Vështrime

Një globalizim më i mirë nga hiri i hiperglobalizimit

Shkurtimisht, bota jonë e ardhshme nuk duhet të jetë një botë ku gjeopolitika kapërcen gjithçka tjetër dhe vendet ose blloqet rajonale minimizojnë ndërveprimet e tyre ekonomike me njëri-tjetrin. Nëse ai skenar distopian konkretizohet, nuk do të jetë për shkak të forcave sistemike jashtë kontrollit tonë. Ashtu si me hiperglobalizimin, do të ndodhë për shkak se kemi bërë zgjedhje të gabuara

Epoka e hiperglobalizimit e pasviteve 1990 tani zakonisht pranohet se ka marrë fund. Pandemia e COVID-19 dhe lufta e Rusisë kundër Ukrainës i kanë ulur tregjet globale në një rol dytësor dhe në rastin më të mirë mbështetës pas objektivave kombëtare – në veçanti, shëndetit publik dhe sigurisë kombëtare. Mirëpo të gjitha bisedat për deglobalizimin nuk duhet të na verbojnë ndaj mundësisë që kriza aktuale mund të prodhojë në fakt një globalizim më të mirë.

Në të vërtetë, hiperglobalizimi ishte në tërheqje që nga kriza financiare globale e viteve 2007-08. Pjesa e tregtisë në GDP-në botërore filloi të bjerë pas vitit 2007, pasi raporti i eksportit ndaj GDP-së së Kinës ra me 16 pikë përqindje të dukshme. Zinxhirët e vlerave globale ndaluan së përhapuri. Flukset ndërkombëtare të kapitalit nuk u rikthyen kurrë në lartësitë e tyre para 2007-s. Kurse politikanët populistë haptazi armiqësorë ndaj globalizimit u bënë shumë më me ndikim në ekonomitë e përparuara.