OpEd

Kriza e madhe si hapje për kthesa fundamentale

Lufta në Ukrainë duhet ta shtyjë Kosovën që në vend të kërkesës prej ambasadorëve që të ndihmojnë kundër shtrenjtimit të çmimeve të ushqimit, të adresojë zgjidhjet e mundshme në thellimin e bashkëpunimit me fqinjët

1.

Ndonjëherë më duket se shpjegimi poetik i mungesës së detit mund të jetë arsyeja pse Kosova nuk i sheh valët. Duhej të ishte e kundërta; një vend që dhjetëvjetëshin e shekullit të kaluar e kaloi me krizë ekzistenciale, do të duhej të nuhaste lehtësisht krizat që do të vijnë.

E, megjithatë, lexova gjatë javës së kaluar se si vendi zyrtarisht po kërkon prej një ambasadori që të ndihmojë rreth krizës së krijuar të çmimeve ushqimore nga lufta në Ukrainë. Pas viteve të kërkesave që të ndihmohet për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve të Kosovës nga okupimi i Serbisë, kërkesave që të ndihmohet nga përpjekja për gjenocid, kërkesave që të ndihmohet që vendi të çlirohet, kërkesave për ndihmë që vendi të rindërtohet, kërkesave për ndihmë që vendi të pavarësohet dhe kërkesave për ndihmë që kjo pavarësi të marrë legjitimitet ndërkombëtar, do duhej menduar se me kaq morën fund kërkesat e Kosovës për ndihmë. Megjithatë, doli që vendi po kërkon ndihmë për krizë ushqimore dhe koincidentalisht e paradoksalisht ndihmë për anëtarësim në NATO; që të dyja nuk shkojnë bashkë.

2.

Pra, me sipërfaqësinë e një artikulli gazete, ja një analizë e shkurtër e valëve të krizave me të cilat mund të ballafaqohet vendi në periudhën e ardhshme disamujore apo madje disavjeçare.

E para, vala e krizës me ushqim. Sipas FAO, Organizatës Botërore për Ushqim, çmimet ushqimore u ngritën fillimisht me pandeminë COVID dhe ky trend vetëm sa do të shpejtohet me luftën në Ukrainë. Një stinë e mbjellje-korrjeve e humbur nga lufta mund të ndikojë që kriza ushqimore të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm dhe efektet e kësaj do të ndihen në sfera të ndryshme, gjithandej botës. Do të ketë inflacion, uri për shtetet e varfra, andaj edhe presion më të madh për emigracion dhe një valë e njerëzve që ikin nga lufta (Ukrainë, Siri) apo varfëria (Afrikë) do të kërkojnë të vendosen në Evropë, në radhë të parë në Gjermani. Aty diku do të jenë edhe kosovarët.

E dyta, vala e krizës energjetike. Rritja e çmimeve të derivateve nga lufta në Ukrainë ka qenë efekti i parë i pritshëm. Lajmi i mirë mund të jetë se kjo rritje (volatilitet, në terma ekonomikë) mund të jetë e përkohshme - po të ketë marrëveshje me OPEC-un çmimet mund të kthehen në nivel më “normal”. Por kriza energjetike është shumë më e thellë, dhe ka dy dimensione themelore. I pari është ai i sigurisë energjetike - pra sigurisë nga ngjarjet si kjo e luftës në Ukrainë, që po të shkonin deri në fund do të rrezikonin furnizimin energjetik të Evropës për pothuajse gjysmën e nevojave të saj. I dyti është ai strukturor, i kalimit prej varshmërisë së tanishme prej naftës e gazit në burime të ripërtërishme. Kostoja e kësaj krize do të paguhet në tridhjetë vjetët e ardhshëm.

Dhe e treta, kriza e rendit të arkitekturës evropiane. Edhe po të ndalej lufta në Ukrainë nesër, me pajtim të Rusisë e të Ukrainës, tashmë është krijuar një precedencë, e mundësisë që një shtet sovran evropian të sulmohet nga një tjetër evropian (apo evroaziatik, në këtë rast). Dhe kjo precedencë, së bashku me mënyrën se si do të marrë fund lufta në Ukrainë do të ndikojnë në mënyrën se si shtetet e Evropës fuqizojnë natyrën e marrëdhënieve të veta të ndërsjella, gjegjësisht thellësinë e integrimit të politikës së tyre të jashtme e të sigurisë.

3.

Që të tri krizat kanë një emërtim të përbashkët: sigurinë. Pra bëhet fjalë për çështje të sigurisë ushqimore (sociale, etj), të sigurisë energjetike dhe të politikës së përbashkët evropiane të jashtme e sigurisë. Dhe nuk duhet shikuar shumë larg për të parë shenjat për trajtimin e këtyre krizave.

Kriza ushqimore (apo fillimisht ushqimore) do të mund të ishte më lehtë e përballueshme po të ishte implementuar një vendim që e ka nënshkruar Kosova më 2020. Atëbotë, në Samitin e Sofjes, Kosova nënshkroi së bashku me pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor iniciativën për formimin e Tregut të përbashkët regjional të kësaj 6-sheje. Qarkullimi i lirë i ushqimit të prodhuar nga këto gjashtë vende, së bashku me qasjen në tregun e përbashkët evropian do të mund ta krijonin në masë të madhe sigurinë ushqimore.

Krizën energjetike po ashtu mund ta kundrojmë nga perspektiva regjionale, në që të dyja dimensionet e saj, pra të furnizimit sot dhe të ristrukturimit energjetik afatgjatë. Që sot mund të shikojmë te fqinjët e Kosovës, Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, në të dyja vendet ku kalon gazi natyror (i Azerbajxhanit dhe ai i lëngshëm nga porti i Aleksandropolit në Greqi) për të gjetur kyçje të volitshme. Dhe që sot Kosova mund të bëjë investime strategjike në energji të ripërtërishme, posaçërisht në partneritet me Shqipërinë.

Dhe, në fund, krizën e arkitekturës evropiane të sigurisë Kosova duhet doemos ta kundrojë me thellimin e integrimit në NATO e BE, por përgjigjja që i vjen Kosovës është gjithherë se fillimisht duhet t’i rregullojë marrëdhëniet me Serbinë. Tash Kosovës dhe Serbisë u duhet të dalin nga gjendja paralizuese e kushtëzimeve përjashtuese, pra e gjendjes ku Kosova nuk mund të integrohet në NATO e BE, sepse këtë e pengon marrëveshja me Serbinë e nga ana tjetër marrëveshja me Serbinë nuk është e mundur, sepse mungon konteksti real i integrimit në NATO e BE për Kosovën dhe BE për Serbinë. Sfida tash është krijimi i kushteve për siguri e integrim regjional paralelisht me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.

4.

Thuhet se Winston Churchill tha gjatë Luftës së Dytë Botërore “Kurrë mos lejo që një krizë të të shkojë dëm”.

Ky moment mund të jetë i ngjashëm, është një krizë që është e hapur për kthesa fundamentale.