OpEd

Ukraina do të rindërtohet më mirë

Është inkurajuese të shohësh se BE-ja po shqyrton se si ta ndihmojë Ukrainën të rindërtohet. Angazhimi ndaj një Plani Marshall për vendin do të jetë mënyra më e mirë për t'i treguar presidentit rus, Vladimir Putin se agresioni i tij brutal nuk do të shpërblehet. Shpresoj që miqtë tanë evropianë dhe të NATO-s të kuptojnë se mbështetja e lirisë dhe rimëkëmbjes së Ukrainës do të përfitojë paqen, sigurinë dhe prosperitetin global.

Pas 100 ditë luftimesh të ashpra, është e vështirë të fillosh të mendosh për rindërtimin e Ukrainës kur bombat ruse ende bien mbi civilët e pafajshëm. Mirëpo, janë pikërisht këto kohë krizash dhe katastrofash në të cilat duhet të mendojmë për ato që vijnë më pas. Mbi të gjitha, fuqitë kryesore perëndimore duhet të luajnë rol qendror në mbështetjen e rindërtimit të Ukrainës.

Për këtë qëllim, Komisioni Evropian së fundmi propozoi krijimin e strukturës “Rindërtimi i Ukrainës” për të kanalizuar grantet dhe huatë për vendin. Mirëpo, nevojat e mëdha financiare të Ukrainës do të kërkojnë që Bashkimi Evropian të identifikojë burime të reja financimi, të cilat duhet të përfshijnë rezervat e ngrira të këmbimit valutor të Bankës Qendrore të Rusisë, si dhe fondet e konfiskuara më parë nga ndërmarrjet shtetërore ruse dhe asetet e sekuestruara nga oligarkët e sanksionuar rusë.

Ekspertët e rindërtimit rekomandojnë analizimin e detyrës së rindërtimit nëpërmjet objektivit të fatkeqësisë natyrore: si një tërmet ose përmbytje. Në fazën fillestare të përzgjedhjes së përgjigjes, qeveria duhet të ndalojë gjakderdhjen – siç po bën Ukraina. Kjo do të thotë të luftosh dhe të dëbosh pushtuesit rusë nga i gjithë vendi, duke përfshirë rajonin e pushtuar të Donbasit dhe Krimenë.

Çdo ditë po bëhet më e qartë se mbrojtësit e Ukrainës – qoftë nga forcat vullnetare të mbrojtjes territoriale apo vetë ushtria – kanë guximin, vendosmërinë dhe forcën morale për të fituar këtë luftë. Për fat të keq, Ukraina deri më tani, nuk ka marrë asistencë të mjaftueshme ushtarake apo ndihmë humanitare për ta kthyer ekuilibrin krejt në favor të saj. BE-ja njoftoi për planin e rindërtimit në të njëjtën ditë kur rreth 1 mijë luftëtarë ukrainas u evakuuan nga fabrika e çelikut Azovstal në Mariupol – qendër ekonomike vitale e prodhimit të metaleve të Ukrainës, pasi e mbrojtën atë për mbi 80 ditë.

Qëkur Rusia nisi pushtimin e saj brutal më 24 shkurt, Ukraina ka luftuar në këtë luftë në vijën e parë të Evropës me një dorë të lidhur pas shpine. Shumë nga aleatët e Ukrainës kanë bërë deklarata madhështore të mbështetjes dhe kanë dënuar Rusinë, por ose nuk kanë dërguar ose kanë qenë në mënyrë të pafalshme të ngadaltë në dërgimin e armëve që i duhen Ukrainës. Ukrainasit janë në luftën e Evropës duke mbrojtur vlerat e kontinentit dhe duke mbajtur larg Rusinë imperialiste. Fatkeqësisht, shumë shtete evropiane sillen sikur siguria e tyre të mos ishte kërcënuar.

Edhe pse ukrainasit luftojnë kundër pushtuesve, ata në zonat e çliruara, si qytetet dhe fshatrat në veri të Kievit, kanë filluar të rindërtojnë shtëpitë dhe jetët e tyre. Por nuk mund ta bëjnë këtë të vetëm.

Ne jemi mirënjohës për 4.1 miliardë euro (4.4 miliardë dollarë) të asistencës së BE-së deri më sot, dhe mirëpresim 9 miliardë euro shtesë në mbështetjen makro-financiare të propozuar së fundmi nga Komisioni. Mirëpo, kjo luftë po i kushton Ukrainës qindra milionë dollarë në ditë. BE-ja vlerëson se deri në përfundimin e konfliktit, fatura e riparimit vetëm për infrastrukturën fizike mund të shkojë në të paktën 100 miliardë euro.

Kur Ukraina të jetë sërish e lirë, qendrat industriale, portet dhe qytetet e saj do të duhet të rindërtohen. Vendit do t’i duhet pako stimuluese të llojit si Plani Marshall që ofron injeksion të menjëhershëm parash për të nisur ekonominë, si dhe vende pune për ukrainasit dhe kontrata për firmat evropiane, amerikane dhe kanadeze. Por ukrainasit nuk do të rindërtojnë vetëm atë që rusët kanë shkatërruar. Ata do të rindërtohen më mirë.

Fitorja jonë eventuale në këtë luftë do të jetë mundësi për ta kthyer një moment katastrofik në historinë e vendit në vizion epik të një Ukraine të lirë, moderne dhe evropiane. Duke luftuar këtë luftë, Ukraina ka treguar se do të jetë anëtare e fortë dhe e besueshme e BE-së dhe NATO-s. Kur ukrainasit të rindërtojnë vendin e tyre, do ta bëjnë këtë në një mënyrë që përputhet me projektin evropian. Ukraina do të jetë demonstrim i qëndrueshëm i një shoqërie tolerante dhe të hapur, vend i përkushtuar për të mbrojtur popullin dhe vlerat e saj.

Për më tepër, rindërtimi i Ukrainës do t’i përmbahet vizionit të qëndrueshmërisë mjedisore. Një pjesë e së ardhmes evropiane të vendit do të përfshijë përfundimin e varësisë nga karburantet fosile të Rusisë. Ukraina tashmë ka filluar të integrojë rrjetin e saj energjetik me atë të Evropës. Me rritjen e ritmit të rindërtimit, politikëbërësit synojnë të integrojnë plotësisht infrastrukturën energjetike të vendit me rrjetet evropiane, të diversifikojnë importet dhe të nxisin burimet e rinovueshme. Në fakt, Ukraina do të bëhet central elektrik i energjisë së pastër plotësisht në frymën e Marrëveshjes së Gjelbër Evropiane të BE-së.

Është inkurajuese të shohësh se BE-ja po shqyrton se si ta ndihmojë Ukrainën të rindërtohet. Angazhimi ndaj një Plani Marshall për vendin do të jetë mënyra më e mirë për t’i treguar presidentit rus, Vladimir Putin, se agresioni i tij brutal nuk do të shpërblehet. Shpresoj që miqtë tanë evropianë dhe të NATO-s të kuptojnë se mbështetja e lirisë dhe rimëkëmbjes së Ukrainës do të përfitojë paqen, sigurinë dhe prosperitetin global. Zhdukja e ambicieve perandorake të Rusisë dhe rindërtimi i Ukrainës është sfidë me të cilën populli ukrainas nuk duhet të përballet i vetëm.

(Paul Grod është president i Kongresit Botëror të Ukrainës. Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore” Përktheu: Gent Mehmeti)