OpEd

Asnjë vend sikur vendlindja (I)

Ndiej lakmi për ata pasagjerë që mund të flenë në aeroplan. Unë asnjëherë nuk kam mundur. Kjo mbase ka të bëjë me gjatësinë time trupore dhe pamundësinë për të gjetur një pozitë të përshtatshme, së pari për këmbët e gjata e më pastaj edhe për pjesën e epërme të trupit - kokën - në hapësirat e ngushta të këtyre karrigeve të low-cost fluturimeve. Por kur e mendoj më mirë, është ky një lloj kompromisi midis një komoditeti më të paktë dhe çmimit më të lirë të fluturimit. Mendoj se ia vlen. Kur jemi te çmimi i lirë, unë as në këtë rrafsh nuk isha aq fatlum, ngase biletën e nxora vetëm pak ditë para fluturimit. Kështu që kostoja ishte shumë më e lartë sesa ato që rëndom i paguajnë njerëzit të cilët udhëtojnë për në Kosovë

Java që e lamë pas ishte e veçantë për mua. Do të shkoja në Kosovë dhe në Prishtinën time, pas tre vjetësh të gjatë. Besoj që të gjithë do të pajtoheshin që, dhashtë Universi, të mos përsëriteshin asnjëherë.

Pas daljes nga banesa ime, në orën dy të mëngjesit, për të mbërritur në Aeroportin e Lutonit, së paku dy orë para nisjes së fluturimit, po lija prapa vetes motin me diell dhe me temperaturë që sillej rreth 20 gradë Celsius. Pjesa të cilën nuk e pëlqej gjatë udhëtimeve është pikërisht kjo - shkuarja deri në aeroport dhe procedurat atje e pastaj pritja deri në momentin e nisjes. Por për të qenë korrekt, së paku janë hequr procedurat e ndërlidhura me COVID-19, si prezantimi i testeve PCR, plotësimi i formave të lokacionit, karantinat dhe të ngjashmet. Pak a shumë, fluturimet kanë filluar që t’i rikthehen normalitetit, megjithëse një ditë më parë, e edhe në ditën kur fluturova, ishin anuluar me dhjetëra fluturime të “British Airways” shkaku që stafi kishte rezultuar me COVID-19 dhe kishte mungesë ekstreme të punonjësve.

Shumë njerëz humbën jo vetëm fluturimet, por edhe pushimet që i kishin lidhur me festën e Pashkëve.

Në orën 6:30, aeroplani do ta fillonte fluturimin, ashtu siç edhe ishte paraparë me itinerar, pa ndonjë vonesë. Në mënyrë që sa më lehtë t’i kaloja tri orët e fluturimit dhe padurimin që sa më shpejt të mbërrija në Prishtinë, paraprakisht i kisha shkarkuar tri episode të ndryshme podcastesh me tema të përditësuara të BBC-së nga lufta në Ukrainë dhe implikimet e saj për botën.

Ndiej lakmi për ata pasagjerë që mund të flenë në aeroplan. Unë asnjëherë nuk kam mundur. Kjo mbase ka të bëjë me gjatësinë time trupore dhe pamundësinë për të gjetur një pozitë të përshtatshme, së pari për këmbët e gjata e më pastaj edhe për pjesën e epërme të trupit - kokën - në hapësirat e ngushta të këtyre karrigeve të low-cost fluturimeve. Por kur e mendoj më mirë, është ky një lloj kompromisi midis një komoditeti më të paktë dhe çmimit më të lirë të fluturimit. Mendoj se ia vlen.

Kur jemi te çmimi i lirë, unë as në këtë rrafsh nuk isha aq fatlum, ngase biletën e nxora vetëm pak ditë para fluturimit. Kështu që kostoja ishte shumë më e lartë sesa ato që rëndom i paguajnë njerëzit të cilët udhëtojnë për në Kosovë.

Kaluan edhe tri orët e fluturimit. Nga lart shihej se Prishtina ishte e mbuluar me re të dendura.

Me të aterruar aeroplani e kuptova se kohën e bukur që kisha lënë pas në Londër nuk do ta gjeja në Kosovë. Në fakt, nga dritaret e vogla të aeroplanit pamja i ngjasonte një dite të errët dhe të zymtë dimri. Kjo nuk ishte aspak larg nga e vërteta që e kuptova me të zbritur nga shkallët e aeroplanit.

Nuk isha i veshur në mënyrë adekuate për ta përballuar temperaturën prej 3°C dhe për t’u ndier “më mirë”. Nuk besoj se ishte edhe një pasagjer tjetër që po zbarkonte nga aeroplani dhe që me të dalë nga aeroplani mund t’i dëgjoje ankesat se sa ftohtë ishte.

Kur nuk e sheh vendlindjen për disa vite rresht, të përshkon një ndjenjë e çuditshme. Është një ndjesi midis ëndrrës dhe realitetit. Një gjë që e njeh aq shumë dhe aq thellë, por që në të njëjtën kohë të shfaqet sikurse një deja vu. Syri nuk ngopet me pamjet e njohura, por edhe të rejat që kishin zënë vend që nga qershori i 2019-s, kur isha për herë të fundit.

Pastaj është edhe ajo ndjesia që, së paku unë, e përshkruaj si pluhuri permanent kosovar. Rrugët e pluhurosura dhe vetë pamja e pluhurit në atmosferë, janë dallimi e bën me cilindo vend tjetër perëndimor. Fqinji im, Fadili, kishte dalë të më priste me veturë në aeroport. Veçse isha i lodhur dhe mezi prisja që të mbërrija në banesë. Rruga në fakt nuk zgjati shumë, por unë po përpiqesha që me sytë e mi të përpija sa më shumë nga pamjet që i shihja nga xhami i veturës. Ndërtime gjithandej. Shumica të reja që nga vizita ime e fundit.

Pas 20 minutash mbërrita në banesë. Secila herë është përjetim i vështirë për mua. Qysh nga vdekja e babait dhe e vëllait, disi në ndërdije mendoj se ata janë në Prishtinë dhe më presin aty dhe ballafaqimin me realitetin secilën herë e kam të vështirë. E përveç kësaj, banesa dhe shumica e mobilieve dhe orendive në të janë qysh nga vitet 70’, kështu që kujtimet e fëmijërisë më godasin qysh në momentin kur këmba ime shkel në banesë.

Edhe në 13 vjetët e pasluftës, në kohën gjatë së cilës jetova në Kosovë asnjëherë nuk më është dhënë që të bëja ndonjë rinovim apo ndërrim të orendive, sepse më dukej se do ta mbysja kujtimin e fëmijërisë dhe të babait. Por tash, në tetë vjetët e fundit pas humbjes edhe të vëllait tim, Nolit, kjo ndjenja e kujtimeve të fëmijërisë dhe të rinisë është bërë edhe më e rëndë për t’u përballuar, po qe se qëndroj në Prishtinë për një kohë më të gjatë.

Valixhen e vogël që e kisha marrë me vete e vendosa në dhomën e vogël apo dhomën e punës, si e quanim ne, pasi që aty është e vendosur edhe një tavolinë pune, e punuar nga druri. Menjëherë shikova aty nga muri i ngushtë anësor, ku janë të varura fotografia e stërgjyshit tim, Isa Boletini, dhe disa të tjera familjare. Nuk kisha sesi t’i ndaloja lotët që rrodhën nga sytë. Secilën herë kur i shikoj ato fotografi më kthejnë në ato çaste, kur fotografitë janë shkrepur. Sa harmoni dhe sa lumturi që kishte përbrenda familjes sonë. E një copë e madhe e imja e shpirtit është këputur dhe e tëra që mbeti janë kujtimet e paharrueshme.

Jashtë po binte borë. Aso bore që kishte vite që nuk kisha parë. Fjolla të mëdha bore, fuqia e rënies e së cilave nuk po zvogëlohej.

Vendosa që të dilja në qytet. Edhe pse nuk kam qenë për disa vjet, nga postimet e shumta të miqve në Facebook e kam kuptuar se moshatarët e mi apo ata që ishin rreth gjeneratës sime më shumë frekuentojnë në lokalin Urban Lounge. Vendosa të shkoja në këmbë. Edhe ashtu nga “Bregu i Diellit” ku unë banoj është teposhte dhe ecja nuk është aq e vështirë. Por, sfidë ishte gjetja e hapësirës së lirë nëpër trotuare nga veturat e parkuara gjithkund. Në fund mbërrita edhe në lokalin e lartshënuar. Me të hyrë në lokal, më pritën shikimet e njerëzve të huaj, por edhe përshëndetjet e shumta nga ata të njohur.

Është kjo një ndjenjë e bukur që vetëm Kosova ta dhuron. Ajo që më pengoi ishte duhma e duhanit, të cilën edhe nëse e konsumon, por edhe nëse nuk e konsumon, do ta mbash peshqesh në rroba dhe në flokë. Megjithëse ka vite që e kam lënë duhanin, zgjodha që ta ndezja për kohën sa do të isha në Prishtinë. Mendoj se e kalon më kollaj sfidën duke qenë edhe vetë njëri nga duhanxhinjtë. Me t’u kthyer në banesë e kuptova se rrobat e mia po kundërmonin sikur mish i tharë në ndonjë shupë me tym. I hoqa rrobat dhe i vendosa në ballkon që të ajroseshin. E vetë bëra banjë që ta largoja atë kundërmim që mendoj se më kishte depërtuar edhe nën lëkurë.

Pasdite lodhja e bëri të veten dhe thuajse e kisha harruar ndjenjën sesa lehtë më zë gjumi në shtratin dhe dhomën time të qetë, ku dëgjoj vetëm rrjedhën e ujit nga bora e shkrirë poshtë ulluqeve. Nuk e di saktë se me cilat mendime në kokë më zuri gjumi, pasi që po më vërshonin prej më të ndryshmeve.

*Me të përfunduar të kësaj kolumneje, sapo e mora lajmin e trishtë se më kishte vdekur vajza e tezës, Sevime Çuna-Baruti, e cila për mua, në shumë momente dhe rrethana, ishte edhe nënë e dytë. Të gjitha ndjenjat që i përshkrova më lart do ta bëjnë edhe më të vështirë ballafaqimin me ardhjen time të radhës në Prishtinë dhe me banesën e familjes ku për disa vjet kishte banuar edhe vajza e tezës, me djalin e saj.

Vazhdon …