuhe. Të njëjtën shprehje e kishte përdorur edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kur u ishte drejtuar politikanëve kosovarë me thënien e famshme: "Mos e llini punën". Si duket, në histori të huajt na njohin për aftësinë tonë që rrjedhat historike t’i kurorëzojmë me këtë proces natyror fiziologjik. Përse të mos fillojmë edhe ne që ta shohim dhe ta kuptojmë veten për aftësinë tonë me të cilën disponojmë?

Kaloi edhe një javë përplot ngjarje të ngjeshura me aktivitete politike në rrafshin ndërkombëtar e vendor.

Gjithsesi, në qendër të vëmendjes për sferën tonë gjeopolitike të interesit mbetet takimi i radhës i iniciativës “Open Balkan”, i cili u mbajt në Ohër të Maqedonisë Veriore.

Risi e këtij tubimi ishte participimi i Malit të Zi me kryeministrin e ri, Dritan Abazoviq. Dritani ani se fillimisht, para se të mbahej ky takim, deklaroi se Mali i Zi do të merrte pjesë vetëm si vëzhgues, gjatë takimit u kuptua se ai e shtriu dorën e pajtimit që shteti i tij të jetë pjesëmarrës i iniciativës. Këso qëndrimesh kontraverse ky nuk është hera e parë që i ndërmerr. Njëjtë veproi edhe kur e pranoi koalicionin me partinë e djathtë serbe për të qeverisur Malin e Zi, koalicion ky që nuk zgjati shumë dhe që, si duket, nuk i është bërë kurrfarë lloj shkolle. Apo ndoshta qasja e tij është që ta pushtojë kështjellën e “Open Balkan”-it nga brenda. Krahas kësaj, në shtëpi ai duhet që t’u kundërvihet qëndrimeve të presidentit, Milo Gjukanoviq, i cili nuk pajtohet me përfshirjen e Malit të Zi në këtë iniciativë.

Ashtu siç kam shkruar edhe shumë herë më parë, duke e shprehur mendimin tim se përse përfshirja e Kosovës në këto rrethana të sotme në iniciativë është kundër interesave të saj, qëndrimin ma përforcuan edhe më shumë deklarimet e €di Rampës* në Ohër. Ai e relativizoi me shumë lehtësi historinë, kur i mori si shembuj armiqësitë e Luftës së Dytë Botërore midis Amerikës dhe Japonisë, si dhe Francës dhe Gjermanisë. I përmendi vetëm në mënyrë sipërfaqësore bombardimet atomike në Hiroshimë e Nagasaki që u ndërmorën nga ana e amerikanëve kundër Japonisë naziste. Harroi të cekte që para se pajtimi të ndodhte, hedhjet e bombave atomike në Hiroshimë e Nagasaki sollën vdekjen e më shumë se 300.000 njerëzve, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin civilë.

Më 6 gusht të 1945-s, vetëm disa ditë pas përfundimit të Konferencës së Potsdamit, bombarduesi amerikan Enola Gay e hodhi bombën me uranium, të njohur si "Little Boy", në qytetin japonez të Hiroshimës. Pavarësisht efekteve shkatërruese të saj, Japonia nuk e ofroi dorëzimin e pakushtëzuar menjëherë, siç kishin shpresuar Shtetet e Bashkuara. Më pas, më 8 gusht të atij viti, forcat sovjetike e pushtuan Manchurian që ishte pushtuar nga japonezët, duke e shkelur një pakt të mëparshëm mossulmimi të nënshkruar me Japoninë.

Më 9 gusht forcat amerikane hodhën "Fat Man", një tjetër bombë plutoniumi, në Nagasaki. Dy bombat e hedhura në Japoni do të vrisnin bashkërisht më shumë se 300.000 njerëz, duke i përfshirë ata që vdiqën menjëherë, si dhe ata që humbën jetët nga rrezatimi dhe efektet e tjera të vazhdueshme të shpërthimeve.

Perandori Hirohito njoftoi për dorëzimin e pakushtëzuar të Japonisë nëpërmjet një adresimi në radio më 15 të gushtit, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore. Në negociatat e paqes në Jaltë, sikurse në Potsdam, hendeku ideologjik midis Bashkimit Sovjetik dhe aleatëve të tij perëndimorë u forcua, veçanërisht kur bëhej fjalë për fatin e Evropës Lindore. Gjithsesi, nuk duhet harruar faktin se përdorimi i bombave atomike kundër Japonisë me qëllim të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ishte edhe fillimi i Luftës së Ftohtë midis Amerikës e aleatëve të saj dhe Bashkimit Sovjetik e shteteve satelite komuniste të Evropës Lindore, por edhe të garave të tyre në armatim dhe në efikasitetin e armëve të avancuara bërthamore.

Kur flasim mbi pajtimin e armiqve të përbetuar, siç ishin Franca dhe Gjermania, €di Rampa* harroi të cekte se Gjermanisë i kishte arritur fatura për të gjitha mizoritë e shkaktuara të nazizmit duke nisur nga ndarja e shtetit, pastaj nga denazifikimi i Gjermanisë, gjykimi ndërkombëtar i personave të implikuar në krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit ndaj hebrenjve, reperacionet e luftës, si dhe shumë masa të tjera ndëshkuese që Gjermaninë e kanë shoqëruar për dekada me radhë. E disa nga këto masa ishin në fuqi deri te pushtimi i tanishëm i Ukrainës nga ana e Rusisë.

Për çudi, pushtimi rus dhe mizoritë që po i shkaktohen popullatës civile në Ukrainë nuk u zunë në gojë nga asnjëri përfaqësues i “Open Balkan”-it, ani se ato mbase nuk ndërlidhen drejtpërsëdrejti me të porse si efekt global, as krijesa fantome “Open Balkan” nuk mund të jetë imune.

Disa nga mediumet u munduan që pjesëmarrjen e Amerikës në “Open Balkan” ta prezantonin si përkrahje direkte të SHBA-së për këtë projekt, mirëpo e vërteta është pak më e komplikuar sesa aq. Amerika e përkrah çdo iniciativë që ka karakter ekonomik dhe assesi politik dhe ku të gjithë pjesëmarrësit janë të barabartë. E problemi me “Open Balkan”-in qëndron pikërisht këtu. Ky është një projekt puro politik i mbështjellë në petkun ekonomik e ku €di Rampa*, nëpërmjet saj, dëshiron që Serbinë ta lejojë që të hyjë nëpër vrimën e çelësit dhe të shfajësohet për luftërat e shkaktuara në ish-republikat e Jugosllavisë. Në raport me Republikën e Kosovës, ai vazhdon që të mos e njohë atë dhe as që t’i pranojë krimet e luftës e të kërkojë falje, e lëre më që të paguajë reparacione të luftës.

Historia e ka të shënuar se Amerika e sulmoi me bomba atomike Hiroshimën dhe Nagasakin, por ajo do të shënojë po ashtu se në takimin e “Open Balkan”-it në Ohër, €di Rampa* e bëri kakën.

Nuk jam i vetmi ambasador që e përdor këtë lloj gjuhe. Të njëjtën shprehje e kishte përdorur edhe ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracey Ann Jacobson, kur u ishte drejtuar politikanëve kosovarë me thënien e famshme: "Mos e llini punën". Si duket, në histori të huajt na njohin për aftësinë tonë që rrjedhat historike t’i kurorëzojmë me këtë proces natyror fiziologjik. Përse mos të fillojmë edhe ne që ta shohim dhe ta kuptojmë veten për aftësinë tonë me të cilën disponojmë?

€di Rampa* vazhdoi me procesin e tij fiziologjik, duke thënë se sa më shumë që afrohemi ndërmjet vete, shanset rriten aq më tepër për pajtimin e ndërsjellë. E këtu prapë, në mënyrë mjeshtërore, i ik adresimit të fajtorit që i shkaktoi të gjitha të këqijat që ndodhën në ish-republikat e Jugosllavisë së atëhershme e në veçanti krimet ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. €di Rampa* kërkon që pavarësisht kakës së tij, ne të vazhdojmë, të harrojmë, të afrohemi dhe thjesht të pajtohemi, porse nuk tregoi se çfarë t’i bëjmë kundërmimit. Apo “Open Balkan”-i e parasheh dhe e ngërthen në vetvete edhe promajën e famshme ballkanike që gjithashtu do ta freskojë edhe kundërmimin.

Edhe vetë bashkësia ndërkombëtare e mbart një pjesë të madhe të fajësisë në miklimin të cilin ia bëri Serbisë qysh nga përfundimi i luftës në Kosovë. Koncesionet e shumta për të, kushtëzimet dhe koncesionet e shumta që Kosova u detyrua që t’i bëjë nën trysninë e ndërkombëtarëve dhe që edhe sot, pas 23 vjetëve që nga përfundimi i luftës dhe 14 vjet që nga shpallja e Pavarësisë së saj, mbetet vendi më i izoluar evropian dhe që pavarësia e saj nuk njihet nga pesë vendet anëtare të BE-së.

Kjo do të thotë që secili shtet po vepron sipas interesave të veta nacionale në raport me Kosovën. Edhe Kosova duhet që të sillet si e tillë në raport me interesat e veta nacionale. Dhe një “Open Balkan” i gjendjes momentale mbetet “Closed Option” për Kosovën, e të tjerët qofshin të lumtur e të hareshëm në “Open Balkanin” e tyre.

€di Rampa* gjithashtu mund të afrohet sa më shumë që do me Serbinë, mirëpo kur ta arrijë atë afrim ndoshta edhe na tregon dhe na shpjegon se pse po ndodh një armatim sistematik i Serbisë, një rritje e buxhetit për shpenzimet mbi armatimin. Si mund të ndodhë një afrim ekonomik me dikë që indirekt është rrahagjoks, që bullizon dhe që përveç supermacisë dhe fuqisë ekonomike e shtyn edhe atë ushtarake.

*Fusnota dhe € mbesin sinonim i traut 5€ për bashkëkombësit shqiptarë kosovarë dhe ajo flluskë do të shkrihet si një fjollë bore me arritjen e pranverës së parë të “Open Ballkanit” … e ajo as që ka për të arritur ndonjëherë!