Vështrime

Partia e korrupsionit denoncon korrupsionin - dhe ky është lajm i mirë!

Është e pazakonshme dhe gjithsesi përparim i madh për higjienën publike të shihet tani PDK duke denoncuar korrupsionin. Ndonëse kjo parti nuk ka aq kredibilitet për shkak të së kaluarës së saj aspak të lavdishme sa i përket qeverisjes, akuzat për korrupsion ndaj pushtetit të ri duhet të merren seriozisht nga drejtësia - dhe nga pushteti i ri. Vetëm krijimi i përshtypjes se ky pushtet mund të vjedhë, është goditje e rëndë ndaj gati 500 mijë qytetareve dhe qytetarëve, të cilët kanë votuar për ndryshime rrënjësore politike. VV ende nuk e ka kuptuar se treni i ndryshimeve të premtuara gati i ka dalë nga binarët.

Partia që për dy dekada e ka ndërtuar sistemin korruptiv-klientelist (me ndihmën e «partnerëve të koalicionit»), partia që e ka kontrolluar gati çdo ndërmarrje publike, që e ka dirigjuar pothuaj çdo tender, që ka mbajtur fshehtë kontrata për ndërtime të autostradës, që ka shitur gati falas apo dhënë me koncesion (gati falas) disa ndërmarrje të rëndësishme publike, partia që dyshohet se u ka dhënë tender krerëve të mafisë parapolitike serbe në veri, partia që për vota në parlament ka shitur poste publike si patate në pazar - kjo parti tash po merret me denoncimin e korrupsionit.

Është përparim i madh ky, në një mënyrë, por nga ana tjetër, gjithsesi, mund të shtrohet pyetja: sa kredibile janë këto denoncime? Drejtësia duhet t'i marrë shumë seriozisht denoncimet, padyshim, dhe pa marrë parasysh se nga cili drejtim vijnë akuzat (qoftë edhe nga PDK), por drejtësia e përgjumur duhet të shikojë, natyrisht, edhe të kaluarën e partisë që zellshëm po i denoncon aferat, sipas saj, korruptive të pushtetit aktual.