Vështrime

Presioni ndaj Kosovës për “Ballkanin e Hapur” do të rritet

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shumë sukses po vazhdon të luajë lojëra jo vetëm të dyfishta, por të shumëfishta. Një ditë pasi me telefon bisedon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për “rritjen e partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Serbisë”, duke irrituar pamasë BE-në, në Beograd pret komisionarin e BE-së nga Hungaria, Oliver Verhelyi, i cili nuk ia përmend fare sanksionet ndaj Rusisë, por e lavdëron dhe promovon projekte të cilat i financon BE-ja.

Kosova do të jetë nën presion për t’u bashkuar në nismën “Ballkani i Hapur”, ani pse është një nismë e panevojshme. BE-ja, si zakonisht, do të lëshojë pe dhe mund ta pranojë edhe këtë nismë, sikur shumë të tjera, sepse nga ajo nuk ka pasoja. Për Kosovën më e rrezikshme sesa qëllimet ekonomike dhe tregtare nga kjo nismë është forma e pjesëmarrjes. Sepse Serbia nuk do të pranojë që Kosova të trajtohet si shtet. E Shqipëria nuk do, apo nuk ka fuqi, të insistojë që Republika e Kosovës të jetë si shtet pjesëmarrës i kësaj nisme. Për dallim nga kjo, në Procesin e Berlinit Kosova merr pjesë me të gjitha simbolet shtetërore. Dhe Vuçiqi nuk ka pasur problem të jetë në foto me liderët e tjerë pranë flamurit të Republikës së Kosovës. Nëse kjo nuk do t’i pengojë Serbisë në takime në Tiranë, Novi-Sad apo Ohër, atëherë edhe arsyet e Prishtinës për ta injoruar këtë nismë do të zvogëloheshin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me shumë sukses po vazhdon të luajë lojëra jo vetëm të dyfishta, por të shumëfishta. Një ditë pasi me telefon bisedon me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për “rritjen e partneritetit strategjik mes Rusisë dhe Serbisë”, duke irrituar pamasë BE-në, në Beograd pret komisionarin e BE-së nga Hungaria, Oliver Verhelyi, i cili nuk ia përmend fare sanksionet ndaj Rusisë, por e lavdëron dhe promovon projekte të cilat i financon BE-ja.

Vuçiqi në këtë mënyrë u jep një goditje të fortë atyre në BE që thonë se “Serbia nuk mund të jetë e ulur në dy karrige”. Dëshmon se ai me sukses po vazhdon ta dëshmojë të kundërtën. Edhe paratë e BE-së, edhe gazin e lirë nga Rusia, edhe partneritet strategjik me Rusinë, edhe rrugë të privilegjuar drejt BE-së. Me asnjë veprim, pos me deklarata publike, BE-ja nuk ka dëshmuar se Serbia mund të ketë pasoja nga refuzimi i saj për t’i mbështetur sanksionet ndaj Rusisë. Lojë të suksesshme, Vuçiqi dhe Serbia po vazhdojnë të luajnë edhe në rajon. Në kohën kur i ka acaruar tej mase raportet me Kroacinë dhe kur ka shtuar edhe retorikën, edhe veprimet kundër Kosovës, Vuçiqi dhe Serbia nënvizojnë se me Republikën e Shqipërisë “asnjëherë nuk i kanë pasur raportet më të mira”.