OpEd

Dërgojeni Merkelin në Moskë

Marrëdhënia e ndërlikuar e Putinit dhe Merkelit filloi më 9 nëntor 1989, me rënien e Murit të Berlinit. Kjo ngjarje shënoi çlirimin e Merkelit nga shteti policor i Gjermanisë Lindore, që e kishte mbyllur për 35 vjetët e parë. Shumë shpejt ajo hoqi mantelin e bardhë të shkencëtares dhe iu bashkua Unionit Demokristian, duke u bërë më vonë udhëheqësja e partisë dhe më pas kancelarja e parë e Gjermanisë

Teksa bota e tmerruar kërkon mënyrë për të ndalur luftën brutale të presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës, është një person që mund të jetë në gjendje të arrijë deri te autokrati i izoluar dhe i rrezikshëm i Kremlinit. Angela Merkel, deri vonë kancelare e Gjermanisë, e mbajti Putinin në njëfarë mase të sjelljes së mirë gjatë 16 vjetëve të saj në detyrë, duke përfshirë bllokimin e përpjekjes së tij të parë për të pushtuar Ukrainën në vitin 2014.

Merkeli ka cilësi unike dhe histori të përbashkët me Putinin, të pakrahasueshme me ndonjë lider tjetër botëror. Ajo duhet të bindet të dalë nga pensioni për të ndihmuar në shpëtimin e rendit ndërkombëtar për të cilin luftoi.

Marrëdhënia e ndërlikuar e Putinit dhe e Merkelit filloi më 9 nëntor 1989, me rënien e Murit të Berlinit. Kjo ngjarje shënoi çlirimin e Merkelit nga shteti policor i Gjermanisë Lindore, që e kishte mbyllur për 35 vjetët e parë. Shumë shpejt ajo hoqi mantelin e bardhë të shkencëtares dhe iu bashkua Unionit Demokristian, duke u bërë më vonë udhëheqësja e partisë dhe më pas kancelarja e parë e Gjermanisë.

Për Putinin, nëntori i vitit 1989 dhe rënia e mëpasshme e Bashkimit Sovjetik, të cilit i shërbeu dhe e quajti “katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit [XX]” – i dha fund karrierës së tij si oficer i KGB-së në Gjermaninë Lindore. Dy vjet diferencë në moshë dhe produkte të së njëjtës epokë sovjetike, Merkeli dhe Putini kanë kuptim të qartë për njëri-tjetrin. Ata flasin fjalë për fjalë dhe figurativisht gjuhët e njëri-tjetrit.

Pasi Merkeli u bë kancelare, Putini iu nënshtrua teknikave të ndryshme të KGB-së për të provuar aftësinë e saj. Duke ditur frikën e saj nga qentë, ai e lëshoi l​abradorin e tij të madh pranë saj në një takim të vitit 2007. Merkeli nuk u zmbraps. “Ai duhet ta bëjë këtë për të treguar burrërinë e tij”, tha ajo më vonë. “Ai të teston gjithë ditën, dhe nëse nuk reziston, bëhesh gjithnjë e më i vogël”.

Merkeli, prejardhja e së cilës e kishte përgatitur për aftësinë e Putinit për mizori dhe mashtrim, nuk u bë më e vogël. Në ndërveprimet e tyre të shumta, ajo thjesht injoroi shpërthimet e tij të inskenuara dhe heshtjet kërcënuese.

Edhe pse Merkeli e gjeti Putinin në mënyrë alarmante të shkëputur nga realiteti tashmë në vitin 2014, ajo vazhdoi, ndonjëherë për 15 orë me radhë, në kërkim të një gjuhe të përbashkët në lidhje me Ukrainën. Në situata të tilla, ajo tha: “Unë jam e përqendruar si një litar i ngushtë, duke menduar vetëm për hapin tjetër”. Putini qëndroi në tryezë dhe përfundimisht ra dakord të ndalonte agresionin e tij pasi Rusia kishte aneksuar Krimenë dhe pushtoi pjesë të rajonit lindor të Ukrainës, Donbasin. Për Merkelin, një konflikt i ngrirë ishte gjithmonë më i mirë se lufta e gjithanshme.

Metoda e saj gjatë negociatave të tyre shumorëshe ishte që ta linte Putinin të zhurmonte pandërprerë. Kur të mbaronte, Merkeli do të përsëriste atë që sapo kishte thënë me një gjuhë pothuajse fëmijërore, duke shteruar edhe drama, edhe shumë sens nga shpërthimi i tij. “Vladimir”, do të pohonte ajo, “kështu nuk i sheh bota gjërat”.

Qetësia e akullt e Merkelit u mbështet nga zotërimi i detajeve të fushëbetejës. “Unë mendoj se e njoh çdo pemë në Donbas”, tha ajo dikur për zonën e luftës. Ajo e shtyu Putinin të shprehte qëllimin e tij me saktësi dhe më pas i ofroi disa hapa për ta çuar atje. Me formimin e saj shkencor dhe pa ego, ideologji dhe emocione, ajo i theu skemat e tij madhështore në pjesët e tyre më të vogla dhe më të menaxhueshme. “Ajo që ka rëndësi është gjetja e zgjidhjeve”, thoshte shpesh ajo.

Për aq sa Putini është i aftë për besim, ai i beson Merkelit, e cila jo vetëm që nuk ka ambicie politike të mbetura, por as nuk e ka denigruar publikisht atë apo nuk ka zbuluar përmbajtjen e shumë shkëmbimeve të tyre private. E njohur për admirimin e kulturës ruse, Merkeli nuk e quajti kurrë Rusinë si “fuqi rajonale”, siç bëri dikur ish-presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Dy muaj pasi u largua nga kancelaria, Putini nisi luftën në shkallë të gjerë që ajo kishte parandaluar në 2014. Me largimin e Merkelit, pasardhësin e saj, Olaf Scholz, të paprovuar dhe Shtetet e Bashkuara të polarizuara ashpër falë ish-presidentit Donald Trump, Putini ka gjasa se e ka llogaritur që përfundimisht do ta kthejë “katastrofën” që filloi në vitin 1989.

Mirëpo edhe Merkeli e kishte llogaritur gabim. Një politikane e kujdesshme lejoi që interesat e biznesit gjerman të ndikoheshin dhe dështoi të ndalonte tubacionin (tani të pezulluar) “Nord Stream 2”, i cili do të kishte transportuar gaz direkt nga Rusia në Gjermani nëpërmjet Detit Baltik. As ajo nuk e rriti mjaftueshëm buxhetin e mbrojtjes së Gjermanisë për të përballuar kërcënimin në rritje të sigurisë. Merkeli e përbuz luftën dhe e konsideron përdorimin e saj një dështim të plotë të qeverisjes. Megjithatë, me luftën tani në Ukrainë, Evropa dhe Perëndimi janë zhytur në epokën pas Merkelit pa një fund të qartë në horizont.

Merkeli është ndoshta i vetmi person në planet që as nuk ka frikë, nuk e përbuz hapur, as nuk i nënshtrohet Putinit, dhe të cilin gjithashtu duket se e respekton. Duke pasur parasysh historinë e tyre të gjatë, Putini nuk do të kishte gjasa ta zbriste Merkelin në anën e kundërt të tryezës së gjatë komike të Kremlinit, ku ai ka ulur së fundmi krerët e tjerë të shtetit për të telegrafuar mungesën e interesit të tij për negociata serioze.

Putini e merr Merkelin seriozisht dhe – po aq i izoluar sa është – duhet të kuptojë në njëfarë niveli se ka nevojë për ndihmë për t'u zbritur nga pema e tij e lartë dhe e pasigurt pa pësuar humbjen totale të fytyrës, nga e cila trembet dhe është gati të derdhë më shumë gjak për ta shmangur. Merkeli, e cila e njeh Putinin më mirë se çdo lider tjetër botëror, mund ta ndihmojë atë. Me qetësinë e saj supreme, mund ta këshillojë për herë të fundit: “Vladimir, kjo luftë e egër nuk është në interesin tënd”.

Është gjuajtje nga distanca, sigurisht, por rendi botëror të cilin e mbrojti fort Merkeli varet në balancë. Rreziqet janë shumë të larta për të luajtur këtë lojë kumari.

(Kati Marton, kryetare e Këshillit Këshillimor Themelues të Veprimit për Demokraci, është autore e librit më të ri :”The Chancellor: The Remarkable Odyssey of Angela Merkel”(William Collins, 2021). Komenti është shkruar për rrjetin botëror të gazetarisë, “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)