OpEd

Një recetë pa ilaçe

Mbi një recetë të mjekëve kanadezë për dembelë – dhe disa ecje në natyrën e mrekullueshme të Kosovës dhe Zvicrës

1.

Pothuaj askush nuk shkon te mjeku pa ndonjë zor. Kur shkon te mjeku, ai të pyet: “Çfarë e mire ju solli këtu?” Ose: “Çfarë halli ke?” Ose: “Ku të dhemb?” E kështu me radhë. Shumë njerëz shkojnë te mjeku nga halli, por ka edhe të tjerë që shkojnë për shkak se janë dembelë. Kundër dembelëve mjekët kanadezë kanë gjetur një ilaç: “Park prescription”. Receta me këtë përshkrim nuk kushton asgjë. Nuk është ilaç i prekshëm, është urdhër për të qëndruar në ajër të pastër, për të ecur në natyrë. Kush ka një recetë të tillë, ka të drejtë të hyjë falas në parqet nacionale të Kanadasë. Projektin e kanë iniciuar drejtoritë e parqeve nacionale të Kanadasë. Që nga shkurti, mbi 4000 mjekë, psikologë dhe ekspertë të tjerë të shëndetësisë janë regjistruar për t’u lëshuar pacientëve receta pa ilaçe, pra këshilla urgjente për të ecur në natyrë. Çka sjelle ecja në natyrë? 20 minuta shëtitje në mal ulin tensionin e gjakut dhe reduktojnë hormonin e stresit të quajtur koristol. Kush kalon një kohë të caktuar në natyrë, jeton më gjatë. Të gjitha këto janë të dëshmuara nga studimet e shumta. Disa shembuj nga praktika. Shembulli parë nga Kosova.

2.

Kur është moti i kthjellët, nga qyteti i Zürichut mund t’i numërosh njërën pas tjetrës kodrat e alpeve të kantonit të Glarusit. Kur është moti i kthjellët, sapo të nisesh nga Prishtina në drejtim të Ferizajt, mund t’i numërosh disa nga kodrat e Sharrit, që shtrihen si gjerdan i bardhë dhe e ndajnë (ose bashkojnë) Kosovën me Maqedoninë. Shquhet, natyrisht, Luboteni gjithëmbizotërues mbi natyrën madhështore të Kosovës.

Por në një ditë prilli të këtij viti, caku ynë (me alpinistin Granit Temajn) ishte Maja e Bistrës. Me 2615 metra lartësi mbidetare kjo është kodra e tretë për nga lartësia në Kosovë. Ngjitja në këtë kodër bëhet përmes Prevallës, aty ku kanë vilat e tyre politikanë lokalë e nacionalë të Kosovës dhe ku arkitektët vendorë kanë projektuar kryesisht vetëm shëmti ndërtimore.

Pesë orë të mira duhen llogaritur për t’u ngjitur në Majën e Bistrës. Në fillim, terreni ishte pa borë, pastaj aty-këtu me borë dhe - në etapën më të gjatë - me borë. Aty ku s’kishte borë, natyra kishte nisur të gufojë përmes luleve ngjyrë-ndezura. Për Granitin kjo ishte ngjitja e tetë në Bistra, për mua e para.

Pamjet në Majën e Bistrës janë një spektakël natyre. Nga aty (hajde se po e teprojmë pak!) shihet gjysma e Ballkanit: kodrat e bukura të Kosovës mbi Prizren e Suharekë, në anën tjetër Tetova dhe fusha e Pollogut, pastaj Brezovica. Afër Bistrës është burimi i Lumbardhit (Bistricës) që kalon nëpër Prizren. Në Majën e Bistrës pamë skulptura bore në formë të akullnajave të Europës veriore, alpeve të Himalajeve apo Andeve latinoamerikane. Ishte një Kosovë tjetër atje lart, e bukur, e paprekur ende. Javëve të fundit gjurmë mbi borë kishte lënë vetëm pluhuri i Saharës.

Kthimi zgjati nja dy orë. Ndërsa ne ktheheshim, një grup ngjitej në Bistra. Në shtegun drejt Prevallës mblodhëm disa shishe plastike që “adhuruesit e natyrës” i kishin hedhur në natyrë. Të tillët e meritojnë një mallkim tradicional shqiptar: ju thaftë dora çdo shishehedhësi! Kulmi i tmerrit ishte kur pranë Prevallës pamë një familje të tubuar rreth një info-tabele të rrëzuar. Dikush e kishte nxjerrë me rrënjë këtë tabelë. Një djalë kishte hipur mbi të dhe kërcente sa mundte me këmbë me ambicien barbare për ta shkatërruar, ndërsa familja shikonte me kureshtje këtë “vepër heroike”. Pas çdo hapi që bëmë drejt tyre, ata filluan të largohen nga aty, njëri pas tjetrit. Më mirë të kishim qëndruar edhe pak te Maja e Bistrës, ndoshta nuk do ta shihnim këtë mjerim kosovar. (Bilanci i ditës: rreth 7 orë ecje, 16 kilometra, gati 23 mijë hapa).

3.

Ditët e fundprillit mund të fillojnë edhe në zemër të Zvicrës. Për shembull në Einsiedeln, një qytezë në kantonin e Schwyz-it. Me saktë te Manastiri i Einsiedeln, një ndër qendrat e katolicizmit europian dhe i njohur për Madonën e Zezë. 800 mijë pelegrinë dhe turistë e vizitojnë Manastirin çdo vit. Dhe s’ka si të jetë ndryshe pos kështu: hoteli përballë Manastirit i takon një shqiptari. Shtegu ngjitet në lartësi, hap pas hapi, dhe dikur shfaqet pamja madhështore e dy kodrave mitike të Zvicrës qendrore: Kleiner Mythen, Grosser Mythen. Dhe Liqeni Sihlsee. Dhe ecja mbaron, rreth e rrotull, prapë në Einsiedeln. Dita qe e bukur, me diell, me pak erë freskuese, prapë me diell, dhe askund njeri i gjallë.

Mjaft kohë për të dëgjuar rrëfimet e Thomas Hürlimannit, shkrimtar i madh zviceran, i cili më 1963 nisi të vijojë shkollën në Manastirin e Einsiedeln dhe kaloi aty 8 vjet. Një raport për një botë herë të hareshme, herë të zbehtë... Ose, siç thotë Hürlimann, në Manastir koha e kaluar ishte e “thartë”. Jashtë Manastirit koha e kaluar në atë ditë prilli ishte – e ëmbël. Borë në kodrat që dukeshin në horizont dhe pranverë në zemrat e bjeshkatarëve. Bilanci i ditës: 23 kilometra, 31 mijë hapa, rreth 7 orë ecje.

4.

Eggiwil është një fshat i “përgjumur” në trevën e Emmentalit (Emitau, siç i thonë banorët vendas) në kantonin e Bernit. Ka disa restorante të mira me emra si “Luani”, “Arusha” e “Kaprolli” dhe 80 kilometra shtigje për të ecur nga ku shihen alpet e bukura të Bernit. Rämisgummen mbi Eggiwil konsiderohet si njëra ndër trevat më të bukura me stane e vathë për bagëtitë dhe kasolle për barinjtë e bulmetin. Gjendet mes 1200 – 1300 metra lartësi mbidetare. Hapësira prej 130 hektarësh ofron kullota të mjaftueshme për 220 krerë bagëtish. Bjeshkatarë, endacakë e bredharakë mund të freskohen në restorantin malor “Erika”. Shtegu ishte 19 kilometra i gjatë. Bujqit ofrojnë për të shitur prodhimet e tyre, disa edhe vezë shkurteje. Shkurta, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe, është zog shtegtar që i ngjan thëllëzës, me pupla të murrme e lara-lara, me këmbë të shkurtra dhe me mish shumë të shijshëm.

Në Emmental ka shërbyer si prift shkrimtari i njohur zviceran Jeremias Gotthelf (1797-1854). Ai e ka përshkruar kështu Emmentalin: “Horizonti i tij është ngushtë i kufizuar me kodrina malore, rrëzë të cilave shtrihen lugina të panumërta, të ujitura nga përrenjtë gurgullues, të cilët me murmurimë të qetë rrokullisin zhavorrin e tyre derisa ta gjejnë prehrin e Emmes (emër lumi, v.j.)”.

Për banorët e Emmentalit, Jeremias Gotthelf ka shkruar:

“Njeriu i Emmentalit i ngjan vendit të tij. Horizonti i tij nuk është i gjerë, por çfarë gjendet afër tij, ai e shikon me zgjuarsi dhe mendjemprehtësi; të renë nuk e rrok shpejt... por çfarë e nxë njëherë, atë e mban me forcë mrekullisht të paepur. Shumë nuk flet, zhurmë nuk bën; aty ku e vë dorën, s’i shqitet punës deri sa gjithçka të jetë në rregull...”.

PS. Ditë më vonë gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” shkroi se nga treva e Eggiwilit rrjedh familja e nënës së Elon Muskut, pronarit të ri të Twitterit dhe pronarit të Teslas dhe shumë ndërmarrjeve të tjera.

5.

Me 41 mijë kilometra katrorë Zvicra përbën më pak se 0,5 për qind të territorit të Evropës. Një vend i vogël – me territor. Por të shkosh nga pjesa e epërme e Liqenit të Zürichut në Gjenevë, madje pak më tutje, në fshatin Hermance buzë Lac Lémanit (Liqenit të Gjenevës), duhen mbi katër orë. Bota i takon durimtarit. Kush niset në orën 06:00 me tren nga Zürichu drejt Gjenevës, është udhëtar me fat: treni është pothuaj i zbrazët. Po ashtu edhe restoranti i trenit. Kamerieri në dukje aziatik s’ka ndonjë punë tjetër përveç se të sjell kafenë dhe një “Croissant”, një kifle.

Pak para orës 09:00 treni ndalet në stacionin kryesor në Gjenevë, aty e tutje me autobusin e parë nja tri-katër stacione, pastaj me autobusin e dytë nëpër katër-pesë fshatra dhe – hop – përnjëherë shfaqet me krejt madhështinë e tij fshati Hermance buzë Liqenit të Gjenevës.

Këtu (në orën 09:30) fillon ecja lëndinave të trevës së Gjenevës drejt fshatrave Anières, Corsier, Gy, Jussy, Lullier deri në Choulex. Një shteg i bukur nëpër një rrafshinë mahnitëse, mes arave me kolzë e grurë, pyjeve, vreshtave, fushave të pafundme, stallave me kuaj për kalërim, rezidencave, vilave e shtëpive të bukura dhe shumica të vjetra, të ruajtura me kujdes. Në anën e djathtë, pamja e liqenit, në anën e majtë – Franca. Një ditë e paharrueshme pranverore. 22 kilometra, 30 mijë hapa, rreth 6 orë ecje. Nga Choulex me autobus deri në qendër të Gjenevës. Pastaj me autobusin tjetër deri në stacionin e trenit. Kështu ishte plani, por atë ditë qëlloi një Maji dhe disa qindra punëtore e punëtorë kishin vërshuar rrugët për të marrë pjesë në marshin tradicional. Sërish qëlloi një burrë aziatik, i cili me të bijën e tij po shkonte në stacionin e trenit dhe me përzemërsi aziatike e udhëzoi udhëtarin e lodhur drejt stacionit të trenit. Tani e tutje, s’kishte më asnjë arsye për t’u bërë merak.

6.

Një shteg tjetër: nga fshati Märstetten (kantoni Thurgau, i njohur edhe si kantoni i mollëve) në Konstanz, qytet në Gjermani pranë liqenit me të njëjtin emër. Në fillim plani s’funksionoi dhe për këtë fajet i pati Gerhard Polt, legjenda e humorit gjerman. Një intervistë e tij ma kishte pushtuar vëmendjen dhe befas u gjenda në Weinfelden. 20 minuta durim dhe me trenin e njëjtë prapa në Märstetten.

Në fillim rruga qe e mërzitshme: mes ndërtesave të një zone industriale dhe një rruge nëpër të cilën kalonin kamionë frikshëm viganë. Por pas pak natyra hapet me krejt madhështinë e saj. Ara të sapo lëruara (dheu dukej si hallvë e freskët), ara të mbjella me kolzë (nga e cila prodhohet vaj), pastaj disa tabela me informacione mbi rrugën e vuajtjeve të profetit të myslimanëve, Hazreti Isës, të birit të Mejremes, përndryshe më shumë i njohur si Jezu Krishti, profeti i të krishterëve. Të cilëve nuk u pëlqen (ose nuk u ka pëlqyer gati 2000 vjet) që Jezusi, pra Hazreti Isa i myslimanëve, ka qenë - hebre.

Duke gdhendur mendime të tilla arrita në Konstanz, ku Pizzeria "O Sole Mio" ofronte edhe specialitete superitaliane si "Pizza Istanbul" (me suxhuk) dhe "Rigatoni Ankara". Natyrisht që një kombinim i tillë transkulinarik është absurd, qesharak. Pizza me suxhuk e me hudhër nga Stambolli? I bie si të hash kaviar me sytliaç! Për fat të mirë në Konstanz ka edhe restorante të tjera. Libanezi aty afër i qëndron besnik kuzhinës fantastike mesdhetare libaneze!

Konstanza vërshohet shpesh nga hordhitë e konsumatorëve zviceranë. Arsyeja? Çmimet e lira të artikujve të ndryshëm. Diferenca mund të jetë shpesh mbi 50 për qind.

Diçka nga intervista e Gerhard Polt: ai e ka një skeç ku nuk bën asgjë, vetëm ha një shnicël, dhe kjo pothuaj e hallakat publikun. Ka një talent që me pak fjalë t'i entuziazmojë adhuruesit. Polt tregon: si fëmijë shkoja në morg dhe shikoja se kush gjendet aty i shtrirë. Të vdekurve u lidhej mjekra që t'u mbahej goja e mbyllur. Njëri e kishte gojën e hapur dhe befas aty fluturoi një insekt i madh... bzzzzzzzzz, bvvvvvvvv, zzzzzzfffffzzzzz. Më kujtohet habia, qeshja, ngërdheshja, thotë Polt. Dhe citon Aristotelin: njeriu, kjo kafshë që qesh.

Por ka momente kur qeshja këputet brenda një sekonde. Para një shtëpie në Konstanz, në trotuar, një gur katror me këtë shënim: "Këtu ka banuar Charlotte Bloch, e lindur Lazarus. Viti i lindjes: 1848. U deportua më 1940 në (kampin) Gurs. Vdiq më 17.11.1940."

Gurët e tillë në gjermanisht quhen "Stolpersteine", që i bie: gurë në të cilët zë në thua. Aty është qëllimi i projektit përkujtimor: që gjenocidi nazist ndaj hebrenjve të mos harrohet kurrë.