OpEd

Një rrëfim për pazarin dhe bibliotekën

Nëse dikur politika ka qenë pengesë për bibliotekën, tash nuk do të duhej të ishte. Tuzi është komunë që nga 2018-a dhe pushtetin e mban vetë. Edhe nëse nuk ka fonde të mjaftueshme, nuk do të duhej të ishte vështirë për diasporën që të kontribuonte e madje edhe vetë ta ndërtonte. Sepse libri dhe nxënia nuk kanë të paguar

Të hënën e shkuar e “festova” Ditën e Evropës me një foto tradicionale, kësaj radhe nga rruga ku jetoj, ku pos veturave të parkuara shiheshin vetëm drunjtë dhe asfalti. Kjo, për të treguar edhe një herë vizualisht se çfarë populli punues jemi. Mbështetur në atë fotografi, del se jemi njerëz pushues, më parë sesa punues. Nejse, nuk zbulova gjë të re.

E vazhdova “festën” rrugës për në Tuz. Na e mori gati gjysmë ore që të dilnim nga qyteti, për shkak se rrugët Xhorxh Bush dhe Garibaldi ishin mbyllur për qarkullim. Dhe meqë jemi botërisht të njohur si njerëz që gjithë ditën ankohemi se është shtrenjtuar benzina, porse kurrë nuk u zbresim veturave, rezultati qe ky: futja në kolonë të gjatë thuajse deri në Fushë- Kosovë e më pas shtegtimi drejt qytezës/komunë të Malësisë për një përurim libri.

* * *

Herën e parë që kisha shkuar në Tuz ishte para më shumë se 25 vjetësh. Atëherë punoja në UNICEF dhe u kishim shkuar në vizitë bashkëpunuese kolegëve të zyrës së UNICEF-it në Podgoricë, për të kuptuar se si duhej organizuar puna e zyrës së porsahapur në Prishtinë. Dallimi shumë i madh ishte se zyra në Podgoricë zyrtarisht njihej si e tillë nga Qeveria e Malit të Zi, kurse e jona në Prishtinë më parë i ngjante një zorre qorre të ngjitur për Entin e Shëndetësisë Publike të Kosovës nën masat e dhunshme, sesa një zyre terreni. Me Kosovën e okupuar atëherë, UNICEF-it nuk i lejohej zyrtarizimi i zyrës së terrenit në Prishtinë për të shmangur çfarëdo “keqkuptimesh” me Beogradin e Millosheviqit rreth statusit politik të Kosovës.

Nejse, në Podgoricë pamë organizimin, kuptuam logjikën e punës burokratike të një organizate të OKB-së në fushë dhe me të përfunduar pjesa zyrtare i kishim dy opsione në tavolinë: o dilnim kafeve nëpër Podgoricë, o shkonim për ta parë atraksionin më të madh të kohës, pazarin e Tuzit, që ekspozonte mall, vështirë të përshkruhet për nga sasia dhe lloji.

Do të kemi parasysh se në atë kohë ajo që kishte mbetur nga Jugosllavia mezi kishte dalë nga hiperinflacioni absolutisht surreal dhe se ngadalë po e stabilizonte valutën, përderisa kishte mungesë të shumë produkteve, të cilat nuk kishte para për t’i importuar.

Se kujt i kishte rënë ndër mend krijimi i një tregu ku mund të blije shumë, shumë gjëra, me çmime shumë të volitshme, nuk e di. E di që për të hyrë nëpër atë pazar, në pranverën e hershme, ishte art më vete. Lloçi i gjthëpërhapur do të mund të kalohej po qe se kishe çizme të thella gome apo nëse qëllon ta gjesh një shitës inventiv që do t’i dhuronte dy qese najloni me të cilat do t’i mbështillje këpucët. Natyrisht, këtë e bëje me rrezikun se do të mund ta thyeje qafen po qe se nuk je i kujdesshëm e rrëshqet.

* * *

Prodhimet e ofruara aty ishin kryesisht nga Kina. Të mira a të këqija kryenin punë – në kohën kur nuk gjendeshin ngrohëse elektrike, në Tuz e gjeje një radiator të mbushur me vaj për 100 marka copën. Thoshin se çmimi është ideal. Nuk e di a ka qenë ideal, porse kur nuk kishte ngrohje të qytetit, ishte e vetmja pajisje që nuk të lejonte të ngriheshe në shtëpi. Po get paska qenë ideale.

Gjeje gjithçka që ta merrte mendja se do të të hynte në përdorim – nga peri e gjilpëra e deri te radiot me llamba të integruara anësore e qendrore, që na u bënë hit gjatë bombardimit. Se pos që akumulonin energjinë, na jepnin lajme e dritë, atëherë kur me të nisur bombardimi ndaleshin dritat.

Kishte edhe llamba më të sofistikuara neoni – ato ishin pak më të shtrenjta, sepse akumulonin më shumë. Dhe, nuk do të dija t’jua tregoja numrin e llambave të tilla që kisha parë në Bllacë, atëherë kur më kishin dëbuar prej këtu (këtë pjesë të rrëfimit tashmë e kam përshkruar disa javë më herët te teksti “Treni”).

Atëherë më ishte dukur sikur pazari ishte shtrirë mbi shumë hektarë tokë – nuk e di nëse do të ketë qenë kështu, porse kisha krijuar përshtypjen se ky kishte qenë vendi i vetëm, i cili u jepte punë njerëzve nga lokaliteti dhe fshatrat përreth, që konsiderohej paralagje e Podgoricës.

Punë, njerëzve të një vendi qëllimisht të lënë pas dore për shkak se ishte i banuar me shumicë shqiptare.

Nga ajo kohë mbaja mend kishën dhe xhaminë – jo fort larg njëra-tjetrës... mbaja mend ndriçimin e dobët dhe rrugën e dëmtuar që çonte deri aty. Nuk më ra ta takoja askënd, kështu që krejt çka mësova nga Tuzi, në 1996-n e largët, qe se ishte bërë qendra e blerjes së mallit që nuk e gjeje tjetërkund dhe që askush nuk pyeste as nga erdhi, as kush e solli.

* * *

Do të kthehesha në Tuz dy vjet më vonë, kur me ekipin e UNICEF-it kishim shkuar për t’i vizituar refugjatët e dëbuar nga Kosova, kryesisht nëpër vendbanimet e dominuara me shqiptarë. Ironia e radhës ishte se atëbotë kishim kthyer trysninë te menaxhmenti i UNICEF-it që ta rihapte zyrën e Podgoricës, ndërkohë që tashmë kjo e Prishtinës kishte një status më të avancuar me prezencë ndërkombëtare.

Fluksi jashtëzakonisht i madh i refugjatëve që ishin vendosur nga kishin mbërritur, Plavë, Guci, Ulqin, Tuz, fusha e kodra – përkraheshin pa rezervë nga popullsia e vendit me aq sa kishin.

Mbase e gjitha kishte ndryshuar, pos një gjëje: pazari i Tuzit ende operonte, me të njëjtin intensitet dhe në të njëjtin lloç.

* * *

Kaluan shumë vjet që rruga nuk më çonte më andej. Deri para nja tre vjetësh nuk mund as ta parafytyroja vendin dhe me gjithë mundin e kisha shumë të vështirë ta dija saktësisht se në ç’vend kishte operuar tregu i famshëm. Ngado që do të tregoja me gisht, nuk e besoj se do të gaboja shumë: Tuzi është i rrafshët dhe jo aq i madh, pavarësisht kohës së kaluar. Për shkak se Tuzi nuk ka shumë popullatë, gjithsej rreth 4.5 mijë në qytezë dhe nja 6.5 mijë nëpër fshatra. Nuk ka, sepse e ka diasporën e madhe – besohet se ka më shumë mërgimtarë në Amerikë, sesa banorë në vend.

Prandaj, edhe ishte e një rëndësie të posaçme që, ashtu rastisi, “Ditën e Evropës” ta kremtoja në Tuz, në përurimin e romanit që e fitoi shpërblimin më të çmuar të shtëpisë sonë mediale, në vitin 2021.

Në sallën e Shtëpisë së Kulturës u mblodhën mbi 100 veta për të na dëgjuar tek flisnim për librin. Aty ishim një gazetar e jurist nga Shqipëria; unë nga Kosova dhe dy folës nga vendi – një profesor dhe fituesi i shpërblimit, Mark Pashku. Mua m’u duk jashtëzakonisht impresive që e flisnim shqipen secili me theksin e vendit të origjinës, që mbase kishim intonacion të ndryshëm e të nuancuar, e që megjithatë përçonim porosinë te publiku ashtu që ai të na kuptonte pa asnjë problem.

Përurimi i asaj dite ishte vërtet një ngjarje që duhej shënuar: një 36-vjeçar nga Malësia kishte shkruar një roman tejet interesant dhe me një dinamikë që nuk të lë ta lëshosh librin nga dora deri në faqen e fundit. Kishte marrë kurajën të konkurronte dhe në fund edhe të fitonte me vendimin unanim të jurisë profesionale.

Për ne, si themelues të këtij shpërblimi, ishte një sukses i paparashikuar që na shkaktonte edhe ndjenje krenarie – sepse Marku ishte, në njëfarë forme, produkt i Universitetit të Prishtinës, i cili me aq shumë mund u themelua nga brezi i prindërve tanë para 50 e sa vjetësh.

Ishte mbase dëshmia më e mirë se hapja e dyerve të universitetit publik për studentët e krejt trojeve shqiptare, pavarësisht nga vijnë, ka qenë e duhur – sepse historia e ka vërtetuar shumë herë se populli i paarsimuar sundohet më lehtë.

* * *

Marku është një nga ata që kanë kryer shkollë dhe kanë mbetur në Malësi në përpjekje për t’i përmirësuar kushtet e jetesës dhe për t’i dhënë perspektivë brezit të ri. Ka mbetur në Tuz, u ka dhënë mësim nxënësve të fillores e të mesmes në vendlindje, e tash është këshilltar komunal. Kur u takuam nja dy muaj para përurimit, ishim marrë vesh që ai ta ndërmerrte nismën për themelimin e bibliotekës së Tuzit, ndërkohë që KOHA do ta përkrahte institucionin me aq botime sa do të kishte mundësi, duke u bërë thirrje njëkohësisht edhe botuesve të tjerë që të ndihmojnë.

Nëse dikur politika ka qenë pengesë për bibliotekën, tash nuk do të duhej të ishte.

Tuzi është komunë që nga 2018-a dhe pushtetin e mban vetë. Edhe nëse nuk ka fonde të mjaftueshme, nuk do të duhej të ishte vështirë për diasporën që të kontribuonte e madje edhe vetë ta ndërtonte. Sepse libri dhe nxënia nuk kanë të paguar.

Pazari i Tuzit më nuk është. S’është as biblioteka. Porse vendi po e pret.

flaka@koha.net